Skip to main content

“Dilema e pushtetmbajtësit: inflacion apo deflacion pushteti?” plus 3 more Telegrafi Opinione

“Dilema e pushtetmbajtësit: inflacion apo deflacion pushteti?” plus 3 more Telegrafi Opinione


Dilema e pushtetmbajtësit: inflacion apo deflacion pushteti?

Posted: 18 Feb 2018 03:50 AM PST

Klementin Mile

Në shoqërinë moderne pushteti ushtrohet kryesisht në organizata. Ai ushtrohet në parti, universitete, banka, spitale, ministri, kisha, xhami, gjykata, televizione etj. Në këtë kontekst ngrihen pyetje lidhur me pushtetin që zotëron një politikan, pedagog, bankier, doktor apo klerik. A ka Edi Rama aq pushtet sa të vendosë për gjithçka në Partinë Socialiste? Po Sali Berisha, a ka aq pushtet sa ta largojë nga kreu i PD-së Bashën? A është e mundur që largimi i rektorit të një universiteti ta dëmtojë seriozisht imazhin e atij institucioni? Po dorëheqja e kreut të një komuniteti fetar, çfarë shkakton te besimtarët? Pyetje si këto lidhen me disa çështje teorike të pushtetit.

Teoricieni gjerman Niklas Luhmann flet për lindjen e diferencave të theksuara në shoqërinë moderne ndërmjet pushtetit real dhe pushtetit të atribuuar. Këto diferenca shoqërohen nga prirje inflacioniste ose deflacioniste të pushtetit. Për shkak të ekzistencës së sistemeve organizative komplekse në shoqëri – si partitë, universitetet, ministritë apo gjykatat – pushteti organizativ vlerësohet ndryshe jashtë organizatës dhe ndryshe brenda saj. Kur shihet nga jashtë, ka një mbivlerësim tipik të homogjenitetit të organizatës dhe aftësisë së saj për të zbatuar pushtetin organizativ. Kështu për shembull partia ngjan vërtet si repart ushtarak, e rregullt, e rreptë dhe e efektshme. Pushteti i atribuohet krerëve të organizatës, por në realitet ekzistojnë balanca pushteti të komplikuara, të cilat variojnë sipas temave dhe situatave. Kjo do të thotë që kreut të organizatës i atribuohet më shumë pushtet sesa ka realisht. Ky proces atribuimi shkakësor sjell pasoja në raportet reale të pushtetit.

Kështu, së jashtmi, organizatës i duhet të respektojë atribuimin e pushtetit, përndryshe personat jashtë organizatës nuk do mund ta shohin dhe trajtojnë organizatën si rend. Për personat e jashtëm që merren me organizatën janë të nevojshme thjeshtëzimet që mundësojnë raportet brenda-jashtë. Për këtë arsye duhet promovuar dhe mbështetur edhe prestigji i pushtetit të krerëve të organizatës. Në këtë mënyrë atribuimi i jashtëm i pushtetit bëhet faktor pushteti në konfliktet e brendshme. Krerët mund të kërcënojnë largimin nga organizata ose mund të krijojnë situata që u tregojnë vëzhguesve të jashtëm se organizata nuk funksionon si unitet vendimmarrës dhe zbatues. Kjo formon bazën e një lloj pushteti informal të krerëve formalë, i cili mbështetet te fakti që pushteti u atribuohet atyre dhe ky atribuim, si proces përgjithësimi simbolik është i ndjeshëm ndaj informacionit për faktet. Sipas Luhmannit kjo aplikohet në shkallë të ndryshme nëpër organizata të llojeve të ndryshme. Kështu, për partitë politike më shumë se për universitetet, për organizatat mediatike më shumë se për shërbimin postar, për ushtrinë më shumë se për bankat.

Duke transferuar konceptet inflacion dhe deflacion nga teoria e parasë te teoria e pushtetit (duke qenë se të dyja janë media komunikimi të përgjithësueshme simbolikisht), Luhmann shprehet se ashtu si në ekonominë monetare, edhe në domenin e pushtetit duket të ketë vetëm një overdraft të kufizuar burimesh të vlefshme, të cilat mund të përngjasohen me kreditin. Pushtetmbajtësi merr më shumë vendime dhe siguron bindje për më shumë vendime sesa mund të bëjë efektive në raste konflikti. Nëse pushtetmbajtësi e përdor shumë pak pushtetin që i atribuohet dhe e kufizon veten brenda pushtetit që "ka me të vërtetë", kështu ai shkakton një prirje deflacioniste. Ai operon shumë pranë mjeteve të tij të sanksionimit. Dhe rreziku me këtë është se ai nuk arrin të largohet nga zona e kërcënimit të ushtrimit të pushtetit drejt zonës së ushtrimit të suksesshëm të pushtetit. Nga ana tjetër, nëse pushtetmbajtësi mbështetet shumë fort te pushteti që thjesht i atribuohet, ai shkakton një prirje inflacioniste. Në këtë rast ai bëhet i varur nga sukseset e dukshme që demonstrojnë se ka pushtet. Njëkohësisht ai bëhet vulnerabël nga krizat, të cilat tregojnë se ai nuk mund t'i mbulojë vendimet me sanksione. /Mapo/

The post Dilema e pushtetmbajtësit: inflacion apo deflacion pushteti? appeared first on Telegrafi.

Kamuflimi me “storje suksesi” i gabimit të para tri viteve

Posted: 18 Feb 2018 03:44 AM PST

Tri vite më pas, në një shkrim të tij në Facebook, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes metodave të tij të njohura tashmë, po provon të kamuflojë gabimin e tij të para tri viteve në lidhje me Marrëveshjen për demarkacionin Kosovë – Mal i Zi të nënshkruar në gushtin e vitit 2015. Siç dihet, kjo marrëveshje ka ngecur e pa ratifikuar deri tani në Kuvendin e Kosovës për shkak të pretendimeve të opozitës së atëhershme (VAN) se, me këtë marrëveshje, Kosova humb pjesë të territorit të saj. Si rrjedhojë, mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e ka prolonguar liberalizimin e vizave për kosovarët me Bashkimin Evropian në këto tri vitet e fundit.

Sikurse secilën herë kur kemi të bëjmë me situata të atilla, ku duhet adresuar merita diku tjetër e jo tek presidenti apo njerëzit e tij, edhe kësaj radhe presidenti provon ta shndërrojë këtë ri-marrëveshje me Malin e Zi në një gjest sublim personal dhe në një të arritur të tij të madhe në vigjilje të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës!

Përndryshe, deklarata e tij në Facebook në lidhje me marrëveshjen më të re Kosovë-Mali i Zi për demarkacionin, është shumë kontradiktore, është mohim total i fakteve dhe argumenteve të tij të dhëna gjatë këtij trevjeçari.

Fillimisht, presidenti vetë e pranon se ka pasë gabime eventuale në marrëveshjen të cilën (vetë e ka nënshkruar e ku gjithnjë ka mohuar të ketë pasur gabime eventuuale) dhe të gjithë jemi në dijeni se për shkak të gabimeve (të presidentit, sepse asnjëherë, as pala kosovare e as ajo malazeze, nuk janë deklaruar se gabimi të jetë bërë nga pala malazeze), liberalizimi i vizave për kosovarët është prolonguar për tri vite. Pra, konstatimi zyrtar nga qeveria e kaluar dhe Presidenca se, marrëveshja për demarkacionin e kufirit Kosovë-Mali i Zi në gushtin e vitit 2015, është nënshkruar pa asnjë gabim, bie poshtë automatikisht dhe me këtë, kauza e opozitës së kaluar (përjashto këtu AAK-NISMA), dhe e kësaj së tashmes (prapë me përjashtime), për refuzimin e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje në Kuvend, po del të jetë kauzë jo edhe aq false siç pretendonte gjithmonë një pjesë e pozitës së djeshme dhe të sotme e që, sipas saj, kjo kauzë kishte qëllime elektorale apo qëllime të rrëzimit të pushtetit, respektivisht marrjes së pushtetit. Pra, qëllimin e partive politike për refuzimin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit Kosovë-Mali i zi, tash e legjitimoi presidenti me pranimin e tij edhe zyrtarisht se, kjo marrëveshje e nënshkruar në gushtin e vitit 2015 kishte gabime eventuale të cilat, sipas tij me vullnetin e mirë të palës malazeze, u korrigjuan tek tani.

E dyta, presidenti e mbështetë këtë "arritje" të tij falë vullnetit të mirë të palës malazeze (që nënkupton se pala malazeze ka pranuar të korrigjohet gabimi i palës kosovare, respektivisht, gabimi i presidentit) dhe falë përkushtimit të lidershipit kosovar (treshes Thaçi-Haradinaj-Veseli) e që nënkupton se edhe kryeministri Haradinaj (i cili deri dje ishte kategorik në mospranimin e kësaj marrëveshjeje, sot qenka zbutur në qëndrimin e tij) qenka mjaftuar me një "lëvdatë" nga presidenti për përkushtimin e tij prej lideri duke harruar në të njëjtën kohë gabimin e presidentit, nënshkrimi i të cilit, siç e thamë edhe më lart, e ka prolonguar liberalizimin e vizave për kosovarët për tre vjet rresht.

E treta, me plot cinizëm dhe demagogji, presidenti deklaron se kjo marrëveshje e re (e re për shkak të gabimeve tëp) na qenka "dhurata" më e mirë që mund të ndodhë në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë (dhuratë kjo e cila do të mund të ishte po aq e mirë edhe tri vite më herët, nëse presidenti nuk do të vinte nënshkrimin e tij gabimisht) dhe në të njëjtën kohë, me po aq cinizëm e demagogji, presidenti e gjuan topin e fajësisë tek partitë politike dhe tek vullneti i tyre për ta ratifikuar marrëveshjen (e korrigjuar pas gabimeve të tij tri vite më parë). Me një fjalë, sipas tij, presidentit pra, ai është i pastër si loti në këtë punë, e korrigjoi gabimin e tij tri vjet më vonë, tash duhet të vazhdohet tutje, duke mos marrë përsipër përgjegjësi për këto tri vitë prolongim dhe se tash krejt varet tek vullneti politik i partive politike nëse donë t'a ratifikojnë këtë marrëveshje apo jo!

Suma sumaruum, marrë parasysh edhe disa faktorë tjerë, Kosova dhe kosovarët kanë mbetur të izoluar nga Evropa për tri vite rresht për shkak të një gabimi trashanik e sharlatanesk që e ka bërë vetë presidenti kur e kishte nënshkruar marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi në vitin 2015. Tash, presidenti le që nuk kërkon falje, porse del dhe thotë pa fije turpi: “Urime Kosovë, kjo është dhurata më e mirë për këtë dhjetëvjetor të pavarësisë!”

Pra, injoranca e tij arrin deri në atë nivel saqë tash neve na kërkohet ta harrojmë mospasjen e liberalizimit të vizave nga Evropa për shkak të injorancës së tij dhe, përtej çdo akti paturpësie, pret që ne, të mashtruarit, t’i themi: “Faleminderit president që e korrigjove gabimin tuaj dhe na e solle liberalizimin e vizave!”

Në një vend normal, me njerëz normal e të ndershëm, me institucione normale, të ndershme e llogaridhënëse, qysh sot, presidenti do të duhej që, fillimisht të kërkojë falje për gabimin e tij që na mbajti ne (popullin) të izoluar për tri vite më shumë sesa duhej, së dyti, do të duhej që në mënyrë të parevokueshme të japë dorëheqje nga posti i presidentit dhe së treti, e që është më e rendësishmja, presidenti do të duhej që, qysh sot, të ishte subjekt i ngritjes së aktakuzës për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të dëmshme për shtetin dhe popullin e saj dhe do të duhej të ulej në bankën e të akuzuarit dhe të priste denimin e merituar.

The post Kamuflimi me "storje suksesi" i gabimit të para tri viteve appeared first on Telegrafi.

Një pavarësi e dhjetëfishtë

Posted: 18 Feb 2018 02:45 AM PST

Elvi Sidheri

Të flasësh, të rrekesh ta përshkruash ndjesinë që të përfshin kur afrohet shënimi i dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është diçka e lehtë, sa edhe njëkohësisht tejet e vështirë.

Thënë kjo, sepse ky nuk është kurrsesi një "Finish", por akoma një pikënisje e çmuar për Kosovën dhe banorët e saj, për shqiptarët në përgjithësi, dhe këdo tjetër që Kosovën e konsideron si përbërës të pandashëm të fatit të shqiptarëve dhe të ardhmes së tyre jo vetëm në këtë shtet ende riosh, që po vijon të çajë vendosmërisht drejt së ardhmes, me hap ndonjëherë të luhatur, por gjithnjë të orientuar nga thelbi i virtytit të paepur të qenësisë së saj të pamohueshme.

Kosova është "Dashni", një dashni e pakushtëzuar (si edhe pavarësia e saj), një dashni që ndihet dhe përjetohet ngaherë dyanshëm, nga shtetësia e këtij trualli të përvuajtur e të djegur për liri, sa edhe nga banorët e saj, por edhe nga kushdo tjetër që udha e ka sjellë në Kosovë qoftë edhe njëherë të vetme.

Më tej do të pasojë pashmangshëm "goditja e rrufesë së dashnisë me shikim të parë", mes vizitorit (të huaj mirëfilltas, apo shqiptar të shtetit Amë-vëlla, apo nga çdo rajon tjetër i banuar nga shqiptarë tjetërkund)… dhe Kosovës.

Sepse e tillë është Kosova sot, ashtu siç patjetërsueshëm ka qenë faktikisht gjithnjë; një tokë mikpritëse, një hapësirë mirëkuptimi e ngrohtësie që ka ditur të shpërfaqë më të mirën e dokeve shqiptare të këtyre anëve kreshnike, qysh në agun e kohëve, atëherë kur Dardani, Iliri e Epir qenë akoma në gjenezën e kombësisë iliro-shqiptare.

Kosova është një rast "sui generis" jo vetëm për nga pavarësueshmëria e saj themeltare, por edhe për nga rëndësia e saj në caqet e epikës, sa i përket trungut etnik, kulturor e historik shqiptar, sot, dje e mot.

Sepse pa Kosovë, përtej patetizmave folklorike, gjithsesi të gëluara në një terren shtypje e zgjedhe shumëshekullore, realisht nuk do të kishim pikësëpari Shqiptarësi.

E si rrjedhojë njësore, nuk do të kishim as Shqipëri.

E këtu e kam fjalën pikërisht për Shqipërinë e dalë nga rrënojat e zymta osmane, që u ngjiz, krijua e sendërtua me vizionin e një shteti të gjymtuar nga mangësia e përdhunë e trojeve të Kosovës së flijuar në altarin e mëmëdhetarisë më të epërme.

Shqipëria s'do të kish qenë kurrë fortesë, sado e lëkundur në mosfundosjen e saj të përhershme, nëse shajnia e Kosovës së munguar s'do të kish bashkëshoqëruar në vazhdimësi tërë fazat e ekzistencës së turbullt, të shtetit tashmë 105 vjeçar shqiptar.

Kosova ngaherë zuri vendin e saj mistik, sa edhe krejt të vërtetë, në ndërgjegjen shpirtërore të Shqipërisë shtetërore post-1912, duke e fisnikëruar dhe jetësuar pandalur Shqipërinë Amë-vëlla e motër, drejt dhjetëvjeçarëve që paskëtaj u shndërruan në shekull të ekzistencës së saj, gjithnjë në rolin e një uni të pandashëm shqiptar që ngjallej e flakërohej nga përtej Morinës, me tërë fuqinë e çiltërt të shqiptarësisë së një Kosove të shtypur, por asnjëherë të epur.

Kosova ishte dhe mbeti, pjesë e pandashme e Anteut të përbashkët shqiptar, aty ku çdo njeri i këtij gjaku, arrin të gjejë burimin e forcës dhe kombësisë së tij thelbësore.

Sot Kosova është në agun e Dhjetëvjetorit të Mëvetësisë saj, dhe njëkohësisht më pak se një vit e ndan atë nga Njëzetvjetori i Çlirimit nga pushtuesi shekullor.

Në këtë agim mëvetësie e lirie, na takon të gjithëve, veçanërisht neve shqiptarëve të Amës-vëlla e motër Shqipëri, që t'i gëzohemi mëvetësisë së pakthyeshme dhe lirisë së vyer të shqiptarëve të përtej Morinës, këtij toponimi kufitar ndërshqiptar që kurrësesi nuk do zbërthyer në kuptimin e vet thelbësor si një kufi klasik, por më tepër si një kufi atipik, mes dy shtetesh sovrane, dhe dy pjesëve të barasvlefshme, sa edhe bashkëplotësuese të të njëjtit komb e gjak.

Forcimi i mëtejshëm i shtetësisë kosovare, krah tërë veçorive që ky term nënkupton, është një interes dhe nevojitet të jetë ndër synimet madhore të Shqipërisë dhe shtetasve të saj, sot e përherë.

Një Kosovë e mirëqenë, e mbrothët, e suksesshme, e integruar dhe e sigurt, domethënë edhe një Shqipëri me të gjitha këto karakteristika kaq të çmuara.

Shqipëria dhe Kosova janë të lidhura pazgjidhshmërisht jo vetëm nga gjaku, historia dhe origjina e gjithçka tjetër madhore e përbashkët, por edhe nga një e tashme dhe e ardhme që të shpie veç në një drejtim.

E ky drejtim ka të bëjë më shumë se gjithçka tjetër, me përforcimin e shtetësisë së Kosovës, përkundër rrethanave dhe zhvillimeve rajonale e më gjerë.

Forcimi e qëndrueshmëria e shtetësisë së Kosovës, përkthehet (deformim imi profesional kjo fjalë) në një mirëqenie të banorëve të saj, shqiptarë në shumicë absolute (por edhe të gjithë kombësive të tjera besnike ndaj shtetësisë së Kosovës), dhe mirëqenia dhe e ardhmja e sigurt e shqiptarëve të Kosovës, gjithaq në vetvete përkthehet në mirëqenie të trungut shqiptar në përgjithësi, përfshirë domosdo edhe Shqipërinë në këtë qethull mirëqenie gjithëshqiptare.

Çdo veçori e zhvillimit dhe betonimit të shtetësisë së Kosovës, nga integrimi i saj në BE e NATO, te rritja ekonomike, mirëqenia individuale e banorëve të saj, ruajtja e kufijve, identiteti shtetëror, përparimi sportiv, kulturor e shoqëror i shqiptarëve të Kosovës, përbën një gur të çmuar më vete, në kurorën e shqiptarësisë.

Ky është kuptimi i epërm për nga vlera dhe gjithçka fisnike që ngërthen në vetvete, i Pavarësisë së Kosovës. Ndaj këto dhjetë vite të Pavarësisë, përmbajnë një vlerë të Dhjetëfishtë lirie, qëndrese, kryeneçësie, krenarie, bujarie, besëdhënie, besëlidhje, tradite, trashëgimie dhe shqiptarësie.

Është koha të kremtojmë, të mos harrojmë, të gëzojmë, të punojmë, së bashku për Kosovën.

The post Një pavarësi e dhjetëfishtë appeared first on Telegrafi.

Pavarësia e Kosovës është mrekulli e llojit të mrekullive që i përmendin librat e shenjtë!

Posted: 17 Feb 2018 02:37 AM PST

Ka kohë që mundohem të gjejë ndonjë shenjë, ndonjë sinjal apo ndonjë formë paralajmërimi në Kuran në lidhje me pavarësinë e Kosovës, në lidhje me bombardimet e NATO-s dhe fitoren e shqiptarëve fill pas kësaj. Dhe, me sa duket e kam gjetur. Në rastin e Kosovës asgjë nuk është krejt normale, asgjë sikur gjithkund, përveç përpjekjes dhe vullnetit të hekurt të shqiptarëve për fitore.

Në rastin e Kosovës, as vizionarët më të mprehur të kohës nuk kanë mund të paramendojnë se një ditë bota do të bëhet tok që do tu del në krah shqiptarëve, në kohën, pra, kur Serbia dhe serbët e Millosheviqit kishin vendosur t’i qitnin shqiptarët në det.

Ishte ne planin e tyre t’i vrisnin shqiptarët e t’i zhduknin në mënyrën më poshtëruese të mundshme.
Gjithashtu, kurrkush nuk ka mund të parashikonte se një ditë aeroplanët ushtarak të botës demokratike perëndimore do të ngritën nga Aviano e Italisë e do ta sulmojnë Beogradin e shumë vende tjera të Serbisë. Bombat e vendeve perëndimore me shumicë të krishtera dërmojnë Serbinë e Millosheviqit në favor të Kosovës me popullsi shqiptare shumicë myslimane.

As optimistët më të mëdhenj në botë nuk kanë mund ta imagjinojnë një fitore kaq të madhe të Kosovës, pavarësinë e saj.

E unë personalisht mendoj se kjo nuk është krejt normale, është një mrekulli e vërtetë, e ngjashme me ato të profetëve të kaluar që i përmendin Librat e Shenjt. Raste të këtilla vështirë të ndodhin dy herë.

Thjeshtë, fitorja e Kosovës, pavarësia e saj dhe triumfi i shqiptarëve nuk janë dhe nuk mund të jenë fryt vetëm i përpjekjeve të një populli që shumë gjatë luftoi për liri, sado që ai popull të ketë vullnetin e fortë për fitore, sado që ai popull të ketë dhënë viktima.

Fitorja e Kosovës dhe pavarësia e saj, para së gjithash, është ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Zotit të Madhërishëm.

Është mrekulli e llojit të vetë.

Shumë duhet ta falënderojmë Zotin për këtë të mirë.

Duhet gjithsesi dhe përjetë t’u jemi mirënjohës vëllezërve dhe miqve tanë…!

The post Pavarësia e Kosovës është mrekulli e llojit të mrekullive që i përmendin librat e shenjtë! appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more