Skip to main content

RTSH: “Treni serb i nisur drejt Kosovës, rikthehet në Beograd” plus 9 more

RTSH: “Treni serb i nisur drejt Kosovës, rikthehet në Beograd” plus 9 more


Treni serb i nisur drejt Kosovës, rikthehet në Beograd

Posted: 14 Jan 2017 12:02 PM PST

Treni i cili u nis të shtunën nga Beogradi drejt Mitrovicës së Veriut në Kosovë, është ndalur në qytetin serb Rashkë, prej nga është kthyer sërish në Beograd, njoftojnë burime të ndryshme informacioni.
Treni është vlerësuar si njëri nga provokimet e radhës të Serbisë, ndërsa është kërkuar ndalimi i tij në territorin e Kosovës. Autoritetet kosovare prej ditësh ishin deklaruar kundër hyrjes së trenit serb në territorin e Kosovës.
Më herët Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha për Express se kishte dhënë urdhër që me çdo çmim të mos lejohej hyrja e trenit serb në Kosovë. Ai deklaroi se beson në autoritetet e Kosovës se, do të ndalin hyrjen e trenit serb në Republikën e Kosovës. "Kam besim të plotë se autoritetet do t'i kryejnë përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese. Institucionet duhet t'i kryejnë këto përgjegjësi. Mjaft është mjaft. Do të ketë zero tolerancë ndaj Beogradit në cënimin e integritetit territorial të Kosovës", deklaroi presidenti Hashim Thaçi.
Kryeministri Isa Mustafa tha gjatë një konference të jashtëzakonshme shtypi se qeveria e Kosovës ndali provokimin e radhës së Serbisë, duke nënvizuar se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës është vendosur që të mos lejohet futja e trenit serb. Ai deklaroi se Kosova është e përkushtuar në lëvizjen e lirë të qytetarëve, por nuk do të lejojë provokime të tilla që kthen Kosovën dhe rajonin në vitet e errëta të konflikteve.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi se Prishtina, me rastin e rihapjes së vijës hekurudhore Beograd-Kosovë, u përpoq të provokojë konflikt në shkallë të gjerë. Në konferencën e mbajtur për media, Vuçiç tha se shqiptarët dhe forcat e tyre speciale u përpoqën gjatë ditës të hedhin në erë një pjesë të hekurudhës, kurse siç tha ai dërguan një njësi të veçantë në Jarinjë, "për të krijuar konflikt".
Treni u nis sot nga Beogradi për në Mitrovicën veriore dhe sipas Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, është qarkullimi i parë hekurudhor që nga viti 1999.
Sipas medias kosovare, treni nga Beogradi drejt Mitrovicës Veriore nga brenda është "dekoruar" me afreske të monumenteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës, ndërsa nga jashtë me flamurin e Serbisë dhe etiketën "Kosova është Serbi" në 21 gjuhë të botës, përfshirë edhe atë shqipe.

Gjermeni për RTSH: Po përmbyllim epokën e informalitetit, vendi drejt një zhvillimi të qëndrueshëm

Posted: 14 Jan 2017 11:42 AM PST

Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermni, ka deklaruar se qeveria shqiptare po përpiqet të përmbylli epokën e informalitetit në Shqipëri dhe ta çojë vendin drejt një zhvillim të qëndrueshëm. Deklaratën e saj zonja Gjermeni e bëri gjatë një interviste dhënë gazetares së RTSH Jonela Sagajeva. Ministrja Gjermeni në këtë intervistë vlerëson se viti i kaluar për dikasterin që ajo drejton ka qenë i frytshëm në disa aspekte, ku pikë kulminante ishte krijimi i mundësive për aplikimin on line të lejeve të ndërtimit.

Jonela Sagajeva, RTSH: Zonja ministre, a do ti mbyllni legalizimet në zonat informale brenda vitit?

Ministrja Eglantina Gjermeni: Është një angazhim madhor i qeverisë Rama dhe jemi munduar ta përfundojmë me sukses sipas angazhimit. Kemi ndërmarrë një angazhim shumë të vështirë dhe kemi dalë para qyetetarëve që brenda mandatit të parë do të përfundojë legalizimi në zonat informale.

Në dhjetor të vitit të kaluar shifra e legalizimeve arriti në 110 mijë dhe nuk është pak. Është një shifër rekord, duke patur parasysh se jo në tre vite ne kemi mundur të bëjmë legalizimin. Vetëm vitin e parë ne kemi ndryshuar legjislacionin për ta bërë legalizimin falas, kështu që periudha e parë ishte rregullimi i dosjeve që morrëm në dorëzim, rregullimi i kuadrit ligjor, angazhimi ynë për ta bërë legalizimin falas.

Më pas në varësi të problematikave që kemi hasur, e kemi parë që jo vetëm ligji, por duhen edhe disa akte të tjera nënligjore të cilat të adresojnë problematikën dhe komplesitetin që ka legalizimi. Për shkak të informalitetit, kaosit urban dhe ndërtimit pa leje pa kriter ose vend e pa vend, ose me specifika nga më të ndryshme, na është dashur që kategori të ndryshme të qytetarëve ti trajtojmë me vendime të Këshillit të Ministrave duke dashur që ti përfshijmë në fushën e legalizimit dhe ta kryejmë këtë proçes më shpejtë.

Besoj shumë dhe ALUIZNI po punon fort që brenda qershorit të përfundojmë legalizimin në zonat informale. Sërish ngelet një angazhim madhor, karahas punë që do të vazhdojë për legalizimin me intensitet, them që hapata e tjerë që kemi ndërmarrë si ministri mund të jenë ndihmëse. Po miratojmë planet e përgjithshme vendore dhe kjo do ta përshpejtojë punën e ALUIZN-it.

Ne sapo kaluam një vendim Këshillit të Ministrave që adreson problematikën e mbartur në vite për 30 mijë familje, ku gati 18 mijë familje janë vetëm në Tiranë. Kam marr bekime dhe urime nga qytetarët që kanë pasur shtëpi, por pa hipotekim iu është dukur që nuk kanë. Them që është nga vendimet që ka impakt të drejtëpërdrejtë tek jeta e shumë familjeve, po dua të theksoj që nga momenti i miratimit të ligjit e deri tani kemi kaluar 24 vendime të Këshillit të Ministrave, të cilat kanë pasur qëllim ta adresojnë këtë kompleksitet të legalizimit. Ky i fundit duket që ka pasur më shumë impakt, por po i tillë është edhe ai i pallateve Hauai që u bë vitin e kaluar, për ujëmbledhësin e Bovillës, duke dashur që kategori të ndryshme qytetarësh që nuk kanë qenë të përfshirë në proçesin e legalizimit, t’jua mundësojmë atë dhe fakti që ata do të kenë prona, ndikon shumë në zhvillimin ekonomik-social të këtyre familjeve, të gjithë vendit sepse është vërtet një pronë që futet në zhvillimin ekonomik të të gjithë zonës.

Jonela Sagajeva, RTSH: Opinionistët e shohin si me efekt elektoral?

Ministrja Eglantina Gjermeni: Ajo që kam ndjerë në çdo qytet, në çdo bashki, apo zonë që kam shkuar e theksoj që ka qene emocionuese për mua për faktin se qytetarët janë sorrollatur vite të tëra shumica e tyre për 10 vite.

Dhe unë do të doja që opinionistët të ngrin këtë shqetësim të parin: Ku kanë qenë 10 vite që kjo nuk është zgjidhur? Fakti që po zgjidhet dhe po legalizohet një ndërtim pa leje dhe më tepër po punohet qoftë për legalizimin e këtyrë ndërtimeve, qoftë për kontrollin e territorit që mos të kemi më ndërtime pa leje, qoftë edhe për planifikimin e territorit, që çdo gjë të bëhet në bazë të një plani, mendoj që është përqasje që i ka munguar Shqipërisë dhe kjo duhet të na gëzojë të gjithëve pa kufijë politikë.

E theksoj që proçesi i legalizimit nuk kanë qenë një proçes që e kemi ndarë, këta të legalizohen se janë të majtë dhe këta jo se janë të djathtë. Kudo ka qenë një diversitet dhe e tillë do të vazhdojë, pa përjashtuar askënd. Kjo duhet të na japi një mesazh pozitiv.

Nuk e di pse kjo mund të merret me konotacionin elektoral pse ndodhi tani në janar, ndërkohë që shumë të tjera janë bërë! Janë 24 vendime që kanë patur impakt të jashtëzakonshëm tek qytetarët. Unë besoj dhe mendoj që të jemi në një emërues të përbashkët që ta përmbyllim epokën e informalitetit dhe Shqipërinë ta fusim në zhvillimin e qëndrueshëm. Kjo është një gjë që shtetet e tjera e kanë bërë vite me rradhë, shumë para nesh, jemi të vonuar me kohën, por të mundemi ta bëjmë këtë gjë.

Jonela Sagajeva, RTSH: Por nisma juaj është kundërshtuar nga ministri i drejtësisë, Ylli Manjani me argumentin që shkakton konflikt kompetencash dhe nuk garanton kontrollin e territorit. Sa qëndrojnë arsyet e tij kundër?

Ministrja Eglantina Gjermeni: Dua të theksoj që për çdo vendim të Këshillit të Ministrave që ne hartojmë për shkak të proçedurave ligjore dhe institucionale i shkon për mendim një pjesë të mirë të ministrive, padyshim ministrisë së Drejtësisë, asaj të Financave etj, në varësi të specifikave që ka çdo VKM.

Në mbledhjen e këshillit të Ministrave ku u diskutua kjo, ministri Manjani nuk ishte kundër. Dy ndjeshmëritë e tij u sqaruan. Në fakt që me ligjin egzistues të legalizimeve të vitit 2006, këtë përgjegjësi për shtesat pa leje të pallateve qofshin anësore qoftë në lartësi ishte përgjegjësi dhe është ligjërisht e ALUIZN-it. Shqetësimi tjetër i zotit Manjani, ishte përsa i përket detyrimeve të subjekteve ndërtuese. Është e shprehur në mënyrë eksplicite të VKM-së që sapo miratuam, që të gjitha detyrimet e subjekteve do të realizohen nga institucionet përgjegjëse sipas legjislacionit në fuqi. Unë diskutimet dhe mendimet qoftë ndryshe, qoftë kundra, debatet mes nesh përsa i përket përmirësimit të kuadrit ligjor i shikoj si pjesë e punës që e pasurojnë vendimin dhe ligjin që do të kalojmë, dhe e bëjnë më të mirë atë.

Jonela Sagajeva, RTSH: A do paguajnë ndonjë tarifë qytetarët apo do të jenë të çliruar tërësisht në këtë proçes?

Ministrja Eglantina Gjermeni: Do jenë ndërtuesit ata që do të ftohen nga ALUIZNI për ta realizuar këtë proçes, për ta ndjekur derisa të merret hipoteka për të gjithë banorët dhe do t’ju lihet një afat 1 muaj. Në rast se subjektet për shumë arsye nuk janë të interesuar, atëherë do të thotë që ALUIZNI këtë përgjegjësi do ta ndjekë bashkë me qytetarët. Taksa e infrastrukturës që është pjesë e detyrimit ligjor do të paguhet sipas legjislacionit në fuqi. Proçedura e legalizimit si në të gjitha rastet do të jetë falas.

Jonela Sagajeva, RTSH: Sa leje ndërtimi janë aplikuar?

Ministrja Eglantina Gjermeni: Unë dua të theksoj që viti i kaluar për Ministrinë e Zhvillimit Urban ka qenë i frytshëm në disa aspekte. Pikë kulminante ishte aplikimi i lejeve on linë të ndërtimit, gjë që u vlerësua edhe nga Banka Botërore që në raportin Doing Business patëm rankimin më të lartë. Aplikimet on line filluan me ndryshimet ligjore, për ta bërë të mundur këtë gjë, më pas me përgatitjen tonë bazuar në përvojat e suksesshme të rajonit, filloi trajnimi dhe nga 1 shtatori u bë i detyrueshëm aplikimi vetëm on line. Përgjegjëse janë njësitë vendore, ndërkohë që Këshilli i Territorit është përgjegjëse për investimet strategjike. Stafet e bashkive janë trajnuar nga ne në vazhdimësi.

Nga shtatori deri në fund të dhjetorit, janë kryer 809 aplikime on line në Bashki dhe KKT. Vetëm Bashkia e Tiranës ka dhënë 45 leje ndërtimi dhe 62 leje zhvëllimore, ndërkohë që në rang vendi janë dhënë 65 leje ndërtimi nga bashkitë, të tjerat janë në proçes e sipër. Tani mund të aplikojnë të gjithë, më kartën e identitetit në portalin e- albania për çfarëdo lloj leje ndërtimi. Ne dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit e monitorjmë vazhdimisht.

Gjirokastër, stabilizohet gjëndja nga dëbora

Posted: 14 Jan 2017 06:01 AM PST

Në Gjirokastër në lagjet Meçitë, Palorto, Varosh vende këto të njohura për rruget e tyre të kalldremta, levizja e kalimtareve ka rinisur normalisht. Banorët kanë filluar të ecin kalldrëmeve me automjetet e tyre pas disa ditësh kur rruget ishin të pushtuara nga akulli. E njëjta situatë është edhe në njësitë administrative, ku të gjitha rrugët që i lidhin ato me qëndrën e qytetit janë hapur dhe janë të kalueshme. Tre ditë më parë trashësia e dëborës në qytet i kaloi 15 cm ndërsa në zonat më të thella rreth 30 cm. Kjo situatë solli jo pak vështirësi, ku probleme u konstatuan edhe në furnizimin me ujë të pijshëm, ndërsa në urgjencën e spitalit rajonal "Omer Nishani" u shtua numri i pacientëve që kërkuan ndihmë mjekësore.

Brenda 3 ditëve u regjistruar 20 raste të personave me fraktura të rënda për shkak të rrëshqitjeve. Ndërsa 12 vetë kanë patur komplikacione për shkak të gripit.

PD: Plani rregullues i Tiranës, antikushtetues dhe cënon jetën e qytetarëve

Posted: 14 Jan 2017 05:55 AM PST

Plani rregullues i Tiranës miratuar me votat e shumicës së Këshillit Bashkiak, konsiderohet nga të djathtët në këtë këshill sikundër drejtues departamentesh të Partisë Demokratike, si antikushtetues dhe cënues për cilësinë e jetës së qytetarëve. Në tryezën e mbajtur për këtë plan, miratuar në fund të dhjetorit 2016-të, ekpertë të opozitës thanë se punimet për këtë plan që kulmojnë me sheshin e Kryeqytetit, do të ketë impakt negaviv në shëndetin e qytetarëve, pasi hapësirat e gjelbëruara janë zëvëndesuar me betonin.

Ndërsa për Besnik Aliajn, këshilli bashkiak me këtë plan, dhe për këtë arsye ai tha se do të shikojë pozicionin e tij në Këshill, ndërsa i kërkoi opozitës të forcojë aksionin kundër asaj që ai e cilësoi shkatërrim të Tiranës.

Për të djathtët në Këshillin Bashkiak, do të shikohen të gjitha format ligjore dhe jo vetëm, për të kontestuar planin, i cili është hartuar dhe miratuar sipas tyre në mungesë të plotë transparence.

Krahas shkatërrimit të qendrës së Tiranës, Parkut Kombëtar, ekspertët në këtë tryeze, thanë se ka një mungesë vizioni dhe sa i takon menaxhimit të trafikut, i rënduar së shumti nga punimet që po kryehen, gjithnjë sipas tyre për interesa klienteliste dhe jo në shërbim të Kryeqytetasve.

Treni nga Beogradi niset për Mitrovicë. Kosova, Provokim!

Posted: 14 Jan 2017 05:47 AM PST

Qeveria serbe ka çelur sot zyrtarisht linjën hekurudhore Beograd-Mitrovicë. Pjesa e jashtme e trenit është e dekoruar me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mbishkrimin "Kosova është serbe". Në ceremoninë e nisjen e trenit të parë, ka qenë i pranishëm edhe drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ndërsa udhëtimin me këtë tren e ka vazhduar zëvendësi i tij dhe drejtori i hekurudhave të Serbisë, Mirosllav Stojçiç. Autoritetet në Prishtinë kanë reaguar menjëherë duke e konsideruar këtë linjë të jashtëligjshme dhe si një provokim të radhës për destabilizimin e situatës në Kosovë. Ministrja për dialog e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se kjo është një ndërhyrje agresive në sovranitetin shtetëror të vendit dhe një dëshmi tjetër se Serbia po kërkon të destabilizojë Kosoven. Ajo i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që ta ndalë levizjen e trenit te jashtëligjshëm të Serbisë në Kosovë. Ndërsa deputetë të opozitës kanë hedhur kritika të ashpra në adresë të Qeverisë për lejimin e qarkullimit të trenit nga Beogradi për në Mitrovicë. Ndërkohë, ish-zëvendëskryeministrja, tani kryetare e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, ka propozuar masa reciprociteti me Serbinë. Institucionet e Kosovës nuk administrojnë më hekurudhat në veri të vendit. Administrimi mbi këto hekurudha nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi, nga ajo periudhë, linjat hekurudhore në veri janë nën administrimin e Serbisë dhe strukturave paralele serbe. Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

PROTEZA FALAS EDHE PËR PACIENTËT E NEUROKIRURGJISË NË QSUT

Posted: 14 Jan 2017 05:43 AM PST

Prej dy javësh tashmë në Spitalin e traumës në QSUT ofrohet një shërbim i ri. Për herë të parë ofrohen proteza tërësisht falas dhe me një standard të lartë për pacientët me dëmtime të shtyllës kurrizore. Ministri Beqaj tha se kjo është një ndihmë jo vetëm për pacientët por edhe për mjekët pasi ju jep mundësi atyre të shprehin më të mirën në profesionin e tyre.

"Është goxha ndihmë, besoj unë, në radhë të parë për pacientët, është edhe për ju vetë që punoni përditë, domethënë, qoftë sepse arrinit shërbeni njerëzve, arrini të shprehni më të mirën tuaj në profesion, për fat të mirë ne edhe, me sa e konfirmoni ju, dhe cilësia e protezave dhe instrumentave që bëjnë të mundur është goxha e lartë", nënvizoi, z. Beqaj.

Në pranverë do të jenë gati edhe mjediset e rikonstruktuara të Fizioterapisë së këtij spitali, ku të sëmurët do të kenë mundësi të bëjnë më shpejtë edhe fazën e rikuperimit. Dr. Fatos Olldashi, Shef i Departamentit të neurokirurgjisë në Spitalin Universitar të Traumës, shprehet se protezat që po përdoren, përveçse janë të një cilësie tepër të lartë, ndihmojnë edhe në fazën e rikuperimit të pacientit.

"Kjo ndikon në radhë të parë tek të sëmurët që shërohen shpejtë, hyjnë në aktivitet normal shumë shpejtë. Në qoftë se më parë, për një të sëmurë me dëmtime të shtyllës kurrizore, do të duhej që të mbahej në spital në regjim shtrati 6 deri në 8 javë, domethënë 2 muaj të qëndronte në kushtet e spitalit, sot ky i sëmurë mbahet vetëm një javë, deri në momentin që shërohet plaga dhe hiqen suturat dhe pastaj kthehet në shtëpi", shprehet Dr. Olldashi.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, ishte në mjediset e spitalit ku takoi nga afër dy prej pacientëve që kanë realizuar ndërhyrjet. Janë ne totral rreth 1.2 miliardë leke te investuara vetem ne Qendren Kombëtare te Traumës së vendi, pjesë e financimit prej 1.8 miliardë që është në gjithë vendin.

Rikthehen temperaturat e ulta dhe rreshjet e dëborës

Posted: 14 Jan 2017 05:33 AM PST

Temperaturat e ulta dhe rreshjet e dëborës kryesisht në zonat malore do të rikthehen përgjatë mbrëmjes së kësaj të shtune ku parashikohet mot me vranësira të çrregullta dhe ne lartësitë mbi 1000 m reshjet do të jenë në formë dëbore. Emergjencat Civile raportuan këtë të shtunë se përmirësimi i kushteve atmosferike dhe rritja e vogël e temperaturave ka sjellë një lehtësim në territorin e vendit por që kjo situatë pritet të vështirësohet. Nga informacionet e mbledhura të gjitha rrugët kombëtare janë të kalueshme ndërsa të bblukara nga dëbora janë vetëm tre akse. Në Bashkinë Kukës, i bllokuar është aksi rrugor për në njësinë administrative Arrën. Në qarkun Dibër Aksi rrugor rural Peshkopi-Lurë vazhdon të jetë i bllokuar. Dhe jo për shkak të dëborës por si shkak i rrëshqitjeve të dherave e bllokuar është Rruga Laç – Vau Dejës – Qafë Çelë.

Normale paraqitet situata e qarkullimit të mjeteve në akset kombëtare. Në aksin Milot – Tuneli i Thirrës, Reps – Tuneli Thirrë,  qarkullimi i mjeteve kryhet pa zinxhirë.

Emergjencat civile raportiuan këtë të shtunë probleme me energjinë elektrike vetëm në këto fshatra në qarkun e Shkodrës përkatësishtn dy fshatra në Iballë, Fushë Arrës, dhe në dy fshatra në Blerim

Dy janë rastet e regjistruara të emergjencave shëndetësore, aktualisht nën kontroll mjekësor.

Hapen dyert e burgjeve për 731 të dënuar që kanë përfituar nga amnistia

Posted: 14 Jan 2017 05:26 AM PST

Dita e sotme ka shënuar edhe hapjen e dyerve të burgjeve për të dënuar që kanë përfituar nga amnistia, ligj i cili u miratua muajin dhjetor të vitit që lamë pas. Bëhet fjalë për 731 të dënuar që përfituan 152 nga Burgu i Fierit, 131 persona nga ai iPpeqinit, 117 nga burgu i Lezhës, 110 të dënuar nga burgu i Rrogozhinës dhe 11 nga burugu 313 dhe 302 në kryqytet.

Ditë më përpara është lajmëruar edhe Policia e Shtetit, në mënyrë që personat që do të lirohen të mos kenë probleme jashtë mureve të burgut, pasi dihet që janë me precedentë të ndryshëm penalë dhe mund të kenë hasmërira të ndryshme.

Nga amnistia përfituan edhe 9 gra që vuajtën dënimin në burgun e Ali Demit në kryeqytet. Sfidë për këto gra por edhe për të dënuarit e tjerë sipas ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani mbetet riintegrimi i tyre si njerëz të lirë. Këtu manjani kërkoi edhe vëmendjen e Ministrisë së Cështjeve Sociale për punësimin e kësaj kategorie.

Veliaj: “10 km korsi të dedikuara për biçikletat në Tiranë”

Posted: 14 Jan 2017 05:20 AM PST

Bashkia e Tiranës parashikon ndërtimin e 10 kilometrave korsi të dedikuara për lëvizjen e biçikletave. Promovimi i lëvizjes me biçikleta, është mënyrë e shëndetshme jetese si dhe ndikon në lehtësimin e trafikun në rrugët e Tiranës, Për herë të parë është vendosur një fond i posaçëm për këtë qëllim edhe në Buxhetin e Bashkisë së Tiranës, e rrugët e reja po ndërtohen duke pasur edhe një korsi të dedikuar për biçikletat.

"Kemi filluar me disa rrugë, si rrugët kryesore "Dritan Hoxha", rruga "Gjergj Filipi" te Pallati i Kongreseve, rruga e "Kosovarëve", pra të gjithë rrugët e reja po pajisen me një korsi të dedikuar biçikletash, por kjo nuk mjafton.

Ai theksoi se shumë shpejt do të fillojë përcaktimi i korsive për biçikletat në disa nga rrugët kryesore ekzistuese të kryeqytetit.

"Do të fillojmë me aksin bulevardi "Zogu i Parë", gjithë bulevardi "Dëshmorët e Kombit", aksi nga qendra deri tek rruga e "Dibrës", deri te Farmacia 10 dhe pastaj nga Farmacia 10 deri në Kinostudio; po kështu me rrugën e re të Kombinatit. Duke pasur një rrjet prej 10 kilometrash, besoj se mund të flasim seriozisht për kulturën e rikthyer të biçikletës në Tiranë", shtoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se ndërtimi i korsive të posaçme të dedikuara për biçikletat është një investim afatgjatë . Studimi i posaçëm për këtë investim u prezantua në takimin me ambasadoren e Hollandës Dewi De Weerd, profesorë të ardhur nga Hollanda dhe Unversiteti i Tiranës

Genoveva Ruiz-Calavera, emri i parë i përzgjedhur mes anëtarëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të “Vettingut”

Posted: 14 Jan 2017 05:15 AM PST

Tashmë që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për procesin e "Vettingut" ka një emër të konfirmuar, duket se procesi i votuar njëzëri në parlamentin shqiptar do të nisë seriozisht një rrugëtim të konsideruar sa të pamundur në fillim të tij, tani model për rajonin. Genoveva Ruiz-Calavera e bërë publike nga media në Shqipëri si emri i parë i përzgjedhur mes anëtarëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të drejtuar të gjithë anëtarët e tjerë që janë paralajmëruar nga media se do i takojnë Gjermanisë, Austrisë, Holandës e Italisë. Drejtoresha për Ballkanin perëndimor në Komisionin Europian që prej majit të vitit të kaluar, ka një përvojë të shtrirë në kohë me menaxhimin e auditimin e financave dhe marrëdhënieve të politikës së jashtme që nga viti 1992 kur nisi punën në Komisionin Europian në fushën e tatimeve dhe doganave. Ruiz Kalavera që ka punuar në taskforcën e KE-së për rindërtimin e Kosovës, pritet të drejtojë një operacion që duket kyç për thelbin e një reforme që do duhet të pastrojë sistemin e drejtësisë në vend. Duke iu referuar postit të saj aktual, drejtoreshë e Ballkanit perëndimor, duket se investimi i Komisionit Europian mbi një proces të tillë është mëse autoritar dhe me kërkesë të lartë për një produkt të qëndrueshëm. Realizimi i tij në terren do të duhet të çojë në një sistem drejtësie që siguron dhënien e saj në kohë dhe mbron qytetarët e pronën në Shqipëri.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more