Skip to main content

Ringjallja e “Jetës së re” ka qenë sfidë


Ringjallja e “Jetës së re” ka qenë sfidë 

“Jeta e re” ka afruar rreth vetes shkrimtarët dhe lexuesit brenda dhe jashtë Kosovës dhe mendoj që është duke e kryer me sukses misionin e vet për ta kthyer edhe njëherë letërsinë në qendër të vëmendjes dhe për t’i njoftuar lexuesit shqiptarë me tendencat aktuale të letërsisë botërore, thotë Ag Apolloni në bisedë për “Zërin” 


Ragip Sylaj 


Ag Apolloni (Kaçanik, 1982) ka diplomuar në Degën e Dramaturgjisë në Fakultetin e Arteve dhe në Degën e Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës, në të cilin aktualisht është asistent i Letërsisë botërore dhe vazhdon studimet e doktoratës. Ka botuar këto vepra: Zomb (2009), Drama (2010) dhe Parabola postmoderne (2010). Aktualisht është kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re”. 

Zëri: Ju jeni fitues i çmimit të MKRS-së për librin më të mirë të vitit në poezi. Sipas jush, cila është rëndësia e një çmimi për krijuesin letrar dhe me ç’kritere jepen ato ndër ne? 

Apolloni: Unë librin nuk e kam shkruar për çmime, por çmimet janë bërë për libra dhe, si çdo njeri, ndihem mirë kur nderohem. Natyrisht rëndësia e një çmimi qëndron në faktin se tërheq vëmendjen e publikut rreth librit. Libri im së pari u mirëprit nga lexuesit, pastaj u vlerësua pozitivisht edhe nga kritika, për t’u kurorëzuar në fund me çmimin vjetor. Po të përdorej kriteri politik, unë, meqenëse kisha kritikuar disa herë ministrinë përkatëse, do të isha “i djegur”. Po të përdorej kriteri i “jaranive”, unë do të isha i fundit në listë, apo, mbase nuk do të figuroja fare aty. Por, supozoj që juria kishte një kriter letrar dhe besoj që vepra do t’ia shtojë vlerën çmimit. 


Zëri: Ju jeni autor i librit të shpërblyer të poezive “Zomb”. Cili është vlerësimi juaj për poezinë që krijohet sot në Kosovë? Ku është ajo në kontekst të vlerave të poezisë evropiane dhe më gjerë? 

Apolloni: Është shumë e vështirë të vlerësohet poezia shqipe sot, kur kemi një vërshim botimesh me poezi. Kurrë nuk është shkruar më shumë dhe kurrë nuk është shkruar më keq. Poezia ende shkruhet me një patetikë të padurueshme, me një ide kryekreje nacionale, shpesh kemi edhe poezi mediokre që shkruhet për “mesengjerin”, “facebook”-un, kompjuterin, “kabllovikin”, veturën etj., poezi kjo që, si duket, dëshiron ta kthejë poezinë një shekull mbrapa, në kohën e futuristëve që himnizonin teknologjinë. Sot, kudo në botë, poezia, po edhe mbarë letërsia, i është kthyer ndjenjave, është vënë në kërkim të një spiritualiteti, të cilin e kishin zhdukur ideologjitë materialiste. Poezia shqipe rrallë mban kontakte me poezinë aktuale të botës dhe kjo është dobësia e saj. Mund të tingëllojë pesimiste kjo që do të them, por shumica e poezisë shqipe është aq e pakuptimtë sa që mund të përdoret si mjet torture nëpër burgje. 

Zëri: Ju keni bërë një studim për romanet e Rexhep Qosjes. A mund të thoni, cilat janë disa nga vlerat që e shquajnë romanin më të mirë të sotëm të letërsisë shqipe dhe cilët, sipas jush, janë disa nga përfaqësuesit e këtij romani? 

Apolloni: Në fakt, atë që e mendoj për romanet e Rexhep Qosjes e kam thënë në librin “Parabola postmoderne”. Këtu vetëm mund të përsëris se romanet e tij kanë për letërsinë shqipe po atë vlerë që kanë për letërsinë botërore veprat e autorëve postmodernistë si: Vonnegut, Barthelme, Rushdie etj. Ndërsa, përgjithësisht për romanin shqiptar mund të them se është ende i brishtë, natyrisht duke përjashtuar disa romane të Ismail Kadaresë, Ridvan Dibrës, Agron Tufës dhe të ndonjë tjetri apo të ndonjë tjetre. 


Zëri: Revista letrare “Jeta e re”, e nisur nga bardi i poezisë sonë dhe babai i kulturës së Kosovës, Esad Mekuli, pas një ndërprerjeje, u ripërtëri nga redaksia që e udhëhiqni ju? Cili është roli i një reviste letrare në zhvillimin a avancimin e letërsisë dhe sa do të ketë mundësi që ta luajë këtë rol vetë “Jeta e re”? 

Apolloni: “Jeta e re” disa herë është ringjallur nga nostalgjia dhe është rivarrosur nga mosdija. Është e vërtetë që në të janë shfaqur dhe formuar shkrimtarët që sot përfaqësojnë letërsinë e Kosovës, ashtu siç është e vërtetë që gjatë viteve ’90 ajo u zvetënua shumë, derisa u shua krejt në dekadën e parë të këtij shekulli. Prandaj, ringjallja e kësaj reviste ka qenë sfidë. E, sfidat janë të mirëseardhura te shkrimtarët e rinj që janë pjesë e redaksisë aktuale të revistës “Jeta e re”. Numri i parë u mirëprit me entuziazëm nga lexuesit, ndërsa numri i dytë sapo është dorëzuar në shtyp. “Jeta e re” ka afruar rreth vetes shkrimtarët dhe lexuesit brenda dhe jashtë Kosovës dhe mendoj që është duke e kryer me sukses misionin e vet për ta kthyer edhe njëherë letërsinë në qendër të vëmendjes dhe për t’i njoftuar lexuesit shqiptarë me tendencat aktuale të letërsisë botërore. Shpresoj që edhe Ministria e Kulturës nuk do ta kursejë mbështetjen e saj për këtë revistë, që njëherësh është trashëgimi kulturore dhe vlerë letrare.
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more