Skip to main content

Teoria e Qarkut


100-vjetori i lindjes së dijetarit Eqrem Çabej 

Teoria e Qarkut 

Teoria e Qarkut e Çabejit është valide vetëm për letërsinë parakombëtare. Në momentin kur synohet të praktikohet te letërsia kombëtare, ajo dështon, sepse krijimi i qarqeve është krijim i klaneve, kurse letërsia kombëtare është përtej interesit klanor

Ag Apolloni 

Krahasuar me shkrimet e tij për gjuhësinë, Eqrem Çabej për letërsinë ka shkruar fare pak. Dhe ato pak shkrime i ka bërë në fillim të karrierës së tij, nga viti 1929, kur boton tekstin për poezinë e Lasgush Poradecit, e deri në vitin 1939, kur boton “skicën historike të literaturës shqipe”. Tekstet e Çabejit për letërsinë janë të pakta dhe të shkurtra, por të nevojshme për historinë e letërsisë shqiptare. Përveç për autorë të veçantë, si: De Rada, Naimi, Serembe, Asdreni e Lasgushi, Çabej ka shkruar edhe një tekst sinoptik (që pretendon të jetë një skicë për historinë e letërsisë shqipe), i cili quhet Literatura dhe radhitet si kapitull i dhjetë i trajtesës Për gjenezën e literaturës shqipe (1939).
Literatura e Çabejit është një projekt për shkrimin e historisë së letërsisë shqipe, duke e parë atë në relacion me letërsitë tjera të Ballkanit. Sipas këtij studiuesi, letërsitë e popujve ballkanikë kanë një aksiomatikë të dyfishtë. Te aksioma e parë ai veçon influencën e madhe të poezisë popullore në shkrimtarí, pra në letërsi të shkruar. Sipas tij, shkakun e kësaj influence, që vërehet në “lëndë, në formën e përmbrëndshme, në ritm, metrikë si dhe në veçantira”, duhet kërkuar te gjendja shoqërore dhe te mungesa e kulturës së shkollës, sepse poeti, thotë Çabej, s’mund t’u ikë rrethanave sociale. Kurse, te aksioma e dytë veçon ngjyrën e theksuar politike të letërsisë së shkruar, apo, si thotë ai, naturën politike të literaturës, që është karakteristikë jo vetëm e letërsisë shqipe, por e mbarë letërsive ballkanike, ku poetit i ka takuar barra e apostullit nacional. Prandaj, edhe tema e letërsisë ballkanike ka qenë nacion dhe politikë.
Në pasusin pasues, Çabej, i ndikuar nga Lambertzi, shpreh idenë se ndarja e letërsisë shqiptare “nuk duhet bërë sipas pikëpamjesh sistematike ose kronologjike-historike”. Në vend të periodizimit, ai preferon qarqet letrare, sepse, karakteri i popullit, mendon Çabej, është një imperativ kategorik që ka ndikuar në përcaktimin e llojit të letërsisë. Me sintagmën karakteri i popullit ai kuptonte katër faktorë:
1. fisi, i cili si “produkt etnik i gjendjes e i ndarjes së imtë gjeografike” ka përcaktuar personalitetin e shkrimtarëve; 
2. tradicioni i brëndshëm, i cili nënkupton lidhjen e pandashme dhe formimin e njëjtë të përfaqësuesve të qarkut; 
3. rryma centripetale të huaja, të cilat “kanë hyrë si nga toka si nga deti dhe duken në Shqipëri më intensive nga shkaku i vogëlsisë së vendit”; 
4. konfesioni, i cili, duke u përzier me tre faktorët e parë, “cakton së thelli rravën e formimit të shkrimtarisë”. 
“Duke u nisur nga këto mendime,- thotë Çabej, më është mbushur mëndja që prej vjetsh që një ndarje e drejtë e literaturës shqipe nuk duhet të dalij prej periodash historike, por prej qarqesh kulturore e literare”. Me fjalën qark ai kuptonte njësinë organike të truallit fisnor, të traditës kulturore të njëjtë dhe të faktorit fetar, i cili ishte bazë e fortë për ndarjen e letërsisë në qarqe dhe në dy raste del si përcaktues i tyre: Qarku katolik dhe Qarku ortodoks.
Për t’i takuar qarkut secili shkrimtar duhet ta ketë vetëdijen e qarkut. Shkrimtarët në qark nuk i fut historiani apo klasifikuesi i letërsisë, por ata vetë dhe me dëshirë bëhen pjesë e qarkut. Ata janë të vetëdijshëm që i përkasin një njësie dhe që kanë një traditë letrare gjithmonë të gjallë, e cila i lidh të gjithë përfaqësuesit e qarkut “në një vargua të natyrshëm”. Sipas Çabejit, dukjet sporadike janë të përjashtuara, ashtu si edhe rebelimi ndaj paraardhësit, sepse “seicili prej shkrimtarëve të këtyre qarqeve është në një farë mënyre trashëgimtari shpirtëror i parashkuësit, por të gjithë janë ruajtës e vazhdues të një drejtimi literar të ideve”.
Sipas Çabejit, ekzistojnë “katër qarqe kulturore e literare”:
1. Qarku katolik i Shqipërisë Veriore, 
2. Qarku italo-shqiptar, 
3. Qarku ortodoks i Shqipërisë Jugore, 
4. Literatura kombëtare e shekullit të XIX. 
Në tre qarqet e para shihen shenjat dalluese, kurse në qarkun e fundit, që, sipas Çabejit, është qark i përbashkët i literaturës nacionale, shihet shenja njësuese. Tre qarqet e para janë qarqe parakombëtare, ndërsa qarku i katërt është qark kombëtar. Në fakt, Çabej këtu bën një lajthitje teknike, sepse letërsia kombëtare nuk mund të quhet qark, ajo është shkrirje e qarqeve, të cilat ishin thjesht rryma regjionale. Por është krejtësisht i saktë konstatimi i tij që “komponentja fisore-regjonale dhe komponentja fetare me gjithë jetën kulturore e sociale përkatëse na japin sëfundi rezultanten nacionale”.
Teoria e Qarkut e Çabejit është një tendencë për ta shkruar historinë duke u bazuar në gjeografinë. Derisa ndarja në perioda historike nënkupton kohën, ndarja në qarqe nënkupton vendin. Siç u pa, kjo teori është valide vetëm për letërsinë parakombëtare. Në momentin kur synohet të praktikohet te letërsia kombëtare, ajo dështon, sepse krijimi i qarqeve është krijim i klaneve, kurse letërsia kombëtare është përtej interesit klanor. Në Qark nuk guxon të rebelohesh, prandaj shkrimtarët e qarkut janë një shumës i singularizuar. Lexo njërin dhe i ke lexuar të gjithë.

teoria e qarkut,ag apolloni,ag apolloni,teoria e qarkut,cabej,shkrime nga ag apolloni,Ag Apolloni,shkrim nga Ag Apolloni,teori e qarkut
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more