Skip to main content

RTSH: “Rritet tensioni mes LSI dhe Policisë, kërkohet shkarkimi i Çakos” plus 4 more

RTSH: “Rritet tensioni mes LSI dhe Policisë, kërkohet shkarkimi i Çakos” plus 4 more


Rritet tensioni mes LSI dhe Policisë, kërkohet shkarkimi i Çakos

Posted: 18 Jun 2017 01:19 PM PDT

Një ngjarje ende e paqartë e ndodhur në Pukë, ka ndezur një konflikt mes LSI dhe policisë. Nënkryetari i LSI Luan Rama në një dalje para mediave ka deklaruar se “banditë të Rilindjes kanë sulmuar dhe dhunuar dy femra, njëra kryetare e LSI, Sajmira Laçi dhe tjetra kryetarja e LRI Pukë Romina Kuçi”. Zoti Rama ka përmendur me emër ata që konsiderohen si autorë të ngjarjes. “E gjitha kjo situatë kriminale e gjen motivin tek thirrjet skandaloze të kryetarit të Rilindjes i cili e fton policinë të punojë për të marrë vota për partinë e tij dhe jo të zbatojë ligjin” tha sekretari i përgjithshëm i LSI. Ai i kërkoi me këtë rast “…ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit shkarkimin e menjëhershëm nga detyra për papërgjegjshmëri dhe për mos veprim kriminal të drejtorit të përgjithshëm Haki Çako”.
Por nga ana e saj policia ka dhënë një tjetër version të ngjarjes në Pukë. Sipas njoftimit të saj, nisur nga informacionet se persona që qarkullonin me automjete me xhama të errësuar, ofronin lekë në këmbim të votës në zonën e Fushë Arrëzit, policia lokale ka ushtruar kontrolle për të parandaluar këtë fenomen. “Në orën 17:10 Patrulla e Përgjithshme në hyrje të qytetit Fushë Arrëz ka ndaluar një automjet tip “Ford” me xhama të errësuar dhe i është kërkuar drejtuesit te mjetit, dokumentacioni” njofton policia. Gjithnjë sipas saj në automjet udhëtonin dy zonja që janë prezantuar si anëtaret e një subjekti politik dhe kandidate për deputete. “Pas prezantimit janë lejuar të vazhdonin lëvizjen. Por dy shtetaset kanë dalë nga automjeti dhe njëra prej tyre ka shfaqur gjendje të fikëti. Ajo është dërguar me automjet dhe personat me të cilin udhëtonte në Qendrën Shëndetësore Fushë Arrëz dhe është në gjendje të mirë shëndetësore”. Policia njofton se ka shoqëruar dhe ka marrë dëshmitë e disa personave për të cilët shtetaset në fjalë u kanë komunikuar drejtuesve të policisë se i kanë kërcënuar për motive politike.
Ngjarja, ndonëse e pasqaruar përfundimisht, shënohet si episodi më serioz i fushatës zgjedhore e cila ka hyrë në javën e fundit. Por ndryshe nga fushatat e mëparshme, kur në vëmendje ishin përplasjet mes PS dhe PD, tensioni i tanishëm është mes PS dhe LSI, dy forcave politike aleate në qeveri. Të dy partitë, bashkë me PD në opozitë, po deklarojnë çdo ditë e më shumë se do të jenë forcat e para në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit.

Polemikat për hipotekat, Ministri i Drejtësisë nis hetimin administrativ

Posted: 18 Jun 2017 11:01 AM PDT

Ndërsa krerë të PS dhe LSI po polemizojnë lidhur me përgjegjësinë në vonesat për marrjen e çertifikatave të pronësisë të disa banorëve në Vorë, Ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi, i cili ka urdhëruar nisjen e një hetimi administrativ. Në një deklarim të tij zoti Bardhi “…siguron të gjithë banorët e Bashkisë Vorë, se nëse konstatohet shkelje nga punonjësit e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, do të marren masa të menjëhershme disiplinore për secilin prej tyre”. Ndërkaq ai i siguron qytetarët se pajisja me çertifikatë pronësie do të trajtohen në përputhje dhe brenda afateve të caktuar nga ligji.
Por zoti Bardhi shkon edhe më tej. Ai duke i bërë thirrje çdo subjekti politik të ndal përdorimin e çështjeve që përfshihen brenda fushës së veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë, për qëllime politike apo elektorale. Ministri teknik i drejtësisë fton çdo subjekt politik që ka informacion për pengime artificiale që i bëhen qytetarëve për qëllime politike apo shkaqe të paligjshme, të informojë menjëherë Ministrinë e Drejtësisë. Ministri Gazmend Bardhi “…siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo tentativë përdorim të paligjshëm që i bëhet veprimtarisë institucionale të Ministrisë së Drejtësisë, nga subjekte zgjedhore”.

Shkodër: Një trafikant vote shpallet në kërkim

Posted: 18 Jun 2017 07:22 AM PDT

Policia e Shkodrës njoftoi se ka shpallur në kërkim një preson i cili dyshohet se ka premtuar para në këmbim të votës. Sipas saj 42 vjeçari Pjetër Prendi akuzohet për veprën penale “Dhënie u shpërblimeve dhe e premtimeve”. “Ky shtetas dyshohet se u ka premtuar me iniciativën e tij disa shtetasve nga 10.000 lekë për çdo votë që do jepej për një  kandidat për deputet në Qarkun Shkodër” bën të ditur policia. Por në njoftim nuk jepet emri i kandidatit për deputet dhe forcës politike që përfaqëson. Afrimi ditës së zgjedhjeve pritet të shtojë përpjekjet për shitblerjen e votës, mjaftë e njohur në zgjedhjet e kaluara. Autoritetet kanë njoftuar se nuk do të tolerojnë raste të tilla.

Zguri: Të arrijmë standartet dhe të shmangim tensionet e incidentet

Posted: 18 Jun 2017 04:54 AM PDT

KQZ u ka bërë të djelën thirrje subjekteve dhe udhëheqësve politikë që po marrin pjesë në fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit të punojnë për të arritur standardet në kë këto zgjedhje duke shmangur tensionet apo incidentet. Në një deklaratë kreu i këtij komisioni Klement Zguri ka vlerësuar se në tërësinë e saj, kjo fushatë ka pasur një klimë të qetë, ndërsa shpresonte se disa raste të vërejtura do të mbeten të izoluara. “Të distancohen nga çdo veprim i dhunshëm që bie ndesh me liritë dhe të drejtat e individit dhe në veçanti kuadrin ligjor për zgjedhjet. Respektimi i vullnetit të lirë të çdo qytetari është standardi kryesor që duhet të plotësojmë në çdo fazë të këtij procesi zgjedhor. Është shumë e rëndësishme që të arrijmë standardet më të larta zgjedhore, pasi janë elementi kryesor për proceset integruese në familjen europiane” bëri thirrje zoti Zguri.
Kreu i KQZ tha se “Zbatimi i të gjithë kuadrit ligjor që buron nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera që lidhen me procesin dhe përmbushja e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it mbeten detyrë thelbësore e çdo subjekti zgjedhor dhe agjencive ligjzbatuese”. Zoti Zguri kujtoi se ato “… jo vetëm s'duhet të përfshihen politikisht në fushatë, por duhet të veprojnë me transparencë për zbardhjen e plotë të çdo incidenti, që do të nxirrte në pah të vërtetën dhe do të shmangte keqpërdorimin e saj”.

Blushi në “Përballë”: “LIBRA do të jetë surpriza e 25 qershorit”

Posted: 17 Jun 2017 11:46 PM PDT

Kundërshtarë të LIBRA-s në zgjedhjet e 25 qershorit janë 3 partitë që kanë qenë në pushtet, PS, PD dhe LSI. Por kryetari i LIBRA-s, Ben Blushi i tha gazetarit Lutfi Dervishi gjatë emisionit “Përballë” në RTSH se do të jenë pikërisht këto 3 parti që do të mbrojnë votat e LIBRA-s.
"LIBRA është si një gur i çmuar. Ka një numër votash potenciale, askush nuk e di sa ka. Do të jetë surprizë të jeni të bindur. As unë nuk e di, askush nuk e di. Janë 3 hajdut që duan ta vjedhin. Për shkak se asnjëri nuk lë tjetrin, ai nuk preket. Kjo ka për të ndodhur ditën e numërimit."- tha Blushi gjatë emisionit “Përballë”.
Blushi pret një rezultat spektakolar në Tiranë, duke nënkuptuar renditjen e LIBRA-s si forcë e tretë në këtē qark. I pyetur për marrëveshjen e 18 Majit, Ben Blushi jep prognozēn e tij.
"Prognoza është se ata prapë do të tentojnë të bashkëqeverisin pas zgjedhjeve për të krijuar më shumë imunitet ndaj reformës në drejtësi se kush është në qeveri vështirë se preket nga reforma në drejtësi. Dhe Edi Rama e shiti reformën në drejtësi si një kërcënim ndaj opozitës ose ish qeverisë së vjetër dhe këtu u frikësua për hir të së vërtetës “çadra” dhe për këtë arsye u fut në qeveri dhe si një kërcënim ndaj partive të tjera. Pra, duan t’i japin vetes një monopol, një duopol që merr të gjitha të drejtat kushtetuese në dorë."
Kryetari i LIBRA-s, i pakënaqur me kohën qē i kanë dhënë televizionet LIBRA-s gjatë fushatës elektorale, thotë se për te dalë nē ekranet private duhet të paguash.Pyetjes të Lutfi Dervishit se ç'shifra i është kërkuar të paguajë, Blushi ju përgjigj:
"3 mijë euro para dy javësh. Këto shifra janë 10-fishuar dhe janë 20-fishuar me afrimin e datës së zgjedhjeve. Pyetja është nga dalin këto para? Është katastrofë. Qeveria që është me ligj e detyruar të luftojë evazionin fiskal, bën evazion fiskal vet, merr para të zeza, ia jep televizioneve, blen kohë tek ato, i korrupton ata, nuk i deklaron ato, nuk paguan taksa, paratë nga i merr?"

Më poshtë po sjellim pjesë nga intervista që Ben Blushi i tha gazetarit Lutfi Dervishi gjatë emisionit Perballë në RTSH.

Lutfi Dervishi: Me kë e ka garën LIBRA në këtë fushatë?
Ben Blushi: LIBRA e ka me të gjitha partitë e vjetra, absolutisht. Nuk dallon njërën nga tjetra. E ka me të gjitha partitë e vjetra….
Lutfi Dervishi: Po garë me partitë e tjera…?
Ben Blushi: Ne i konsiderojmë njëlloj ato…
Lutfi Dervishi: Garë me parti të tjera, Sfida, FRD-ja…
Ben Blushi: Unë nuk dua të … Shpresoj ato të kenë fatin e tyre në këto zgjedhje, nuk kam asnjë gjë…
Lutfi Dervishi: Fat të mirë besoj i uroni…
Ben Blushi: Nuk hymë në këto zgjedhje për të rrëzuar ata që nuk janë. Hymë në këto zgjedhje për të rrëzuar ata që janë në pushtet dhe këto janë 3 partitë në pushtet. Hymë për t’i rrëzuar të treja bashkarisht ose veç e veç. Natyrisht edhe me ndihmën e tyre, se ato do të bëjnë … Janë si 3 banda thotë dikush, edhe unë e kam përdorur këtë metaforë… 3 banda që luftojnë njëra-tjetrën dhe e dobësojnë njëra-tjetrën respektivisht dhe kjo na favorizon të gjithëve ne që duam një pyll…
Lutfi Dervishi: Nëqoftëse marrim që këto janë 3 banda … Çfarë ju bën të besoni se ju do t’ia dilni vetëm përballë këtyre 3 bandave?
Ben Blushi: Pse kush besonte në vitin ’87-’88- ’89 që do të rrëzohej regjimi komunist?
Lutfi Dervishi: Vlen i njëjti krahasi?
Ben Blushi: Unë besoj se vlen. Ai ishte regjim dhune, ky është regjim korrupsioni…
Lutfi Dervishi: Regjimi komunist më shumë se sa e rrëzuan, ra…edhe për shkak të fakorit në lindje…
Ben Blushi: Ra për disa arsye, të jashtme dhe të brendshme…
Lutfi Dervishi: E donte edhe një të shtyrë nga brenda…
Ben Blushi: E keni parasysh se çfarë ishte Shqipëria e vendeve ’82, ’86, ’87…një vend totalisht depresivë. Ashtu është edhe Shqipëria sot. Po të shkojmë nëpër provincat e Shqipërisë apo të dalim pak jashtë Tiranë ka depresion, mungesë shprese, nevojë për të ikur nga Shqipëria.
—————————————————————————————————————————
Lutfi Dervishi: A ka kapacitet njerëzor LIBRA për të kontrolluar dhe për të vëzhguar gjithë proçesin?
Ben Blushi: Absolutisht po. Ka dy arsye që na bëjnë të besojmë se LIBRA-s nuk do t’i preket asnjë votë. E para është se ka kapacitetet e veta. Ne kemi arritur të kemi në 7 muaj 10 mijë-11 mijë anëtarë …
Lutfi Dervishi: Të regjistruar…
Ben Blushi: Të regjistruar. Këta janë njerëz të anëtarësuar vet, unë nuk i njoh. Ata janë regjistruar kryesisht online. 1800 prej tyre janë në emigracion, nga Australia deri në SHBA, natyrisht edhe në Gjeramani, Greqi…
Lutfi Dervishi: Që nuk votojnë dot…
Ben Blushi: Që një pjesë e tyre do të kthehen për të votuar ose influencojnë familjet e tyre…
Lutfi Dervishi: Nëse do të kthehej njeri nga Australia, do të ishte vërtet lajm i madh, që nga ana tjetër e globit të vinin për të votuar…
Ben Blushi: Nuk e di, këtë të dhënë nuk e kam. Po ka shumë njerëz që marrin në telefon nga Italia, nga Franca, nga Gjermania, që thonë do të vimë të votojmë LIBRA-n. Por ata kanë infuencë të madhe në Shqipëri. Këta janë gati 15% e anëtarësisë LIBRA. 85% janë shqiptarë që jetojnë në Shqipëri. Këta njerëz, një pjesë e madhe e tyre kanë dalë vullnetarë kur i kemi apeluar për të qenë vëzhgues libra më datën 25 qershor. Kjo është e para. E dyta është… Të them dhe diçka… E kam përdorur këtë krahasim, nuk e kam për herë të parë…LIBRA është si një gur i çmuar. Ka një numër votash potenciale, askush nuk e di sa ka. Do të jetë surprizë të jeni të bindur. As unë nuk e di, askush nuk e di. Janë 3 hajdut që duan ta vjedhin. Për shkak se asnjëri nuk lë tjetrin, ai nuk preket. Kjo ka për të ndodhur ditën e numërimit. Asnjëra nga partitë e vjetra…
Lutfi Dervishi: Si historia e kodit zgjedhor, e shkruar nga dy njerëz që i ruhen njëri-tjetrit.
Ben Blushi: Besojeni këtë, është e vërtetë. Në tavolinën e numërimit janë 3 palë që kanë numërues, rilindja, Çadra dhe Partia e Presidentit dhe një e katërt që është njësoj. Këta të tre do të mbrojnë votat tona, jo sepse na duan, por sepse nuk duan që votat tona t’i marrë kundërshtari. Dhe kjo mund të na favorizojë. Pra, favorizohemi nga vjedhja në këtë rast.
—————————————————————————————————————————
Ben Blushi: Besojmë se ka ardhur koha të ndryshojmë raportin e pulbikut me inofmimin. Kjo mund të ndodh vetëm duke focuar këtë televizion ku jemi.
Lutfi Dervishi: Si?
Ben Blushi: Televizioni shqiptar publik është ai që na ka munguar 27 vjet. Nëqoftëse e lëmë jetim, ky televizion ka për t’u mbyllur. Kjo qeveri që është në pushtet vitin e parë ka patur projekt për ta mbyllur televizionin publik. Pse? Për të favorizuar kë?
Lutfi Dervishi: Projekt? Apo një ide që të shkojmë në modelin grek, që e mbyllim dhe e fillojmë nga e para?
Ben Blushi: Jo, jo. E para, Greqia nuk ka bërë këtë gjë. Greqia nuk e mbylli televizionin e saj publik. Franca nuk e ka mbyllur…
Lutfi Dervishi: Flas në kohën e krizës që diskutohej për t’u mbyllur për një periudhë të shkurtër…
Ben Blushi: Greqia mund ta mbyllte, çka nuk e bëri. Greqia është shumë e varur nga televizioni i vet publik. Greqia mund ta bënte për arsye financiare. Në rastin e Shqipërisë nuk janë arsye financiare, që e kërcënojnë televizionin publik, siç ka ndodhur në 27 vjet. Janë interesat e konkurentëve të vet privatë.
Lutfi Dervishi: A është pak vonë për ta ngritur zërin për këtë?
Ben Blushi: Nuk është vonë. Unë e kam thënë prej shumë vjetësh, pavarësisht se nuk jam njeri që jam marrë me këtë temë në mënyrë ekskluzive sado që kam qenë gazetar. Nëqoftëse nesër LIBRA qeveris po të them se një nga gjërat e para që do të bëjmë, do t’i japim një status të pavarur televizionit publik. Do ta financojmë më shumë dhe do të ndihmojmë gazetarët e televizionit publik, i cili duhet të konkurojë dhe të jetë burimi më i pavarur i lajmit në Shqipëri. Pse? Sepse ajo është publike, ajo nuk blihet. Partitë nuk mund të vinë në televizionin publik dhe të blejnë kohë.
Lutfi Dervishi: Edhe eteri është publik, por e kanë blerë operatorët e tjerë…
Ben Blushi: Sepse qeveritë janë korruptuar … Ky është rasti tipit sepse qeveritë e Shqipërisë, sidomos në dy dekadat e fundit janë korruptuar nga privatët në atë masë sa kanë cënuar pronën e përbashkët që është televizioni publik në favor të televizioneve private. Dhe ka arritur puna sot në fushatë, kur që të dalësh live dy orë duhet të shkosh në televizion privat dhe të paguash dy orë live. Pyetja është kush i paguan këto? Si korruptohe? Nga i gjen qeveria kaq shumë para. E dini sa mund të jetë kosto vetëm e qeverisë, e Rilindjes vetëm në këto zgjedhje?
Lutfi Dervishi: Ju mund ta dini ofertën që ju bëhet për të transmetuar live një orë nga cilido vend i Shqipërisë…
Ben Blushi: 3 mijë euro para dy javësh. Këto shifra janë 10-fishuar dhe janë 20-fishuar me afrimin e datës së zgjedhjeve. Pyetja është nga dalin këto para? Është katastrofë. Qeveria që është me ligj e detyruar të luftojë evazionin fiskal, bën evazion fiskal vet, merr para të zeza, ia jep televizioneve, blen kohë tek ato, i korrupton ata, nuk i deklaron ato, nuk paguan taksa, paratë nga i merr? Pra, qeveria bën evazion fiskal. Kjo nuk mund të ndodh, por kjo ndodh në Shqipëri. Po kjo nuk ndodh në televizionin publik dhe kjo është arsyeja që ky televizion duhet forcuar me çdo kusht dhe me ligj duke i dhënë pavarësi absolute.
—————————————————————————————————————————
Lutfi Dervishi: Ju keni takime me ndërkombëtarët. Çfarë ju thoni ndërkombëtarëve rreth kësaj marrëveshje (marrëveshja PS-PD) kur ju pyesin?
Ben Blushi: Unë i them se kjo është një marrëveshje për ta grabitur Shqipërinë bashkë dhe për të cënuar reformën në drejtësi. Pra, është nevoja që duke qenë bashkë në qeveri të krijojnë imunitet ndaj reformës në drejtësi. Për kë duhet dhe për kë u bë reforma në drejtësi? U bë për atë që vjedh dhe nuk paguan një faturë energjie 5000 lekë? Jo, u bë për politikanët kryesisht sepse populli i Shqipërisë…
Lutfi Dervishi: Nëse ju thoni që marrëveshja nuk është një gjë e mirë, është një gjë e keqe, cila është prognoza juaj që nesër ne të themi ju kishit të drejtë?
Ben Blushi: Prognoza është se ata prapë do të tentojnë të bashkëqeverisin pas zgjedhjeve për të krijuar më shumë imunitet ndaj reformës në drejtësi se kush është në qeveri vështirë se preket nga reforma në drejtësi. Dhe Edi Rama e shiti reformën në drejtësi si një kërcënim ndaj opozitës ose ish qeverisë së vjetër dhe këtu u frikësua për hir të së vërtetës “çadra” dhe për këtë arsye u fut në qeveri dhe si një kërcënim ndaj partive të tjera. Pra, duan t’i japin vetes një monopol, një duopol që merr të gjitha të drejtat kushtetuese në dorë.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more