Skip to main content

Rilindja e religjionit


Rilindja e religjionit

“Engjëj dhe djaj”, ashtu si edhe “Kodi i Da Vinçit”, është një provë e pakontestueshme se tashmë, pas mosbesimit në metanarracione, kemi hyrë në një epokë esencialisht religjioze, ku feja dhe shkenca, edhe pse shpesh në rivalitet, kanë të njëjtin objektiv: të provojnë ekzistencën e Zotit, përpjekja për “privatizimin” e të cilit asnjëherë nuk e dëmton Zotin, por gjithmonë shkakton vdekjen e njerëzve

Ag APOLLONI 

“Nëse nuk dëshironi të keni një Zot, atëherë duhet t’i nënshtroheni Stalinit apo Hitlerit”, ishte ky një prononcim i poetit T. S. Eliot, në kohën kur kishte shpërthyer Lufta e Dytë Botërore, e cila po shkatërronte botën me ndihmën e shkencës, e cila kishte bërë të mundur prodhimin e armëve për shkatërrim në masë. Vërejtja e Eliotit mund të konsiderohet bosht i romanit “Engjëj dhe djaj”, i cili, edhe pse i shkruar para “Kodit të Da Vinçit”, si ekranizim vjen pas tij. Edhe në planin e përfitimit material është konstatuar se ky film ngelet pas filmit paraprak. Vetëm në një plan është përpara: në planin artistik. Megjithatë, edhe në këtë plan bie më poshtë se romani homonim. Arsyeja e kësaj duhet kërkuar te dy faktorë: minutazhi (kohëzgjatja) dhe vrapimi filmik, të cilët kushtëzohen reciprokisht. Derisa romani ka rreth 500 faqe, filmi ka vetëm 138 minuta, prandaj skenaristëve u është dashur të bëjnë reduktime drastike, duke ndjekur kështu vetëm linjën e aksionit, që detyrimisht e përjashton planin emocional ndërmjet Robert Langdonit (Tom Hanks) dhe Vittoria Vetrës (Ayelet Zurer). Po ashtu edhe disa veprime (klaustrofobia e Langdonit, urrejtja e kamerlengut ndaj shkencës etj.) mbesin të pamotivuara, pasi që skenaristët (David Koepp dhe Akiva Goldsman), ndryshe nga romancieri (Dan Brown), nuk i kthehen të kaluarës së personazheve. Dhe këtë moskthim e bëjnë me qëllim të evitimit të teknikës së retardimit.
Ndërsa në planin ritmik, romani dhe filmi ndjekin të njëjtin parim: numërimin e orës mbrapsht. Por, natyrisht, pasi hiqen ngadalësimet, që në roman shërbejnë si arsyetime frojdiste, filmi rezulton me një ritëm më të shpejtuar. Madje, është pikërisht vrapimi filmik ai që e zbutë retorikën antikristiane, ngaqë dihet se aksioni (vrapimi) në filmat komercialë gjithmonë zhvillohet në kurriz të kontemplacionit (mendimit).

Terri dhe drita 

“Engjëj dhe djaj” që në titull afishon antitezën religjioze: engjëjt (e mira) përballë djajve (e keqja). Këtë antitezë autori e ilustron duke e thelluar vertikalen kohore deri në Mesjetë, kur obskurantizmi kishtar luftonte me të gjitha mjetet kundër shkencës. Pra, në njërën anë kemi obskurantizmin (terrin) që, sipas autorit, vazhdon edhe sot, ndërsa në anën tjetër kemi shkencën ose iluminizmin (dritën), që, sipas tij, ende pengohet nga Kisha. E, për më shumë, qendra e territ konsiderohet shteti më i vogël në botë, Vatikani.
Dan Brown e ka të qartë që terri përfaqësohet nga Kisha, të cilën ai e trajton si çerdhe te djajve. Ndryshe është shkenca, e cila, meqë ka qëllim të ndriçojë çështje të errëta përfaqësohet nga iluministët që synojnë të mirën dhe të vërtetën e përgjithshme. Pra, iluministët janë engjëj.
Ndryshe nga autori, personazhet që përfaqësojnë Kishën janë të bindur që iluministët janë sekt satanik, që i përmbahen “doktrinës luciferike”. Por, fjala “lucifer” a nuk do të thotë “bartës i dritës”?
Përplasja mes Kishës dhe iluministëve është përplasje e dy modeleve të interpretimit të gjithësisë: Kisha ndjek modelin gjeocentrik të Ptolemeut, kurse iluministët ndjekin modelin heliocentrik të Copernicut. Pikërisht për këtë ishte dënuar Galileo Galilei, i njohur për thënien e tij “Eppur si muove!” (Prapë se prapë sillet!), të cilën e kishte thënë pasi e kishin detyruar të mohonte publikisht mendimin se toka sillet.

Kodet dhe antimateria 

Dihet që iluministët përgjithësisht ishin njerëz me dije enciklopedike të cilët besonin që ligjet e fizikës ishin ligj natyror i Zotit dhe kërkonin ta vërtetonin këtë në laborator, duke insistuar kështu se “Zanafilla” është e mundur të provohet shkencërisht. Motesquieu, një nga iluministët më të mëdhenj francez, kishte thënë: “Si qenie fizike, njeriu është i qeverisur nga ligje të pandryshueshme, ashtu sikurse trupat tjerë. Si qenie inteligjente, ai i shkel pandërprerë ligjet e Zotit dhe i ndryshon ligjet e tij”.
Si provë për këtë, Leonardo Vetra, një pasues i Galileit, i cili mundohej ta pajtonte religjionin me shkencën, krijon antimaterien, e cila do të mund ta krijonte (por edhe ta shkatërronte) botën. Dikush e vret Vetrën dhe e grabit cilindrin e antimateries. Këtu fillon kërkimi. Profesori i simbologjisë, Robert Langdoni, dhe vajza e Leonardos së vrarë, Vittoria, nisen nga Gjeneva në Vatikan për ta hulumtuar rastin, pasi marrin lajmin se vrasësi dhe antimateria ndodhen në Vatikan, ku para pak ditësh kishte vdekur Papa, ndërsa në ditën e vrasjes së Vetras, vrasësi i kishte rrëmbyer edhe katër kardinalë potencialë për t’u zgjedhur papë dhe do t’i vriste nëpër altaret e shkencës në kisha ose sheshe të ndryshme, duke i damkosur në gjoks me ambigramat iluministe: earth, air, fire dhe water, që nënkuptonin katër elementet fizike të iluministëve (toka, ajri, zjarri dhe uji).
Hulumtimi i Langdonit kërkon dekodimin e katër vargjeve të John Miltonit, i cili po ashtu kishte qenë iluminist. Pra, përderisa numërimi i orës anasjelltas krijon ritmin, përballja e protagonistëve me kodet krijon tensionin e veprës. Po të mos arrihet dekodimi, ndodhin eksplodimi dhe vrasjet. Langdoni i zgjidh të gjitha kodet, ndërsa kamerlengu (Ewan McGregor) e zgjidh çështjen e antimateries, duke e marrë cilindrin nga nëntoka e Vatikanit dhe duke e çuar në qiell për të eksploduar. Antimateria eksplodon, ndërsa kamerlengu zbret në tokë si një engjëll me parashutë dhe pritet me adhurim si shpëtimtar, aq sa Konklavi vendos ta bëjë papë. Mirëpo, një kamerë e ka xhiruar hipokrizinë e tij dhe e vërteta del në shesh: kamerlengu shpallet fajtor, pos të tjerash, edhe për vrasjen e Papës dhe Leonardo Vetrës. Nga hero shndërrohet në tradhtar dhe detyrohet të djegë veten.
Ndryshe nga romani, filmi mbaron me zgjedhjen e papës së ri, përkatësisht me daljen e tij në ballkonin e famshëm prej nga shihet turma e besimtarëve.

Feja është kolazh 

“Shkenca e mirëfilltë e zbulon Zotin pas çdo porte”, kishte thënë Papa Piu XII, mirëpo të gjithë shkencëtarët ishin përndjekur vazhdimisht nga Kisha, themelet e së cilës ishin ngritur mbi një besim të fortë, të gurtë (mbi varrin e Shën Pjetrit). Shkencëtarët nuk e kishin këtë besim, sepse ishin skeptikë, në kuptimin etimologjik të fjalës. Jo dyshues, por kërkues.
Gjithësia nuk është në duar të fatit, por të fizikës. “Zoti nuk luan bixhoz me gjithësinë”, kishte thënë Einsteini. Nuk është vetëm fizika që i kundërvihet fesë. Më shumë është kërkimi i origjinës së kristianizmit, kërkim ky që pretendon të dëshmojë se, ashtu si edhe fetë tjera monoteiste, kristianizmi është kolazh me elemente nga besimet pagane. Elementet që e karakterizojnë Jezusin janë vjelë nga mitraizmi, i cili deri në vitin 313 konkurronte për religjion zyrtar në Perandorinë Romake.
“Engjëj dhe djaj” është një vepër e bazuar në hulumtime të shumta shkencore, çka do të thotë se parimi i kolazhit në fe nuk mund të hidhet poshtë, por personazhet dhe ngjarjet janë fiktive. Pjesë problematike është edhe konstatimi për ndikimin e madh të iluministëve në ditët e sotme, në banka, universitete dhe institucione të tjera të rëndësishme politike e shkencore.
Gërshetimi i fakteve me fiksionin ka shkaktuar skandalin mediatik. Skandali më i madh në romanin e Brownit është në pjesën kur tregohet sesi papa i ndjerë kishte dashuruar një murgeshë, të cilën e kishte mbarsur me farë artificiale (me ndihmën e shkencës), për ta ruajtur qashtërsinë e të dyve. Fryt i kësaj fare ishte vetë kamerlengu, të cilin papa e kishte mbajtur gjithmonë pranë vetes në Vatikan.
Ky skandal i romanit është hequr në skenar, prandaj filmi, krahasuar me romanin, është më pak skandaloz. Dan Brown është më ikonoklastik dhe më bindës se Ron Howard.

Vatikani reklamon “Engjëj dhe djaj” 

Është pranuar botërisht se periudha e postmodernizmit e rikthen fuqishëm religjionin në qendër të vëmendjes, natyrisht, gjithmonë duke polemizuar me të. Romanet e Dan Brownit, e më pas edhe filmat e bazuar mbi këto romane, vazhdimisht e rikthejnë religjionin duke e sulmuar. Sulmohet religjioni, jo Zoti. E, religjioni, sipas autorit, është ajo çka njerëzit thonë për Zotin e që nuk është e thënë të jetë në përputhje me atë çfarë Zoti është në të vërtetë.
“Engjëj dhe djaj” është roman dhe film postmodern në formë dhe në fond. Vepra e Dan Brownit është kolazh, ashtu siç është, sipas tij, edhe vetë religjioni të cilin e ka për objekt. Autori i bestsellerëve insiston veçmas në statusin postmodern të religjionit, duke ironizuar kështu përpjekjet e besimtarëve për pastërtinë e besimeve të tyre. Autori insiston që të gjitha situatat konfliktuoze janë derivat i një gare religjioze që ka për qëllim të tregojë se Zoti i kujt është më i mirë.
Përveç religjionit të krishterë, te romani “Engjëj dhe djaj” kemi edhe elemente nga budizmi dhe islamizmi. Budizmi shpesh shërben si alternativë në momente kur arsyeja nuk gjen shtegdalje tjetër, madje vetë iluminizmi si filozofi të shpie pashmangshëm te budizmi, i cili konsiderohet si “religjion pa Zot”, por me besim në Mendje. Në film elementet budiste janë hequr, kurse islamizmi është sulmuar paksa nëpërmjet figurës së vrasësit, që është një mendim stereotip perëndimor për myslimanin si terrorist.
Në fund, është me rëndësi të theksohet paaftësia e institucioneve fetare për ta ndaluar artin që është kundër tyre. Derisa dikur filmat e tillë censuroheshin dhe ndaloheshin, sot ata tërheqin miliona shikues, ndërsa reagimet e institucioneve kishtare vetëm sa e mbushin arkën e këtyre filmave. Pra, përpjekja për ta ndaluar është reklama më e mirë që mund t’i bëhet një vepre. Ndoshta pa qëllim, Vatikani ia ka bërë reklamën më të mirë romanit të Dan Brownit, përkatësisht filmit të Ron Howardit.

religjion
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more