Skip to main content

Vdekja e lexuesit


VDEKJA E LEXUESIT

Para afër dyzet vjetësh Roland Barthes, duke lexuar “Sarrazinin” e Balzakut, e kumtoi vdekjen e autorit në letërsi: “lindja e lexuesit duhet të kushtojë me vdekjen e autorit”. Por, po të pajtohemi me poststrukturalistin Jacques Derrida se nuk ekziston asgjë jashtë tekstit, do të shohim që edhe lexuesi ka vdekur. Le të bëhemi pjesë e kortezhit në këtë funeral, duke e analizuar tregimin më të shkurtër në botë!

Ag APOLLONI

Mënyra epike e rrëfimit, që nga fillimi e deri sot, ka sjellë zakonisht vepra voluminoze. Zakonisht në veprat epike janë rrëfyer ngjarje të mëdha dhe histori të gjata. Të tilla janë, për shembull, epet e Homerit, sagat skandinave, romani “Lufta dhe Paqja”. Novela si një formë më e vogël dhe më e thjeshtë se romani zakonisht nuk i ngatërron linjat e rrëfimit dhe përqendrohet në një personazh ose në historinë e një personazhi. Ndërsa tregimi, si një formë më e vogël se novela, siç dihet nuk paraqet ndonjë histori të gjatë, por një moment kulmor të protagonistit ose thjesht ilustron një ide interesante në disa faqe. Por, brenda tregimit është prodhuar një formë edhe më e shkurtër. Kjo formë është minitregimi (short story).
Një ndër mjeshtrit e mëdhenj të tregimeve të vogla është shkrimtari nga Guatemala, Augusto Monterroso (1921-2003), i cili për mjeshtrinë e të shkruarit është shpërblyer me tituj të mëdhenj kombëtarë e ndërkombëtarë. Njihet si shkrimtar që ka kundërshtuar diktaturën e Jorge Ubicos dhe, pas rënies së diktaturës, ka mbajtur poste politike. Por, mbi të gjitha, ai njihet si autori i tregimit më të shkurtër në botë, “Dinosauri”, të cilin Mario Vargas Llosa e vlerëson maksimalisht duke e quajtur “tregimi më i shkurtër dhe më i mirë në botë”.

Universi narrativ në një fjali

“Dinosuari” (“El Dinosaurio”), i publikuar në “Obras completas (Y otros cuentos)”, më 1959, është tregim i përbërë vetëm nga një fjali: “Cuando despertó, el dinosaurio todavía estaba allí”. Ky tregim në gjuhën angleze është përkthyer kështu: "When [s]he awoke, the dinosaur was still there”, ndërsa në shqip do të dukej kështu: “Kur ai (ajo) u zgjua, dinosauri ishte ende aty” ose, më shkurt (për ta evituar gjininë sikurse në origjinal): “Kur u zgjua, dinosuari ishte ende aty”. Pra, krejt teksti (në origjinal) përmban dyzetedy (42) shkronja, që formojnë një fjali dëftore, që ndahet në mes me një presje dhe mbaron, natyrisht, me një pikë. Mënyra dëftore e këtij tregimi është, në të vërtet, “mënyra e vetme e rrëfimit” (G. Genette), në përgjithësi.
Megjithëse tepër i shkurtër, ky tregim i ka të gjitha elementet narrative për të përçuar një mesazh artistik. Duke huazuar terminologjinë (dhe klasifikimin) nga Gerard Genette, së pari mund ta identifikojmë atë që Platoni e quante mënyrë e pastër narrative, pasi që këtu flet narratori pa ua dhënë fjalën personazheve. Mandej nënmënyrën (submodale): narracion në vetën e tretë (heterodiegjetik - subjekti që flet nuk implikohet në ngjarjet për të cilat flet). Gjithashtu i përket gjinisë së tregimit. Ndërsa është i klasifikueshëm në nëngjininë e tregimit fantastik. Rrjedhimisht, fokalizatori (syri narrativ) është eksternal (i jashtëm), sheh nga distanca dhe me një perspektive neutrale. Vokalizatori (po e propozoj si term që e mbulon sintagmën “zë narrativ”) është zë i panjohur që rrëfen. Pra, ky tekst është rrëfim (diegesis), jo “tregim” (mimesis). Ai rrëfen (ang.: telling) për të shkuarën, nuk paraqet (ang.: showing) asgjë në të tashmen. Vokalizatori i drejtohet veshit, jo syrit. E, pikërisht kombinimi i fokalizatorit me vokalizatorin e paraqesin situatën narrative.
Gjithashtu te “Dinosuari” kemi edhe dy personazhe të kundërta, që (kushtimisht) mund t’i ndajmë në pozitiv dhe negativ. Pasi që bota është antropocentrike, jemi të prirur që pozitiv (protagonist) ta quajmë njeriun (mashkull a femër nuk merret vesh, por edhe nuk çon peshë) i cili zgjohet, ndërsa negativ (antagonist) ta quajmë dinosaurin i cili “ishte ende aty”. Koha e ngjarjes kuptohet që është e shkuar (kur u zgjua, ishte), ndërsa hapësira (aty) mbetet e papërcaktuar për lexuesin. Nuk e shohim të gjithë ngjarjen, por vetëm një skenë (dikush po zgjohet dhe një dinosaur qenka ende aty!). Mirëpo, kjo skenë tregon se jemi në mes të një intrige (diçka ka ndodhur më parë, diçka do të ndodhë më pas!) dhe paralajmëron një aksion (njeriu ose do të provojë të ikë, ose të përleshet, ose, fundja, të pajtohet me dinosuarin).
Pra, nëse i referohemi skemës së Claude Bremondit, në këtë minitregim kemi një eventualitet, që nuk na tregon nëse do të kemi një kalim në akt, ose moskalim në akt. Në fakt, fjala e vetme që e lëviz pozën (që tregon veprim) është folja “despertó” (u zgjua), e cila, megjithëse e fsheh gjininë (kush zgjohet?), madje edhe specien (vetëm mund të supozojmë që i zgjuari është njeri!), nuk e fsheh atë që është esenciale për të: veprimin. Vetëm nëse e shohim në kontekst, e kuptojmë që kjo folje sjellë dramën dhe paralajmëron rrezikun. I fjeturi, sikurse edhe i vdekuri, s’e njohin rrezikun. Por, kur ai “zgjohet”, menjëherë përballet me rrezikun. Mesazhi i parë që derivon nga ky tregim mund të jetë: “jeta është sfidë”, ose “të zgjohesh do të thotë të përballesh me rreziqe”. Mesazhi tjetër mund të jetë: “po s’veprove (po fjete), e keqja nuk zhduket (është ende aty)”. Por, “différance” e Derridasë na e tërheq vërejtjen që “ajo çfarë ka shkruar autori” dhe “ajo çfarë ka dashur të thotë autori” kurrë nuk përputhen, prandaj të kërkosh mesazhin e saktë që ka dashur ta japë autori është humbje kohe.
Të zgjuarin menjëherë pas presjes e pret dinosuari i cili, me gjithë tmerrin që përfaqëson, ndodhet në mes të fjalisë (tregimit). Edhe pse dikur ishte qenie reale, ai i jep tregimit dimension fantastik, meqenëse përfytyrimi që kemi për të i kalon caqet e kafshës së zakonshme. Pra, derisa para presjes kishim protagonistin, pas presjes kemi antagonistin. Themi antagonistin pasi që mendojmë se dinosauri mund ta hajë “njeriun”, dhe jo “njeriu” dinosaurin. Domethënë, instinktivisht lexuesi pozicionohet në anën e “të dobëtit”, ose në anën e species së tij. Mandej, pas emrit “dinosauri”, me foljen “ishte” shënohet e shenjohet koha e kryer e pasuar nga ndajfolja “ende”, e cila tregon se dinosauri është i gjallë dhe përballë protagonistit. Po të hiqej kjo ndajfolje e kohës, nuk do të kishim asnjë argument për ta ditur nëse dinosauri është i gjallë, apo i vdekur. Por ai “ishte ende aty”, domethënë nuk ishte larguar. Ndërsa ndajfolja e vendit (aty) është mënyra më e mirë për ta dalluar narraterin nga lexuesi. Dëgjuesi ose lexuesi fiktiv (narrateri) po e di se ku është ai vend, prandaj narratori thotë thjesht “aty”.
Kështu që, autori e ka krijuar një botë narrative (fiksionale), e ka mbyllur derën e saj për të mos hyrë në të asnjë qenie reale, pastaj e ka gëlltitur çelësin dhe ka vdekur.

Teksti lexohet edhe kur s’e lexojmë

Ndryshe nga pozitivizmi frëng që studionte autorin për ta kuptuar tekstin, Roland Barthes “e vrau” autorin për t’ia lënë tekstin lexuesit. Këtë mendim e kishin absolutizuar “recepsionistët” (H. R. Jaus, W. Iser, S. Fish etj.), ndërsa e kishte tëholluar Umberto Eco me Lexuesin Model, i cili projektohet në kokën e autorit dhe prodhohet njëkohësisht me tekstin.
Mirëpo, përderisa vritet autori e lihet të jetojë lexuesi, kuptohet që interpretimi i tekstit bëhet kalimthi. Përqendrimi në tekst bëhet vetëm atëherë kur shpallen të vdekur së bashku autori dhe lexuesi. Kjo vdekje dyfishe kushtëzon jetën e plotë të tekstit, sepse “nuk ka asgjë jashtë tekstit” (il n’y a pas de hors texte), thoshte Derrida duke ia mohuar fjalës mundësinë e përfaqësimit të referencës. Në këtë rast, “nuk ka asgjë jashtë tekstit” do të thotë “as autor, as lexues, as botë reale”. Teksti narrativ është botë fiksionale, ku s’mund të hyjë asnjë qenie reale. Në tekst ka ngjarje, personazhe dhe elemente tjera narrative. Autori më nuk i drejtohet lexuesit, por narratori narraterit. Kësisoj, jeta e tekstit duhet të kushtojë me vdekjen e lexuesit.
Me termat narrator (narrateur) dhe narrater (narrataire), edhe pse nuk e thotë decidivisht, Genette e kundërshton konceptin e Barthesit duke ia vrarë “të ardhmen” e tekstit (lexuesin). Sipas tij, narratori dhe narrateri janë qenie fiksionale brenda rrëfimit. Si të tillë, ata mund të komunikojnë ndërmjet vete.
Koncepti i narraterit e përmbys konceptin e lexuesit dhe e promovon botën intratekstuale (brenda tekstit), pra botën fiksionale që e ka të mbyllur derën për çfarëdo qenie reale. Kjo nuk do të thotë se hidhet poshtë mendimi që “tekstet flasin me njëri tjetrin”(U. Eco), por insistohet në pohimin që rrëfimi mund ta lexojë vetveten. Teksti mund të dialogojë me tekstet tjera, por fiksioni s’ka pse t’i hapë dyert para realitetit. Tekstit, porsa të prodhohet, nuk i nevojitet më as autori, as lexuesi. Teksti lexon vetveten – kjo është utopia që e kanë kërkuar shkrimtarët që nga fillimi!
Të gjithë ata që përtojnë të lexojnë, ja ku e kanë “Dinosaurin” e Monterrosos që nuk të merr më shumë se tre sekonda lexim. Por, mbase duke e marrë me mend që ka edhe lexues të tillë që përtojnë t’i humbasin edhe kaq sekonda me lexim, autori e shpik narraterin për ta shpëtuar rrëfimin e tij. Ndajfolja “aty” e tregimit të Monterrosos e shpall të vdekur lexuesin.
Kujdes! Ai dinosaur që po rri përballë “protagonistit”, është duke përtypur diçka. Mos u çuditni nëse edicioni i lajmeve qëndrore fillon me këtë lajm: “Me keqardhje ju njoftojmë se dinosuari e hëngri lexuesin!”.

vdekja e lexuesit,vdekja per lexim,lexuesi vdekja
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more