Skip to main content

“Merreni “patriotizmin” dhe shkoni në dreq të mallkuar” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Merreni “patriotizmin” dhe shkoni në dreq të mallkuar” plus 1 more Telegrafi Opinione


Merreni “patriotizmin” dhe shkoni në dreq të mallkuar

Posted: 13 Jan 2017 01:03 PM PST

Shqiptarët e Maqedonisë javën e kaluar u gëzuan. Me ta u gëzuan shqiptarët gjithandej, pasi vëllezërit e tyre të gjakut kishin arritur një marrëveshje. U gëzuan për deklaratën e përbashkët të partive shqiptare, ku numëroheshin pikat që as ishin menduar se mund të realizoheshin në shtetin më nacionalist në Ballkan. Kishte edhe xhelozi pasi, siç dihet, shqiptarët gjithandej nuk janë imunë ndaj përçarjeve dhe humbjes së toruas – atëherë kur nuk duhet.

Por, ende pa u bërë një javë, nisi të ndryshojë retorika e veprimit e partive që e nënshkruan deklaratën historike për shqiptarët e Maqedonisë. Disa ktheheshin tek platforma që e kishin prezantuar në fushatë, e të tjerët mburreshin nëpër emisione televizive se disa nga pikat e platformës qenkan propozim i partisë së tyre.

A nuk është e turpshme zotërinj, që me shumë egoizëm të flisni edhe përballë një deklarate që dha shpresë se politikanët e shitur dhe politikanët me fjalë boshe do të ishin e kaluara e këtij vendi. Të mjerët ju që mendoni se jeni të pazëvendësueshëm dhe të paprekshëm. Kujtojeni pak Partinë Demokratike Shqiptare dhe Partinë për Prosperitet Demokratik. Ku janë ata tani?

Deklarata që ju e nënshkruat nuk ishte ideale, por ishte shpresëdhënëse. Nuk i kishte të gjithë pikat e duhura, por i kishte nevojat që ju asnjëherë nuk i plotësuat për shqiptarët e Maqedonisë. Nuk kishte mbështetje të fuqishme për Prokurorinë Speciale Publike, por vetëm mbështetje deklarative. Pse kështu? Sepse nesër pushteti do t'ju marrë mendtë dhe ju do të jeni të ulur në bankën e të akuzuarit në seanca, në po këtë Prokurori Speciale Publike. Athua vallë, edhe Gjykata Speciale nuk u shkrua si pikë në këtë deklaratë për arsye të njëjtë?

As veteranët nga lufta e 2001-shit nuk ishin në atë deklaratë. Pse vallë? Sepse gjysma e tyre janë në burg e pjesët tjera në diasporë ose nëpër varre?

E tash, ndoshta keni harruar se nga vini!? Ju të nderuar vini nga votat e familjarëve që lidhen me atë luftë. E, pozita juaj si deputetë, e dini prej nga vjen? Vjen prej krizës politike që e nisi dikush tjetër, për të cilën ju nuk patët guxim as të mendoni.

E sot? Çka u bë sot? Dolët kundër njëri-tjetrit apo ky është paragjykim?!

Jo nuk është paragjykim po një ters që e nisët. Do të bëni koalicion me një ndër politikanët më të tmerrshëm në Evropë, apo jo? Kjo është çështja! Jo se ai tjetri është më i mirë, por ju, pikërisht ju na keni bërë të mendojmë që të gjejmë të keqen më të vogël në këtë shtet që duhej qëmoti të gjente rrugën e duhur e mos të mbetet vrima e zezë në Evropë, ku mbi të gjitha gjejnë vendstrehim kriminelët.

Ju kujtohet Subrata Roy? Ai ishte shpresa e Qeverisë, që ishit edhe ju! Ku është ai tani? Në burg, të nderuar! I ndaluar për keqpërdorime financiare dhe fshehje të tatimit. Edhe partnerët tuaj, njëjtë, kanë kompani fiktive nëpër parajsat tatimore. Ju kujtohet Belize? A e dini ku është? E dini, e dini…

E ju, nga BDI? Cilat ishin pikat që ju i kërkoni nga mandatari? NATO dhe BE? A po talleni apo çfarë? Gjuha shqipe thoni se është zyrtarizuar që nga viti 2013? A është zyrtarizuar gjuha shqipe? Po apo jo? Da ili ne? Pse duhet të zyrtarizohet një gjuhë dy herë?

Madje, ju nga BDI filluat me patriotizmin që e kemi dëgjuar edhe në vitin 2008, 2011, 2012 e 2014! Dhe, tani përsëri e përdorni taktikën e njëjtë. Pse mendoni se tallja do t'ju funksionojë? A nuk mësuat se këto tallje, arroganca dhe përbuzja ju kushtuan me 10 deputetë. Kush i ka fajet? Zoran Zaevi? Partitë e vogla që tani i lusni për t'jua shpëtuar jetën?

Thënë të drejtën, Prokuroria Speciale Publike do të vazhdojë të jetë rregullator i këtij sistemi të kalbur politik. E patët, apo jo – ju në listën e pikave që i quani ”vija të kuqe”! Sa herë i keni shlyer këto vija?

Shqiptarët – apo siç doni t’i quani, votuesit tuaj të përbetuar – duan ekonomi e jo kopalla. Duan shkolla, jo pallavra. Duan libra pa ofendime, jo premtime koti. Duan rrugë, jo të mbeten në rrugë. Duan rroga, jo të jenë rrogëtarë. Duan shëndetësi, jo qetësues për gjumë të ”rehatshëm”. Duan ekonomi, jo tallje. Duan kulturë, jo gënjeshtra. Duan të bëjnë jetë e jo të jetojnë për të pritur vdekjen. Duan fëmijë të arsimuar, jo fëmijë të manipuluar. Duan të ndjejnë se gjërat do të rregullohen për të mirë me ekonomi, e jo me patriotizëm koti. U ngopëm 15 vite me ju dhe 10 me tjerët.

Të vetvetes, pa ju, për të mirën tonë.

The post Merreni "patriotizmin" dhe shkoni në dreq të mallkuar appeared first on Telegrafi.

Amza skllavodashëse…

Posted: 13 Jan 2017 10:18 AM PST

Vetëm ngulmëria principiale, kultura ime leximore, do t’më shtyjë ti shkoja deri në fund romanit “Nënshtrimi” të Michel Houellebecq-ut. Më ngjante sikur shfletoja një pamflet të “Pegidas” dresdenjane. Pa art, pa bukuri, pa dhimbje dhe pa notën e letërsisë së deshpërimit…

1.

Nuk është ëndje e fshehtë dëshirake, aventurë fantaste, fluturim i magjishëm letrar. Një luftë civile parandjehet e, biles, kushtrimohet të ndodh shpejt midis “identitarëve europianë” dhe ardhësve islamistë që nxijnë si laraskat në motin me stuhi. “Ne nuk duam vërshimin e mallrave kinezë, praninë shfytyruese të kulturës amerikane, emigrantët myslimanë. Ky është trolli ynë dhe duam ta zotnojmë atë”. Kështu thotë kryerrëfimtari i librit (përmes fjalës së një sigurimsi të lartë në Shërbimin inteligjent). I tronditur e plot ankth. Ndërsa algjerianët behnin nga një tjetër kontinent e hemisferë kulturore, kosovarët që poashtu piketohen në po atë kontekst, në qarkun e “ujqërve” të Al-Kaidas, janë vendës. A nuk është, vërtetë, Europa shtëpia e tyre?

Mirëpo këmbana e tij nuk është e re. As e vetmuar. I kanë rënë asaj dhe të tjerë më parë. Ndaj, vjen ajo si komponim harmonik me britmën e Thilo Sarrazin-it që alarmon: Gjermania po idiotizohet nga aziatët muhamedanë, kulturalisht të paaftë dhe biologjikisht inferiorë.

Edhe Marine Le Pen e skandalizuar pse gjermanja Angelë pranonte mijëra sirianë, që pikërisht armët e saj ua kishin rrënuar jetën, ironizonte: ah, gjermanët nëvojisin robër. Po si kështu? Franca nuk vuan më këtë nëvojë, këtë sindrom, këtë afsh të egër? Aq më tepër që është mësuar dhe s’mund të rrojë pa përuljen e tyre!

Në këtë vështrim ajo s’është veçse një nxënëse e dobët e Kamysë që në “Letra mikut gjerman” shkruante: Ne nuk i dhuruam botës skllevër. Po kujt ia thoshte ai e, më pas, kujt ia përseriste ajo këtë trill?

2.

Kuptoj e përfill n’plotëri, me ndjesi e arësye, sentimentin e njeriut europian. Është dhe sentimenti im. Tmerrin e të bardhit që pakësohet, ankthin gërryes nga programi i hixhra-emigrantëve që ia mësyjnë të kthejnë Dar El-Kufrin e nëmur në Dar El-Islamin e bekuar, evokimin frymëzues të betejave për të dëbuar myslimanët nga Europa e hershme…

Por, sërish, të gjithë bashkë sikur harrojnë lehtësisht një mësim të thjeshtë: ligjin e pamëshirshëm të kauzalitetit ose shkak-pasojën e dialektikës historike. Ç’kërkonte, pra, njeriu francez në Amerikë, në Magreb, në Afrikë dhe në gjithë botën? Kush e ftoi që të vriste, grabiste, poshtëronte e robnonte? Kush? Athua vetë të shtypurit, t’skamurit, të përbuzurit e Franz Fanonit? Ata që kishin mall e nëvojë për të qenë skllevër? Që i biri të shalonte nënën, që të hanin jashtëqitjen e tyre dhe të shërbenin si ushqim për peshq të uritur apo qen grindavecë vetëm për zbavitjen barbare të tij?!

Ende sot ai nxitë kryengritje, shuan rebelime, kontrollon burime, rrëzon e fronson tiranë dhe provon armë e doktrina ndër popujt “adoleshentë” a “natyrorë” në errësirën e tyre kronike..!

3.

Marsejeza, revolucioni i egalite-libertesë janë gjithnjë fanar zgjimi nga diktaturat a pushtimi i huaj. Ndoshta dhe i atyre që, madje në Europë, figurojnë në listën e Shoqatës së popujve të robnuar…Por, me gjasë, frëngu e kishte menduar atë për vete. Jashtë dhéut të tij, duhej të kishte ligje të ndryshme jete. Jean-Paul Sartre thoshte, po me këtë cinizëm, se komunizmi është i mirë për të tjerët, por jo për ne. E donte larg Francës së tij. Në stepat eksperimentale të Rusisë. Që këtej askush, veç britëve, nuk prodhoi skllevër më shumë se Franca në historinë e re të botës. Si për të plotësuar mozaikun,

Bernard-Henry Levy, mbanë tjetër, shkruante dinakshëm se Europa kristiane shpëtoi nga zhbërja myslimanët e Kosovës. Ç’vështrim i mykur që vinte pikërisht nga amza e rezervuar robdashëse. Shqiptarët e Kosovës nuk u gjenociduan dhe as nuk u mbrojtën si myslimanë. Ndryshe, përse aherë do të përgjakeshin mes vete kroatë e serbë, të dy të krishterë? Jo. Nuk kje “alfabeti shpirtëror” shtysa e ndjeshmërisë. Ishte interesi serbian për territor, resurse e qasje në det (për dalje nga “burgu” i Cvijiqit) që, tash njëqind vjet, përpiqet me hekur e gjak të gjej trollëzim.

Duke mbetur gjithnjë brenda llojit, Houellebecq shkruante në “Platfom-ën” e tij se me bombardimin e Jugosllavisë, dmth. Serbisë, në fundshekullin e ikur, e drejta dhe drejtësia humbëm përfundimisht kuptimin e vet. Ndërkaq, nëse të mos bombardoje Serbinë ishte njësoj sikur të kundroje duarkryq fortifikimet ariozofike të Rajhut të tretë – a nuk bënte aherë ky mendim levën intelektuale të ideologjisë së prodhimit të skllevërve?

Fundja dhe arresti i Ramushit, Luftëtar i lirisë së Kosovës, nuk është veçse pjesë e kësaj tradite të pasur skllavoprodhuese të Europës latine. Të Francës, veçanërisht!

The post Amza skllavodashëse… appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more