Skip to main content

RTSH: “Dekretimi i Xhafës, Basha: Nishani në lartësinë e detyrës!” plus 9 more

RTSH: “Dekretimi i Xhafës, Basha: Nishani në lartësinë e detyrës!” plus 9 more


Dekretimi i Xhafës, Basha: Nishani në lartësinë e detyrës!

Posted: 19 Mar 2017 02:00 PM PDT

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka konsideruar si një qëndrim në lartësinë e kushtetutës vendimin e presidentit Nishani për dekretimin si ministër i brendshëm të deputetit socialist Fatmir Xhafaj. Ndonëse zoti Nishani e konsideroi kandidaturën si të papërshtatshme, ai tha se vendimin përfundimtar e merr parlamenti. Kreu i opozitës nuk tha se çfarë hapash do të hidhte opozita pas dekretimit nga presidenti të ndryshimeve në qeveri, ndërsa më parë kishte kërcënuar se zoti Xhafa do të hynte në ministrinë e brendshme vetëm nëse kalonte mbi trupat e dermokratëve. Ndërkaq deputetë të PD janë shprehur se parlamenti do të duhet të verifikojë figurën e zotit Xhafa.

Nishani: Gjithmonë i hapur për të lehtësuar komunikimin e palëve politike në vend!

Posted: 19 Mar 2017 01:43 PM PDT

Presidenti Bujar Nishani ka dalë të dielën në një konferencë të pazakontë shtypi. Tema e saj ishte lidhur me emërimet dhe shkarkimet e fundit, të propozuara për në Këshillin e Ministrave, por edhe situata politike në vend. Zoti Nishani tha se gjithshka ndodh në një situatë politike shumë të tensionuar dhe kur pritet të nisi fushata për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai vendosi në fokus veçanërisht ndryshimin në ministrinë e brendshme e cila tha se ka një rol parësor në administrimin e procesit zgjedhor. Presidenti u ndal në kandidaturën e propozuar nga kryeministri Rama, duke e cilësuar të papërshtatshme. Por sipas zotit Nishani “Kushtetuta nuk ia jep të drejtën Presidentit të Republikës për të refuzuar një kandidaturë për ministër, pasi i vetmi kusht që përcakton Kushtetuta për të qenë ministër është ai i plotësimit të kritereve për të qenë deputet”. “Unë besoj dhe shpresoj që ai institucion, të cilit Kushtetuta ia njeh këtë të drejtë për të vlerësuar kandidaturat për ministër, që është Kuvendi i Shqipërisë, do të gjykojë e do të vlerësojë të gjitha rrethanat, situatën politike dhe specifikën që ka jeta shoqërore, publike e politike e vendit, që janë zgjedhjet e ardhshme politike” tha zoti Nishani.
Por më shumë se vlerësimi për ndryshimet në qeveri, në konferencën e shtypit të zotit Nishani ra në sy gadishmëria e tij për të negociuar në zgjidhjen e krizës mes palëve. Kur u pyet lidhur me kërkesën këmbëngulëse të opozitës për qeveri teknike, zoti Nishani tha se “Kjo është një çështje që zgjidhet vetëm në tryezën e partive politike nëse do të ketë një dakordësi të palëve për një qeveri teknike”. “Nëse palët kërkojnë që kjo tryezë e bisedimeve dhe e negociimit të lehtësohet nga Presidenti i Republikës, Presidenti i Republikës është dhe do të jetë gjithmonë i hapur për të lehtësuar komunikimin e palëve politike në vend pa ndërhyrë asnjëherë dhe pa imponuar asnjë qëndrim të asnjërës prej palëve politike në vend” shtoi ai. “Ajo që unë do t'u bëja thirrje të gjithë aktorëve vendmarrës do të ishte për të gjetur gjuhën e përbashkët për ta ulur këtë tension të lartë politik dhe për të mos e kaluar vendin në një situatë krize politike” tha më tej zoti Nishani.
Presidenti si dhe më parë ka përsëritur gadishmërinë e tij për rivlerësuar një propozim për të rikandiduar në postin e kreut të shtetit. “Nëse do të ketë një propozim të tillë do ta gjykoj në kontekstin e realizimit, të arsyes dhe vullnetit politik. Dhe patjetër, nëse do të jetë i adresuar me qëllim për të marrë përgjegjësi politike, do të vijoj të mbetem me shprehjen e gatishmërisë” tha ai.

Rama opozitës: Jo qeverisë teknike, hajdeni dialogojmë për zgjedhje!

Posted: 19 Mar 2017 01:11 PM PDT

Kryeministri socialist Edi Rama ka hedhur sërish poshtë kërkesën e opozitës së djathtë për krijimin e një qeverie teknike, ndërsa u shpreh i gatshëm që të dialogojë për reformën zgjedhore e cila do të aplikohet në zgjedhjet e përgjithshme të 18 qershorit.

Duke folur në komunkimin javor në Fejsbuk, zoti Rama tha se “Opozita mund ta kërkojë qeverinë teknike gjithë ditën dhe qeverinë teknike gjithë natën, por s'mund t'ia imponojë këto kërkesa qeverisë në asnjë vend të botës ku vendos vullneti popullor me votë”. “Prandaj me gjithë respektin për kërkesën e opozitës për qeveri teknike apo teknika të reja qeverisje kjo qeveri do të vazhdojë punën deri në afatin e fundit të kontratës me popullin shqiptar. Kontrata është deri në 18 qershor  tha zoti Rama.

Ai akuzoi PD, drejtëpërdrejtë ish kryeministrin Berisha dhe kreun aktual të PD Basha , krerët e partive të tyre aleate, se synojnë që krizën e tyre ta përcjellin si krizë të Shqipërisë. Por për zotin Rama përgjegjës janë edhe segmente të medias, gjyqtarë, madje edhe të huaj që nuk duan që Shqipëria të bëhet shtet me dinjitet.

Kur protesta e opozitës para selisë së qeverisë ka kaluar katër javë, zoti Rama sërish ka shprehur gatishmërinë për dialog. “Jam dhe do të jem i gatshëm çdo ditë çdo orë, edhe në çadër po të duan të takohemi dhe të dialogojmë me opozitën, për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor dhe në çdo kod apo ligj tjetër që PD mund të kërkojë për t'u ndjerë sa më e garantuar në zgjedhje, të votojmë pa rezervë çdo gjë që nuk bie ndesh me ndërhyrje në Kodin Zgjedhor dhe në çdo kod tjetër që nuk bie ndesh me propozimet e OSBE-ODIHR, apo për çdo institucion qe ajo dëshiron” tha ai.

Ndërkaq lidhur me procesin e vettingut i cili po vonohet për shkak të bojkotit parlamentar të opozitës, kryeministri Rama tha se nëse opozita bojkoton zgjedhjet do të jetë e dhimbshme dhe shqiptarët do të humbasin. “Ne nuk do t'i bashkohemi kurrë një mungese respekti për popullin do të respektojmë datën e zgjedhjeve deri në atë datë do të angazhohemi në fushate për sa shumë kemi bërë, kemi për të bërë dhe kanë për të humbur shqiptarët nëse kthehemi mbrapa” tha ai.

Vangjelia Verori ka botuar tre vëllimet e para me poezi

Posted: 19 Mar 2017 05:30 AM PDT

Vangjelia Verori është një autore e e re që po hyn dalëngadalë në tregun e poezisë. Ndonëse ajo ka nisur ti shkruajë poezitë e para që në moshë të re, vetëm pak kohë më parë ka botuar tre vëllimet e para me poezi. “Zemra që flet”, “Zemrën lashë peng” dhe “Udhëtoj me Ju” janë vëllimet me poezi të shkruara në periudha të ndryshme të jetës së autores, ku spikat poezia sentimentale. Vetë autoria shprehet se dëshira për të shkruar poezi ka nisur herët, që në shkollë, madje në atë periudhë ajo ka botuar edhe në gazetën lokale të Durrësit “Adriatiku”. Prej 16 vitesh Vangjelia jeton bashkë me familjen në Itali, vend që do ta nxiste për të vazhduar me pasion poezinë si dhe vendimin për botimin e poezive të shumta që ajo i kishte në dorëshkrime. Mjaft e ndjerë është poezia kshtuar babai, të cilën autorja dëshiron ta ndajë me dashamirësit e poezisë. Në lidhje me natyrën e poezisë së saj, Vangjelia Verori i është drejtuar lexuesit me fjalët domethënëse “Mos më gjykoni”. Sic shprehet në parathënien e vëllimit “Zemra flet” çdo poezi e saj ka brenda dhimbje, dashuri, gëzim, hidhërim, mall, dështim e zhgënjim, pra janë fjalë të vërteta zemre.

Tenis, mbahet edicioni i I i “ALBANIAN BOWL”

Posted: 19 Mar 2017 05:20 AM PDT

Në mjediset e "National Sport Park" në kryeqytet u zhvillua përgjatë 3 ditëve të fundjavë edicioni i parë i "Albanian Bowl", që ishte i barazvlefshëm me Kampionatin Kombëtar për Grupmoshat Nën-10, Nën-12 dhe Nën-14-vjeçe. Presidenti i Federatës Shqiptare të Tenisit, Ferdinand Sulo, ka vlerësuar pjesëmarrjen, që sipas tij, ishte premtuese. Sipas tij, cilësia ka qenë e kënaqeshme, por lipset të zgjerohet gjeografia. Kreu i tenisit shqiptar ka theksuar se tanimë vëmendja do të zhvendoset drejt pjesëmarrjen në "Davis Cup".

Lushnja-Shkumbini, sot (14:00) drejtpërdrejt në RTSH

Posted: 19 Mar 2017 05:14 AM PDT

Kategoria e Parë, e cila i ka luajtur dje dy ndeshjet e para të javës së saj të 20-të, që është në fakt java e dytë e fazës së 3-të, vijon sot me një tjetër takim. Bëhet fjalë për ndeshjen midis Lushnjës dhe Shkumbinit, që do të luhet në Stadiumin "Roza Haxhiu". Kjo ndeshje do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 14:00. Lushnjarët kanë zbritur për momentin në vendin e dytë të renditjes, me 24 pikë, një më pak sesa Bylisi, që mundi dje në Ballsh Tomorin me rezultatin 2-0. Për këtë arsye, skuadra vendase, e drejtuar nga trajneri Artan Bano, do të kërkojë sot fitoren ndaj peqinasve, për të rigjetur kreun e renditjes së grupit B. Ndërkohë, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë të hënën edhe takimin e fundit të javës së 20-të të Kategorisë së Parë, atë midis Besëlidhjes dhe Burrelit. Kjo ndeshje, që luhet duke nisur nga ora 14:00, është e vlefshme për grupin A.

Sekuestrohet drogë në Karaburun dhe Shkodër

Posted: 19 Mar 2017 05:09 AM PDT

Falë bashkëpunimit me Policinë Kufitare, "Delta Force" dhe italianët e "Guardia di Finanza", Policia e Vlorës ka mundur të realizojë me sukses operacionin e koduar "Mega", në përfundim të të cilit është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i një sasie prej 1 ton e 283 kg lëndësh narkotike të llojit cannabis sattiva, në gjirin e Bristanit në Karaburun. Pas operacionit të zhvilluar nga toka dhe deti, policia ka bërë publike se në afërsi të bregut të detit janë gjetur 47 çanta të mbushura me lëndë narkotike, të cilat ishin fshehur në 3 vende të ndryshme në pyll, rreth 500 metra larg gjirit të Bristanit, dhe ishin të gatshme për t'u trafikuar me mjete të shpejta drejt fqinjit tonë, Italisë. Shkak i mosnisjes ishte bërë moti i përkeqësuar dhe deti me dallgë. Operacioni policor po vijon ende përgjatë të gjithë shtrirjes së gadishullit të Karaburunit për të zbuluar dhe kapur autorët e implikuar në këtë përpjekje për trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Edhe policia e shkodrës ka goditur një rast të trafikimit të lëndëve narkotike në pikën kufitare të Muriqanit. Autobuzit të linjës shkodër pistoja në itali pas një kontrolli të imtësishëm iu gjet dhe iu sekuestrua 25 kg kanabis sativa. Pas këtij aksioni u arruasten dhe 3 persona. Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se këta shtetas kishin si destinacion trafikimin e kanabisit në vendet e BE.

Reagon Turqia për tubimet ne Gjermani

Posted: 19 Mar 2017 05:02 AM PDT

Turqia thotë se ministrat e Turqisë mund të planifikojnë një tubim tjetër në Gjermani, përpara referendumit të 16 prillit, një lëvizje e cila mund të tensionojë më shumë raportet mes të Ankarasë dhe Berlinit. Kjo deklaratë është bërë nga Ibrahim Kalin, zëdhënës i presidentit Recep Tayyip Erdogan, gjatë një interviste dhënë sot për CNN në gjuhën turke. Më herët, Kalin ka kritikuar autoritetet gjermane për lejimin e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit që të mbajnë tubime në Gjermani. Pas ndalimit të disa tubimeve të ministrave turq në Holandë dhe Gjermani, tensionet mes Ankarasë dhe Evropës janë rritur. Erdogan ka akuzuar Gjermaninë për "praktika naziste", ndërkaq Holandën e ka fajësuar për Masakrën e Srebrenicës. Turqia po ashtu ka kërcënuar se do të dërgojë 15 mijë refugjatë në Bashkimin Evropian, duke thënë se mund të largohet nga marrëveshja me BE-në, për ndaljen e fluksit të refugjatëve.

Peru: 72 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet

Posted: 19 Mar 2017 04:51 AM PDT

Të paktën 72 persona kanë vdekur pas disa ditë të ashpra përmbytjesh dhe rrëshqitjesh të shkaktuara nga shirat e dendur në Peru. Përmbytjet më të renda në gati 30 vjet kanë perfshire gjysmën e vendit. Më shumë se 800 qytete kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Kryeqyteti peruan Lima ndodhet pa ujë të pijshëm që nga e premtja pavarësisht përpjekjeve të shërbimeve emergjente. Forcat e armatosura janë vendosur për të ndihmuar në vendosjen e kontrollit dhe rendit policor në të gjithë Perunë. Mungesa e ushqimit dhe ujit po theksohet gjithnjë e më shumë dhe çmimet janë rritur me 5% javën e kaluar, konfirmoi qeveria.

Francë, identifikohet terroristi i sulmit në aerport

Posted: 19 Mar 2017 04:44 AM PDT

Prokurorët e Antiterrorit në Francë po hetojne sulmin e kryer në Aeroportin "Orli" të Parisit, nga një agresor i cili është qëlluar për vdekje nga forcat e sigurisë. Zijed Ben Belgacem, 39 vjeç, u vra të shtunën pasi i kishte vendosur pistoletën në kokë një ushtari, duke dashur që ky i fundit "të vdiste për Allahun", sipas asaj që thonë zyrtarët. Agresori ishte përfshirë më herët gjatë së shtunës edhe në një ngjarje të shtënash dhe rrëmbimi të një makine. Belgacem përshkruhet si i radikalizuar në burg, teksa ka qenë edhe në listën e "mbikëqyrjes" nga policia. Rekordet e tij kriminale përfshijnë dënime për rrëmbim të armatosur dhe për shkelje që kanë pasur lidhje me drogën. Agjentë të shërbimeve sekrete bastisën shtëpinë e tij për të gjetur prova që e lidhnin me simpatinë ndaj islamikëve, por nuk kanë gjetur asgjë. Sulmi ka ardhur në një periudhë tepër të ndjeshme për Francën, e cila zhvillon zgjedhjet presidenciale muajin e ardhshëm dhe mbetet ende nën gjendjen e emergjencës të shpallur shumë muaj më parë. "Orly" ndodhet vetëm 13 km larg Parisit, në periferinë jugore të tij, dhe është aeroporti i dytë më i madh i kryeqytetit francez.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more