Skip to main content

“SHBA vendos sanksione të reja kundër Iranit” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“SHBA vendos sanksione të reja kundër Iranit” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


SHBA vendos sanksione të reja kundër Iranit

Posted: 18 Jul 2017 09:47 AM PDT

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja kundër 18 individëve dhe entiteve për shkak të mbështetjes së tyre për programin e raketave balistike të Iranit dhe aktiviteteve të tjera ushtarake. Sanksionet vijnë një ditë pasi Uashingtoni ka konfirmuar se Irani është duke vepruar në përputhje me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Me këtë marrëveshje me gjashtë fuqi botërore, Irani është pajtuar që të reduktojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. Departamenti amerikan i Thesarit tha të martën se sanksionet e reja godasin 18 entitete dhe individë për "angazhim në mbështetje të aktorëve të paligjshëm iranianë ose aktiviteteve kriminale transnacionale". "Të sanksionuarit kanë mbështetur ushtrinë e Iranit ose Gardën e tij Revolucionare duke zhvilluar pajisje ushtarake, duke prodhuar anije për sulme të shpejta dhe duke blerë komponentë elektronikë", tha Thesari amerikan. "Kjo administratë do të vazhdojë të godasë në mënyrë agresive aktivitetin malinj të Iranit, përfshirë mbështetjen e vazhdueshme të shtetit për terrorizmin, për programin e raketave balistike dhe për abuzimet me të drejtat e njeriut", tha sekretari i Thesarit, Steven T. Mnuchin. Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, tha se Irani është duke testuar dhe zhvilluar raketa balistike "në kundërshtim të drejtpërdrejtë" me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Franca - fuqia më e butë në botë

Posted: 18 Jul 2017 09:07 AM PDT

Franca ka kapërcyer Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë si fuqia më e butë në botë, thuhet në studimin e agjencisë së konsulencës politike, Portland Communications, me seli në Britani. Ky është një studim vjetor që tregon se sa ndikim global jo-ushtarak ka një vend i veçantë. Britania ka kryesuar listën dy vjet më parë, por është eliminuar nga vendi i parë nga SHBA-ja, vitin e kaluar. Megjithatë, thuhet në studim, zgjedhja e presidentit amerikan, Donald Trump, votimi për Brexit dhe zgjedhja e presidentit francez, Emmanuel Macron, duket se i kanë zhvendosur perceptimet globale. Fuqia e butë – term i shpikur nga akademiku amerikan, Joseph Nye – është aftësia e vendit për të rritur aleancat ndërkombëtare dhe për të formësuar preferencat e të tjerëve përmes joshjes dhe tërheqjes. Pesë vendet e para të indeksit të agjencisë Portland Communications i kanë: Franca, Britania, SHBA-ja, Gjermania dhe Kanadaja.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Arrestohet presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit

Posted: 18 Jul 2017 08:34 AM PDT

Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit dhe djali i tij janë arrestuar, në kuadër të disa hetimeve për korrupsion, bëri të ditur policia në Spanjë. Angel Maria Villar është arrestuar nën dyshimet për përvetësim të fondeve, raportuan agjencitë e lajmeve El Pais dhe Efe. Villar, ish-futbollist ndërkombëtar, është president i Federatës Spanjolle qysh në vitin 1988. Djali i tij Gorka është në mesin e disa njerëzve të tjerë të arrestuar gjatë basitsjeve, të martën. Gjykata e Lartë e Spanjës i tha agjencisë Reuters se prokurorët e saj anti-korrupsion janë duke i udhëhequr hetimet. Villar ka shërbyer si ushtrues i detyrës së presidentit të Federatës Evropiane të Futbollit, UEFA, derisa shefi i saj, Michel Platini, ka qenë nën hetime. Ai e ka humbur presidencën në zgjedhjet e vitit të kaluar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Arabia S. heton videon e një vajze me minifund

Posted: 18 Jul 2017 07:45 AM PDT

Autoritetet në Arabinë Saudite janë duke hetuar një vajzë të re, e cila ka shpërndarë në mediat sociale një video të vetes së saj të veshur me minifund dhe bluzë të shkurtër në publik. Vajza, një modele me emrin "Khulood", shihet duke ecur përreth një fortese historike në Ushayqir. Videoja ka ngjallur debat në mediat sociale. Disa kanë bërë thirrje për arrestimin e vajzës, për shkak të thyerjs së kodit strikt të veshjes, ndërsa të tjerët kanë lavdëruar "trimërinë" e saj. Gratë në Arabinë Suadite duhet të mbulojnë gjithë trupin, përfshirë edhe kokën. Policia fetare, e njohur si Komiteti për Nxitjen e Virtytit dhe Parandalimin e Vesit, tha se është në dijeni për videon e vajzës me minifund dhe se është në kontakt me autoritetet përkatëse.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vuçiq: Nivel i lartë i pajtimit me nënpresidentin Pence

Posted: 18 Jul 2017 07:31 AM PDT

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në takimin me nënpresidentin amerikan, Mike Pence, të hënën në Uashington, është arritur nivel i lartë i pajtimit për çështje të rëndësishme. Vuçiq tha se me zyrtarin e lartë amerikan ka biseduar për çështje dypalëshe dhe rajonale. Mes tjerash, ai tha se ka folur për ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë nga perspektiva e Serbisë, si dhe për marrëdhëniet me Rusinë. "Mendoj se jemi kuptuar mirë. Kam thënë se Serbia ndodhet në rrugën evropiane dhe se Amerika e mbështet atë rrugë. Serbia ka marrëdhënie miqësore edhe me Federatën Ruse, por edhe me shtetet tjera", tha Vuçiq, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë. Vuçiq tha se nuk dëshiron të hyjë në detaje të bisedës për Krimenë dhe Kosovën, sepse, siç tha, dikush mund të nxjerrë përfundime të gabuara.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Hoxhaj: Qeverinë e formojnë PDK, AAK, Nisma me disa deputetë

Posted: 18 Jul 2017 06:52 AM PDT

 "Ne si PDK mendojmë që koalicioni i ardhshëm qeverisës duhet të përbëhet prej PDK-së, AAK-së, Nismës dhe eventualisht ndonjë deputeti i cili do të duhej ta mbështeste formimin e institucioneve së bashku me minoritetet", ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ministri në largim i punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Ai e përjashton mundësinë e krizës rreth formimit të Qeverisë së re, ndërkaq pret që me krijimin e institucioneve Kosova të hyjë në vendimmarrje të rëndësishme, nisur nga demarkacioni me Malin e Zi deri te përmbyllja e dialogut me Serbinë. Radio Evropa e Lirë: Zoti Hoxhaj, aktualisht po punohet në konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës. Ku qëndron koalicioni PAN me negociata rreth formimit të Qeverisë së re? Enver Hoxhaj: Ne si Parti Demokratike e Kosovës, së bashku me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën, kemi mandatuar zotin Kadri Veseli si lider i koalicionit dhe zotin Ramush Haradinaj si mandatar, që të bisedojnë me të gjitha subjektet politike dhe me deputetë të caktuar dhe sipas informatave që i kemi si Kryesi e PDK-së, koalicioni ynë i ka numrat e domosdoshëm për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për ta formuar Qeverinë. Se kur do të ndodhë, kjo ka të bëj jo vetëm me agjendën politike, por edhe me çështje administrative të cilat duhet t'i kryej Sekretaria e Kuvendit. Radio Evropa e Lirë: Në vazhdimësi, nga i kandiduari i PAN-it, z.Haradinaj, thuhet se janë krijuar numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë, por nuk është prezantuar ende asnjë koalicion i ri që do të garantonte shumicën parlamentare. Parashihni ju vështirësi dhe krizë eventuale rreth formimit të Qeverisë së re? Enver Hoxhaj: Ne jemi më se të sigurt që vendi nuk do ta ketë një krizë e cila e ka përcjellë Kosovën në vitin 2014. Në fushatën zgjedhore, por edhe gjatë vitit 2017, qëndrimi ynë si PDK ka qenë që vendi ka nevojë për stabilitet politik, por edhe vendimmarrje dhe dinamizëm. Kështu që më së paku duhet të ketë arsye që vendi të rrëshqas drejt një krize politike, meqë shumica parlamentare e domosdoshme do të jetë në Kuvendin e Kosovës, dhe unë besoj që në një të ardhme të afërt do të ketë zhvillime të cilat do ta përmbyllin procesin e formimit të institucioneve të reja. Radio Evropa e Lirë: A keni vënë kontakte me LDK-në dhe partitë në koalicionin LAA dhe a shihni ndonjë mundësi të përafrimit me këto parti politike? Enver Hoxhaj: Ne si PDK mendojmë që koalicioni i ardhshëm qeverisës duhet të përbëhet prej PDK-së, AAK-së, Nismës dhe eventualisht ndonjë deputeti i cili do të duhej ta mbështeste formimin e institucioneve së bashku me minoritetet, të cilat jo vetëm në kuptimin e mbështetjes parlamentare, por edhe për shkak të sistemit tonë politik dhe kushtetues duhet të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme të Kosovës. Ne mendojmë që ky është numri i domosdoshëm. Mirëpo, në pikëpamjen tonë jemi të mendimit që Kosova ka nevojë që disa prej temave të karakterit konsensual në të ardhmen të mbështeten edhe nga LDK-ja dhe Vetëvendosja. Konkretisht mendoj në përmbylljen e procesit të Demarkacionit të kufirit dhe liberalizimin e vizave, reformën zgjedhore, Asociacionin e komunave serbe, sikurse edhe formimin e Ushtrisë së Kosovës. Përtej asaj se kush do të jetë në Qeveri dhe është e qartë që z.Haradinaj do të jetë kryeministër, kurse PDK-ja do të jetë motori i kësaj Qeverie, jemi të mendimit që Qeveria dhe opozita e ardhshme duhet të gjejnë forcë, vullnet politik dhe të kenë vizion politik për temat e karakterit konsensual dhe këtu z.Haradinaj dhe z.Veseli e kanë mbështetjen tonë që të ulen dhe të bisedojnë me të gjitha subjektet politike, edhe me LDK-në. Radio Evropa e Lirë: Në rast se Haradinaj nuk e siguron një shumicë të nevojshme parlamentare për formimin e Qeverisë në përpjekjen e parë, do të jetë PDK-ja ajo që do ta mbështeste edhe në tentativën e dytë atë? Enver Hoxhaj: Qëndrimi ynë është i qartë dhe pozicioni ynë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë asnjëherë. Ne mendojmë se vendi ka nevojë për dinamikë të re, vendi ka nevojë për vendimmarrje e cila i adreson disa prej zhvillimeve të cilat kanë mbetur të pa adresuara në këto kohë të fundit dhe zoti Haradinaj e ka profilin, e ka mbështetjen politike dhe jemi shumë të sigurt se në herën e parë do të krijohen institucionet. Ndërsa se kush dhe si mund të krijohen situata të karakterit imagjinar, më shumë i takon Presidentit i cili edhe interpreton dhe zbaton Kushtetutën sesa një subjekti politik si PDK-ja.  Dialogu Radio Evropa e Lirë: Z.Hoxhaj, nëse mund të kalojmë edhe në çështje tjera që kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe raportet ndërfqinjësore. Së fundit, Presidentët e Kosovës dhe Serbisë u dakorduan për kalimin në një fazë të re të dialogut. Çfarë do të sjellë kjo fazë sipas vlerësimeve tuaja? Enver Hoxhaj: Në pikëpamjen tonë si Parti Demokratike e Kosovës, por edhe si ministër i Jashtëm, dialogu duhet të jetë pikërisht një temë e cila e ka mbështetjen dhe pajtimin e të gjitha subjekteve politike. Dialogu ka qenë ai i cili e ka ndarë politikën dhe shoqërinë kosovare në 5 apo 6 vitet e fundit dhe është parë që nga temat e politikës së jashtme, siç është dialogu me Serbinë, janë prodhuar kriza të brendshme të cilat realisht kanë pasur ndikim direkt si në stabilitetin e brendshëm po ashtu në performancën tonë të jashtme. Në ketë drejtim, ne mendojmë që dialogu duhet të kalojë në një fazë të dytë dhe përfundimtare që të përmbyllet komunikimi ynë diplomatik me Serbinë me njohje të ndërsjella dhe me vendosje të marrëdhënieve diplomatike, dhe me një proces të pajtimit në mes të shoqërisë kosovare dhe asaj serbe. Dialogu duhet të jetë një temë ku duhet të kemi konsensus politik, ku Qeveria, Presidenti, opozita duhet të merren vesh rreth qëllimeve , rreth pritjeve, rreth objektivave dhe rreth parametrave dhe vijave të kuqe që duhet t'i ketë dialogu me Serbinë. Unë kam avokuar një kohë të gjatë që dialogu duhet të kufizohet në kohë dhe duhet të kufizohet në përmbajtje. Dhe, ajo se çka ka bërë presidenti Thaçi është, dhe mendoj se është në interes të Kosovës, dhe ne nuk kemi nevojë që të jemi në një dialog për normalizim me Serbinë në pafundësi, po duhet të limitohet.  Radio Evropa e Lirë: A e shihni të mundur ndryshimin e pozicionit të Serbisë karshi pavarësisë së Kosovës dhe a prisni që Parlamenti serb, ndër hapat e parë në këtë drejtim, ta ndryshojë preambulën e Kushtetutës, ku Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë? Enver Hoxhaj: Mendoj se duhet ta kemi një mendim strategjik të plotë se cilat janë qëllimet të cilat Kosova mund t'i përmbushë në dialog. Cilat janë qëllimet e matshme dhe të mundshme, dhe nuk ka të bëj vetëm me një listë të dëshirave se si e sheh Kosova këtë proces, meqë Kosova është një akter në një dialog të tillë e Serbia është një akter tjetër. Por, rolin vendimtar e kanë faktorët ndërkombëtarë, qoftë partnerët tanë amerikanë e evropianë, por edhe fuqitë e tjera rajonale. Hapi i parë mund të jetë pikërisht largimi i përmendjes së Kosovë së në preambulën e Kushtetutës së Serbisë. Një hap tjetër i dytë duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në OKB, që do t'i mundësonte shtetit më të ri në Evropë që të jetë pjesë e sistemit ndërkombëtar. Një hap i tretë mund të jetë njohja e ndërsjellë dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike, sikurse edhe një dialog shoqëror i ndërtuar në një agjendë pajtimi në mes të Kosovës dhe Serbisë, për shkak të përpjekjeve për gjenocid dhe krimeve dhe politikës së spastrimit etnik që ka ndjekur Serbia në raport me Kosovën. Do të thotë, Kosova duhet të hyjë në një dialog të tillë me një agjendë të qartë dhe ma merr mendja që Presidenti i vendit, Kryeministri i ardhshëm, por edhe liderët e opozitës edhe të gjitha subjektet parlamentare duhet ta përmbyllin këtë proces në interes të Kosovës. Për më shumë, dialogun me Serbinë e shoh edhe si pjesë të fazës se fundit të përmbylljes së shtetndërtimit dhe të kompletimit të sovranitetit. Dhe natyrisht që me kompletim të sovranitetit kanë të bëjnë edhe temat e tjera sikurse shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi, apo fakti që Kosova nuk ka ende ushtri dhe duhet të ketë ushtri, që është parakusht për t'u integruar në NATO. Radio Evropa e Lirë: Përmendet anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë. Së fundmi po flitet edhe për atë se a do të anëtarësohet Kosova në INTERPOL. Si mendoni ju, a do të ketë vështirësi që Kosova të bëhet pjesë e këtij mekanizmi? Enver Hoxhaj: Unë çka mund të them është kjo, se cila do të jetë qasja e Qeverisë së ardhshme në raport me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, apo në INTERPOL, është vendim që i takon Qeverisë së ardhshme. Por, si ministër i Jashtëm i cili ende ushtron ketë post, mund të them se Kosova i ka votat që të jetë pjesë edhe e UNESCO-s edhe INTERPOL-it. Në këta muajt e fundit, në vitin 2017, por edhe në vitin e kaluar, unë kam pasur një agjendë intensive te lobimit, kam vizituar vendet e Afrikës, të Azisë Juglindore, të Amerikës Latine dhe kam qëndruar në shumë vende evropiane dhe natyrisht që sigurimi i votave për UNESCO dhe INTERPOL ka qenë prioritet mbi prioritet. Po përtej votës, Kosova ka nevojë që t'i kryejë edhe disa tema dhe çështje të brendshme, për t'u bërë pjesë e këtyre dy organizatave. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shiu i furishëm në Stamboll shkakton vërshime

Posted: 18 Jul 2017 06:47 AM PDT

Shiu i dendur që ka rënë në Stamboll të Turqisë, më 18 korrik ka shkaktuar vërshime. Shiu filloi pas mesnate dhe ka shkaktuar përmbytjen e rrugëve në qytet. (Video: AFP/Reuters)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Maqedonia, e vendosur për zgjidhjen e kontesteve me Bullgarinë e Greqinë

Posted: 18 Jul 2017 05:52 AM PDT

Zgjidhja e kontesteve me shtetet fqinje, para se gjithash me Greqinë dhe Bullgarinë, mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev. Kjo Qeveri po vlerëson se vetëm përmes ndërtimit fqinjësisë së mirë dhe përmbushjes së kritereve evropiane do të mund të përshpejtohet me procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Në këtë kuadër të martën para Komisionit parlamentare për politikë të jashtme është hapur çështja e draft-marrëveshjes me Bullgarinë, por mbledhja është mbajtur me dyer të mbyllura, ndërsa debati është kërkuar nga VMRO-ja opozitare e cila kërkon nga Qeveria transparencë për të gjitha çështjet me interes shtetëror. "Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme, pasi prekë interesat nacionale të Maqedonisë. Vlerësojmë se është mirë që marrëveshja të arrihet, por me kusht që të mos i dëmtojë interesat kombëtare dhe shtetërore të Maqedonisë", ka deklaruar Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE-së. "Kryeministri Zoran Zaev dhe shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov gjithmonë kanë thënë se vendimet e rëndësishme do të miratohet në Kuvend me përfshirjen e të gjitha palëve. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se sa e gjithë procedura të jetë e hapur dhe transparente", ka thënë Milloshoski. Detaje nga marrëveshja për fqinjësi të mirë që pritet të nënshkruhet në fillim të muajit të ardhshëm nuk dihen, përveç faktit se ajo do të nënshkruhet në maqedonisht dhe bullgarisht, që flet për njohjen e gjuhës maqedonase nga Bullgaria fqinje. Kryeministri Zoran Zaev në një mbledhje tjetër të Komisionit për çështje evropiane kishte deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve me shtetet fqinje është pjesë kryesore e planit qeveritar të quajtur "3-6-9" (plani çdo tre muaj). "Plani është udhërrëfyes me qëllime të qarta të cilat duhet t'i realizojmë në rrugën tonë drejt integrimit euroatlantik. Ky plan dhe realizimi i tij do të vërtetojnë se Maqedonia megjithatë do të jetë një shtet i respektuar". "Ne kemi mbështetjen e miqve strategjikë dhe të sinqertë të Bashkimit Evropian që i dërguan edhe nga samiti i shteteve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt të Trieste. Miqtë tanë vlerësojnë se Maqedonia është në rrugë të vërtetë dhe kërkojnë që ne të jemi unik dhe në funksion të përmbushjes së interesit të përbashkët", ka thënë kryeministri Zaev. Maqedonia dhe Bullgaria kanë probleme të hapura për gjuhën, kulturën dhe prejardhjen e shumë personaliteteve nga e kaluara historike. Dy vendet pretendojnë se Goce Dellçev dhe shumë heronj të tjerë u përkasin dy shteteve. Përveç me Bullgarinë, përpjekje nga Qeveria edhe për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë. Pas takimeve që pati para dy javësh në Shkup, ndërmjetësi i OKB-së, Mejtu Nimic, të hënën, në Bruksel ka takuar shefin e diplomacisë greke, Nikos Kocijas i cili siç transmetojnë mediat, i ka thënë ndërmjetësit Nimic se komunikimi me Qeverinë e re në Shkup është shumë më i frytshëm se ai me Qeverinë e mëparshme. Shefi i diplomacisë greke ka thënë se një frymë të tillë e pret edhe gjatë vizitës së tij në Shkup më 31 gusht. Njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se komunikimi mes dy vendeve shihet si sinjal i mirë për mbylljen e kontestit mbi 20 vjeçar, por se për marrëveshja, megjithatë ende është herët të flitet. "Takimet në Shkup shënuan fillimin e vendosjes së komunikimit, ndërsa takimin mes Kocijas dhe Nimic në Bruksel e shoh si vazhdimësi dhe forcim të dialogut. Por, mendoj se kjo nuk do të sjell ndonjë rezultat konkret, pasi për këtë nevojitet ende kohë, konsultime dhe negociata deri në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për ndërtimin e fqinjësisë së mirë", thotë ish-diplomati Bllagoj Zashov. Nga zgjidhja në veçanti e kontestit me Greqinë për çështjen e emrit, varet edhe integrimi euroatlantik i Maqedonisë, Greqia për më shumë se dhjetë vjet bllokon marrjen e datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim mes Maqedonisë dhe BE-së si dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

BE optimiste rreth raporteve Maqedoni-Bullgari

Posted: 18 Jul 2017 05:51 AM PDT

Shefja për politikë të jashtme e BE-së, Federica Mogherini ka thënë se shpreson që Maqedonia dhe Bullgaria të arrijnë një marrëveshje për kontestet mes këtyre dy vendeve. Ndërkaq, ministri i Jashtëm maqedon, Nikola Dimitrov në Bruksel ka thënë se shpreson që vendi i tij do të arrijë një zgjidhje lidhur me çështjen e emrit me Greqinë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Lufta me zjarret në Kroaci

Posted: 18 Jul 2017 05:45 AM PDT

Zjarrfikësit, pas një dite të plotë, arritën të vënë nën kontroll një zjarr të madh pranë Splitit, qytetit të dytë më të madh të Kroacisë. Zjarri ka dëmtuar fshatra dhe ka arritur periferitë e Splitit, të hënën vonë, duke lënë disa pjesë të qytetit pa ujë dhe rrymë. (Video: Reuters)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Çad: Edukim përmes radios, në mungesë të shkollës

Posted: 18 Jul 2017 05:27 AM PDT

Qindra mijëra fëmijë afër lumit të Çadit, janë duke ndjekur mësimet e tyre përmes radios, pasi grupi xhihadist Boko Haram u ka mohuar të drejtën e shkollimit, ka bërë të ditur UNICEF. Në programin e radios përfshihen mësime për letërsi dhe matematikë dhe si të mbrohen fëmijët nga dhuna. Rreth 200,000 persona janë detyruar të shpërngulen nga rajoni jugor Difa në Niger. "Fëmijët janë jashtëzakonisht të mërzitur në kampe", ka thënë zëdhënësi i UNICEF-it, Patrick Rose. "Me këtë program edukativ të radios, fëmijët do të mësojnë gjëra të reja në mënyrë të strukturuar, i cili i mban në ritëm, që kur të kthehen në shkollë të mos jenë shumë mbrapa", ka thënë Rose, transmeton Reuters. Boko Haram, ka vararë më shumë se 600 mësuesë dhe ka detyruar më shumë se 1,200 shkolla të mbyllen në Nigeri, Niger dhe Çad, sipas OKB-së. Para tri vitesh, rrëmbimi i më shumë se 200 vajzave nga grupi xhihadist në Çibok të Nigerisë, fitoi vëmendje ndërkombëtare duke nisur fushata të ndryshme për kthimin e tyre. Përveç transmetimeve në radio, mësuesit në këtë rajon janë duke u trajtuar nga UNICEF-i, që të përgjigjen ndaj kërcënimeve të sigurisë dhe të mbrojnë fëmijët nga xhihadistët e grupit Boko Haram. Boko Haram ka vrarë më shumë se 20,000 persona dhe më shumë se 2.7 milionë persona të tjerë janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre nga viti 2009. Boko Haram i ka bërë këto lëvizje gjatë përpjekjeve për të krijuar një Shtet Islamik.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Nigeri: Malala Yousafzai bën thirrje për përmirësim të sistemit arsimor

Posted: 18 Jul 2017 04:27 AM PDT

Laureatja e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, i ka bërë thirrje Nigerisë të përmirësojë sistemin e arsimit, pasi ka vizituar disa nga vajzat e një shkolle në Çibok. Yousafzai, 20 vjeçare, është aktiviste për promovimin e arsimimit të vajzave në botë. Ajo fitoi vëmendje ndërkombëtare pasi u qëllua me armë zjarri në kokë nga një taliban, në vitin 2012. Yousafzai ka thënë se qeveria e Nigerisë duhet të shpallë "gjendje të jashtëzakonshme rreth edukimit në Nigeri", pasi gjysma e fëmijëve nuk e nisin shkollimin fillor. Sipas të dhënave të OKB-së, Nigeria ka 10.5 milionë fëmijë jashtë sistemit të shkollimit, numri më i lartë në botë, në mesin e tyre, 60 për qind janë vajza. Malala ka fituar Çmimin Nobel për Paqe, në vitin 2014.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

HRW dënon Rusinë për cenim të lirisë së shprehjes

Posted: 18 Jul 2017 03:48 AM PDT

Organizata Human Rights Watch ka thënë se Rusia ka futur kufizime të dukshme në fjalimet online dhe ka ndërhyrë gjatë aktiviteteve në internet. Në një raport të publikuar sot nga organizata me bazë në Nju Jork, thuhet se qeveria ruse po synon që përdorimin e internetit ta bëjë më të kontrollueshëm nga shteti. Raporti tregon se që nga viti 2012, autoritetet ruse kanë paditur dhjetëra persona për vepra penale, duke përdorur si material postimet në rrjete sociale, video online, artikuj dhe intervista të ndryshme. Po ashtu thuhet se autoritetet kanë ndaluar apo bllokuar qasjen në qindra uebsajte. Në vitet e fundit Rusia ka prezantuar një varg të ligjeve represive me anë të të cilave qeveria ka cenzuruar  informacione që janë konsideruar "ekstremiste" përballë " vlerave tradicionale". HRW i ka bërë thirrje Moskës të shfuqizojë atë që e ka quajtur legjislacion represiv, si dhe të ndalojë ndjekjen e kritikëve me arsyetim të luftimit të ekstremizmit. Rusisë po ashtu i është bërë thirrje për kryerjen e obligimit ndërkombëtar, sigurimin e lirisë së shprehjes, Human Right Watch ka intervistuar qindra avokatë, gazetarë, aktivsistë, blogerë dhe familjet e tyre. Organizata ka analizuar rregulloret për përmbajtjet në Internet dhe për liri të shprehjes, së bashku me dokumentet gjyqësore dhe materiale të tjera të rëndësishme rreth këtyre rasteve.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Dështojnë përpjekjet e republikanëve për të zëvendësuar Obamacare

Posted: 18 Jul 2017 03:15 AM PDT

Përpjekjet e republikanëve në Shtetet e Bashkuara, për të gjetur një zëvendësim për sistemin shëndetësor të ish-presidentit Barack Obama, kanë dështuar. Dy senatorë republikanë, Mike Lee dhe Jerry Moran, kanë kundërshtuar alternativën e propozuar të partisë së tyre, duke e bërë të pamundur kalimin e projektligjit në Senat, në formën e tanishme. "Me keqardhje, por tani është e qartë se përpjekja për të shfuqizuar dhe zëvendësuar menjëherë sistemin shëndetësor Obamacare, nuk do të jetë e suksesshme", tha lideri i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell. Të moderuarit e Partisë Republikane janë të shqetësuar për humbjen e votuesve që e pëlqejnë ligjin ekzistues. Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka pasur zëvendësimin e Obamacare premtim kyç në fushatë, edhe pse sistemi në fjalë ka zgjeruar sigurimin shëndetësor për miliona amerikanë. Obamacare ka përdorur të ardhurat e familjes, koston lokale të sigurimit shëndetësor dhe moshën për të përcaktuar ndihmën financiare. Alternativa e propozuar e republikanëve përdor për bazë tatimet, që nisin të hiqen nga individët që fitojnë më shumë se 75 mijë dollarë në vit. Me dy vota kundër, republiknaët që kanë 52 ulëse në Senatin 100-anëtarësh, e kanë të pamundur të kalojnë ligje.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Po respektohet marrëveshja bërthamore, Irani konfuz

Posted: 18 Jul 2017 02:15 AM PDT

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka siguruar se Irani është duke vepruar në përputhje me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe do të vazhdojë lehtësimin e sanksioneve për këtë pakt, mirëpo do të vazhdojë të sanksionojë Iranin për raketat balistike. Kjo është hera e dytë që kjo administratë, prej kur presidenti Trump ka nisur udhëheqjen e SHBA-së, vërtetoi se marrëveshja është duke u respektuar. Me marrëveshjen e vitit 2015, midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, Republika Islamike duhet të reduktojë aktivitetin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. Presidenti Trump pati premtuar gjatë fushatës presidenciale se do të prishte atë që ai e konsideronte, "marrëveshjen më të keqe të bërë ndonjëherë". Ndonëse është vërtetuar se Teherani është duke respektuar marrëveshjen që ka me SHBA-në dhe pesë fuqi të tjera botërore si Kina, Rusia, Franca, Britania dhe Gjermania, administrata e Trumpit ka vazhduar ta kritikojë Iranin. Ajo e ka kritikuar Teheranin për shkelje "të shpirtit" të marrëveshjes, pasi Irani po vazhdon avancimin e programit të raketave balistike dhe anijeve të shpejta, çështje që mund të ndëshkohen me sanksione të reja. "Irani vazhdon të jetë njëri nga kërcënimet më të rrezikshme për interesat e SHBA-së dhe stabilitetit rajonal", ka thënë një zyrtar i lartë i SHBA-së në kushte anonimiteti. Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, ka thënë se Irani është konfuz me deklaratat e fundit të SHBA-së, prej kur Trump e udhëheq shtetin. "Jemi duke pranuar sinjale kontradiktore dhe nuk e dimë se si t'i interpretojmë ato", ka thënë ministri Zarif në Këshillin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Nju Jork, disa orë pas njoftimit të SHBA-së, se Irani po e respekton marrëveshjen. SHBA-ja mund të jetë ambivalente, mirëpo "Irani është serioz ndaj marrëveshjes bërthamore", ka thënë Zarif, duke shtuar se do të punojnë, në mënyrë që të hiqen sanksionet ndaj Iranit. Zarif ka thënë se ende nuk ka biseduar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, i cili është duke e bërë një rishikim të politikës amerikane ndaj Iranit. Ai ka thënë se është i gatshëm të bisedojë me Sekretarin Tillerson. "Nuk kam komunikuar ende me Sekretarin Tillerson", ka thënë ai. "Kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë komunikim, mundësitë për bashkëpunim janë gjithmonë të hapura", ka shtuar tutje Zarif. Zarif ka thënë po ashtu se gjatë negociatave për marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, ai dhe ish-sekretari i SHBA-së, John Kerry, "ndoshta" kanë shpenzuar kohë me njëri-tjetrin "më shumë se me çdokënd tjetër". Përfaqësuesit e gjashtë fuqive bërthamore, Kina, Rusia, Franca, Britania dhe Shtetet e Bashkuara, plus Gjermania do të takohen në Vjenë, më 21 korrik për të analizuar marrëveshjen, që kanë me Iranin. Zarif ka thënë se aty mund të diskutohet edhe qëndrimi i Iranit se SHBA-ja nuk e ka respektuar pjesën e saj të marrëveshjes, pasi nuk i ka hequr të gjitha sanksionet ndaj Iranit. Mirëpo, marrëveshja nuk kërkon nga SHBA-ja të heq sanksionet që nuk janë të lidhura me aktivitetet bërthamore të Iranit. Zarif ka thënë se sanksionet e Trumpit ndaj Iranit, krijojnë përshtypjen në Iran, se armiqësia e SHBA-së ndaj Iranit, nuk do të përfundojë kurrë. Shtetet e Bashkuara thonë se kanë sanksionuar Iranin për shkak të testimit të raketave balistike, të cilat kanë kapacitet të bartin koka bërthamore dhe të arrijnë në Izrael. Irani i mohon këto deklarata. Zarif ka thënë se raketat e Iranit janë krijuar me qëllim të mbrojtjes së vendit, duke krahasuar në mënyrë sarkastike armët e krijuara nga Irani, me armët që SHBA-ja po furnizon rivalët kryesorë të Iranit, në Lindje të Mesme dhe Arabi Saudite, në vlerë 110 miliardë dollarë. Zarif ka thënë se Iranit i duhen raketat, për t'u siguruar që të mos ketë afër vetes një tjetër Saddam Hussein, i cili mund ta sulmojë vendin. Përgatiti: Krenare Cubolli

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Iran: Ushtari vret tre shokë, më pas edhe veten

Posted: 18 Jul 2017 01:09 AM PDT

Mediat iraniane kanë raportuar se një ushtar ka nisur zjarr afër shokëve të tij, duke i lënë të vdekur tre prej tyre, derisa ka lënduar edhe gjashtë të tjerë para se të kryente vetëvrasje. Sipas agjencisë së lajmeve, Mehr dhe televizionit iranian, incidenti ka ndodhur derisa ushtarët ishin duke pushuar në një bazë ushtarake në Abyek, në veri të Teheranit. Sulmi ka ndodhur pasi zyrtarët e lartë e kanë kundërshtuar kërkesën e sulmuesit për t'u transferuar në vendin e tij, është thënë sipas raportimeve. Asnjëri nga ushtarët nuk është identifikuar. Në shtator, një ushtar e ka vrarë veten pasi ka i ka vrarë tre shokët e vet. Shërbimi ushtarak  24 mujor është i detyrueshëm për djemtë dhe vajzat nga mosha 19 vjeçare në Iran.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Krijimi i tregut të përbashkët – Si t’i iket modelit të një “Jugosllavie” të re

Posted: 18 Jul 2017 12:29 AM PDT

Krijimi i një tregu të përbashkët në Ballkanin Perëndimor duhet të mirëpritet, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit. Por, sipas tyre, ky treg dhe hapësirat e përbashkëta ekonomike në rajon duhet të evitojnë çfarëdo mundësie që do të nënkuptonin kthimin në modelin e ish-Jugosllavisë. Sipas tyre, tregjet e vendeve të rajonit janë të vogla dhe në këtë mënyrë nuk mund të jenë atraktive për investitorët ndërkombëtarë, andaj zgjerimi i tregut, vlerësohet në dobi të gjitha vendeve në këtë pjesë të Evropës. Javën e kaluar, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të Bashkimit Evropian, kanë diskutuar çështjen e tregut të përbashkët dhe kanë nënshkruar në Trieste të Italisë, Traktatin e Komunitetit të Transportit. Bashkimi Evropian thotë se qëllimi i këtyre samiteve ballkanike është forcimi i bashkëpunimit rajonal në mënyrë që të përshpejtohet integrimi i këtyre vendeve në BE. Drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka tha për Radion Evropa e Lirë se pas marrëveshjeve të arritura, Qeveria e Kosovës duhet të tregohet më e angazhuar, sa u përket grupeve punuese në nivel teknik. Ai thotë se duhet të mundësohet eliminimi i të gjitha barrierave më të cilat janë përballur prodhuesit edhe bizneset nga Kosova gjatë përpjekjeve të tyre për të eksportuar në vendet anëtare të Marrëveshjes për Tregti të Lirë me vendet e Evropës Qendrore, e njohur me shkurtesën CEFTA.  "Duke eliminuar disa nga barrierat përfshirë edhe kufijtë shtetëror të cilët shpeshherë kanë sjell në vete probleme të ndryshme të natyrave politike, mund t'i bëjë shtetet e Ballkanit Perëndimor të duken si një hapësirë e përbashkët ekonomike dhe rrjedhimisht të nxisin investimet e huaja direkt nëpër këto shtete", thotë Zeka. Ndërkaq, kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Fadil Hoxha tha për Radion Evropa e Lirë, se krijimi i tregut të përbashkët në Ballkanin Perëndimor do të jetë funksional, nëse në këtë kuadër nuk ndërhyn politika.  "Megjithatë, nëse Serbia pretendon të ketë primatin e Ballkanit Perëndimor, nëse është çështje politike, kjo nuk do të paraqiste interes për ne". "Nëse nuk dominon Serbia apo e ashtuquajtura, 'Jugosllavi' e e re, konsideroj se ky projekt do të jetë i mirëseardhur për të gjitha bizneset e Kosovës", shprehet Hoxha.  Por, Hoxha shprehet skeptik se tregu i përbashkët, për të cilin po insistohet, do të mund të funksionojë pa lëvizjen e lirë. Qytetarët dhe bizneset nga Kosova në këtë rast, kanë shumë barriera kur është në pyetje lëvizja e lirë, marrë parasysh edhe mungesën e liberalizimit të vizave.  Edhe vetë zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës tashmë kanë shprehur mjaft rezerva dhe kundërshtime lidhur me idenë e një union ekonomik rajonal të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se Prishtina ka argumentuar se kjo nuk mund të bëhet, për arsye se do ta kthenin një përbërje të mëhershme që ka qenë në këtë pjesë të Ballkanit. Në rrethanat tjera, Arian Zeka thotë se asnjë traktat nuk do të ketë vlerën e tij, nëse të gjitha shtetet nuk u nënshtrohen rregullave të njëjta të lojës. "Realisht, nëse Kosova nuk arrin që të eliminojë barrierat politike më të cilat shpeshherë përballen prodhuesit kosovarë, atëherë kurrfarë ideje e krijimit të hapësirave integruese ekonomike, qofshin ato tregjet e përbashkëta ose traktate të natyrave më specifike, siç është Traktati mbi Transportin ai mbi Energjinë, nuk mund të funksionojnë, po që se një shtet do të trajtohet në mënyrë më inferiore karshi shteteve të tjetra", thotë Zeka.  Ideja për krijimin e një tregu të përbashkët është propozuar nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, në një takim më liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor që është mbajtur në muajin mars në Sarajevë, që është pjesë e procesit të Berlinit.  Ky treg, sipas tyre, do të zbuste edhe papunësinë e lartë në rajon, ku fillimisht do të hapeshin rreth 80 mijë vende të reja pune.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ryabkov: Rusia afër kthimit të komplekseve diplomatike në SHBA

Posted: 18 Jul 2017 12:16 AM PDT

Një zyrtar i lartë rus e ka lënë të hapur mundësinë që Moska dhe Uashingtoni të kenë arritur një marrëveshje e cila do të kthente qasjen e rusëve në dy komplekset e tyre diplomatike në SHBA. Këto komplekse ishin konfiskuar në dhjetorin e vitit të kaluar me vendimin e presidentit të atëhershëm, Barack Obama. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka dhënë një përgjigje të shkurtër pas interesimit të mediave për të kuptuar nëse është arritur një marrëveshje. Sipas CNN, kur Ryabkov është pyetur: "A i keni kthyer komplekset diplomatike?", ai është përgjigjur, "pothuajse, pothuajse". Asnjëra nga palët nuk ka dalë me ndonjë deklaratë pas takimit që është mbajtur në Departamentin e Shtetit në SHBA. Është raportuar që takimi të ketë zgjatur më shumë së dy orë e gjysmë. Obama pati urdhëruar konfiskimin e komplekseve diplomatike ruse në Mariland dhe Nju Jork, dhe dëbimin e 35 diplomatëve rusë, si përgjigje të asaj që Obama pati deklaruar, se ata kanë qenë spiunë që janë përpjekur të ndikojnë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016. Presidenti rus, Vladimir Putin i ka befasuar të dyja vendet duke mos marrë masa të hakmarrjes. Zyrtarët rusë kanë shtuar thirrjet para mbajtjes së këtij takimi për kthimin e komplekseve diplomatike pa kushte, pasi Moskës po i kalon durimi.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mali i Zi kërkon ndihmë ndërkomëbtare për luftimin e zjarrit

Posted: 17 Jul 2017 11:42 PM PDT

Mali i Zi ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare për të luftuar flakët në zonat afër detit Adriatik, nga të cilat janë detyruar të evakuohen shumë turistë. Zjarri ka nisur si shkak i erërave të forta dhe motit të thatë. "Situata në Llushticë është kritike. Ministria e punëve të Brendshme në Malin e Zi ka kërkuar të aktivizohet Mekanizimi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian", ka thënë qeveria përmes një deklarate. Udhëheqësit e qyteteve bregetare të Kotorrit, Tivatit dhe Herceg Novit i kanë bërë thirrje qeverisë të kërkojë ndihmë nga shtetet fqinje, Kroacia, Bosnja dhe Serbia. Të paktën 100 turistë janë detyruar të largohen nga një zonë bregdetare, e cila ka qenë më e prekuara nga flakët. Si shkak i erërave të forta dhe kohës së thatë, zjarri në Llushticë, në jug të Malit të Zi është zgjeruar afër shtëpive dhe zonave të kampit. "Ne nuk kemi kapacitete të mjaftueshme ta lokalizojmë zjarrin", ka thënë Stevan Katiq, udhëheqës i qytetit, Herceg Novi. Shërbimet e emergjencës kanë thënë se erërat e forta janë duke penguar zjarrëfikësit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Irani po respekton marrëveshjen bërthamore

Posted: 17 Jul 2017 11:09 PM PDT

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka siguruar se Irani është duke vepruar në përputhje me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe do të vazhdojë lehtësimin e sanksioneve për këtë pakt, mirëpo do të vazhdojë të sanksionojë Iranin për raketat balistike. Kjo është hera e dytë që kjo administratë, prej kur presidenti Trump nisi udhëheqjen e SHBA-së, vërtetoi se marrëveshja është duke u respektuar. Presidenti Trump pati premtuar gjatë fushtatës së tij presidenciale se do të prishte atë që ai e konsideronte, "marrëveshjen më të keqe të bërë ndonjëherë". Sidoqoftë, administrata Trump e ka kritikuar Teheranin për shkelje " të shpirtit" të marrëveshjes, pasi Irani po vazhdon avancimin e programit të raketave balistike dhe anijeve të shpejta, çështje që mund të ndëshkohen me sanksione të reja. Administrata e Trumpit ka përmendur edhe shqetësimin që vjen rreth abuzimit të të drejtave të njeriut në Iran dhe mbështetjen e terrorizmit kundër Izraelit. "Irani vazhdon të jetë njëri nga kërcënimet më të rrezikshme për interesat e SHBA-së dhe stabilitetit rajonal", ka thënë një zyrtarë i lartë i SHBA-së. Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, ka thënë se Irani është konfuz me deklaratat e fundit të SHBA-së. "Jemi duke pranuar sinjale kontradiktore dhe nuk e dimë se si duhet t'i interpretojmë", ka thënë Zarif, duke shtuar se "Irani ëshë shumë serioz në marrveshjen e armëve bërthamore".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more