Skip to main content

Parabola postmoderne- Romanet e Rexhep Qosjes


SHËNIME PËR LIBRA

Libri: Parabola postmoderne- Romanet e Rexhep Qosjes 

Autori: Ag APOLLONI



Ag Apolloni është një letrar i ri, i mprehtë dhe serioz. Pasi ka kryer studimet paralele në Fakultetin e Dramaturgjisë dhe Fakultetin e Filologjisë, momentalisht ai vazhdon studimet për doktoraturë, punon si asistent i lëndës Letërsi Botërore në Universitetin e Prishtinës dhe  kryeredakton revistën letrare Jeta e Re. Sidoqoftë, me gjithë këto suksese profesionale, më duhet ta pranoj me keqardhje, letrarisht me Apollonin nuk kisha pasur fatin të ballafaqohem asnjëherë deri para dy-tri javësh, kur mora në dorë  dy nga tre librat e tij të botuara deri më tash: studimin e shkëlqyeshëm kritik mbi romanet e Rexhep Qosjes të titulluar"Parabola postmoderne" dhe vëllimin me tri tragjedi dhe një komedi të quajtur"Drama".

Dramat e Apollonit janë trajtime imagjinative dhe interesante të temave universale, porse çfarë e shenjon dhe katapulton Apollonin si lojtar të ri dhe të rëndësishëm në fushën e letrave shqiptare është libri i tij "Parabola postmoderne".

"Parabola postmoderne" është analizë dhe interpretim inteligjent i strukturës  së prozës së shkrimtarit, historianit të letërsisë dhe intelektualit  Rexhep Qosja. Libri fillon me një sinopsis të shkurtër shpjegues për (post)modernizmin dhe mandej merr në përpunim në mënyrë kronologjike katër romane të shkrimtarit Qosja:  Vdekja më vjen prej syve të tillë (1974), Një dashuri dhe shtatë faje(2003), Nata është dita jonë (2007) dhe Bijtë e askujt (2010). Vepra e Qosjes dhe sidomos këto katër romane janë rezultat i një pune epike dhe libri i Apollonit dëshmon që ka mbërritur koha që Qosja të zbërthehet duke rrezatuar tërë potencialin e tij prej shkrimtari. Katër librat e Qosjes- sipas Apollonit- ndërtojnë një parabolë postmoderne dhe origjinale në letërsinë shqiptare. Pas leximit të fakteve dhe parashtrimeve logjike dhe ilustrative të studiusit Apolloni në libër vështirë që mbetet dyshim se Qosja është një ngjarje e veçantë në letërsinë shqiptare dhe prurja qosjane rrin në orbita të njëjta sikur shumë vlera letrare botërore.

Vdekja më vjen prej syve të tillë është vepra që shpupëlohet më së thelli dhe deri në lëkurë në librin e Apollonit. Edhe pse ndërmerr rrezikun dhe ndofta fillimisht përqëndrohet pakëz tepër në autorin Qosja, Ag Apolloni, megjithatë, arrin të ikë nga kontekstualizmi i tepruar i personit Qosje në relacion me veprën e autorit Qosje. Kritiku dhe studiusi realizojnë këtë shpëtim falë shmangies së profilit të autorësisë dhe hedhjen e tij përjashta përmes dritares së komponenteve të prozës letrare si stili, tema, metoda, double coding-u, narracioni, ikonoklazmi, surfiksioni etj. Studenti i vërtetë merret me përmbajtjen, jo slifkat biografike.

Një dashuri dhe shtatë faje sintetizohet si retorikë e romanit. Ekzaminimi shtjellues shkon e vjen prej antikitetit aristotelian e horacian, ku preken dhe krahasohen themelet përkufizuese  të temës dhe strukturës, e deri te bashkohësia barthesiane, ecoiane dhe genettiane, ku shqyrtohen teoritë e intertekstualitetit dhe intratekstualitetit si dhe aspekte krahasimtare të prozës së Qosjes me prozën (postmoderne) botërore. Dhe kështu para e prapa, ky udhëtim tregon diapazonin e dijes së Apollonit, por edhe densitetin e cilësisë së veprës qosjane që mund të krahasohet me vepra nga kohëra të përbotshme. 

Nata është dita jonë kundrohet shumë shkurtaz dhe- siç duket- me pezm nga Apolloni. Fundi i fundit edhe Qosja ashtu e shkruan këtë roman- si zbritje në lakoren e parabolës- pasiqë është arritur një pikë kritike infleksioni moral, etik, filozofik dhe bile edhe matematik në logjikën e botës reale dhe virtuale- qoftë të autorit dhe qoftë të personazheve të tij. (Sa për dijeni të të painformuarve: substrati njerëzor i Nata është dita jonë janë shqiptarët e fundshekullit XX-të dhe fillimshekullit XXI). Personazhi kryesor i romanit- Budin Buda, si shumë mjeranë dhe dështakë në botën shqiptare të periudhës së sipërpërmendur, dorëzohet dhe shndërrohet në qenie duale: njerëzore- kur Budini merret me shkrime dhe kafshërore apo kriminele- kur ai transformohet në Kentaur dhe bën krime. Kontrakultura e shkel kulturën me të dy këmbët dhe i zgërdhihet mbi fytyrë.  Pra, Apolloni bën mirë që përqafon dilacionin e kohës dhe vazhdon më tutje pa nostalgji për këtë libër katartik. Bota është përmbysur tashmë dhe rrin e trulluar kokëposhtë. Humbja është edhe më e thellë sepse në kësilloj rastesh, siç shkruan kritiku Apolloni, lindin dhe nevojiten edhe dy tipe lexuesish- lexuesi semantik, që kënaqet me animalizmin njerëzor dhe lexuesi semiotik, që nuk ka zgjidhje pos të shpresojë dhe luftojë për ditët kur humanizmi, kultura dhe vlerat (do) të kthehen në standard përsëri. 

Bijtë e askujt është kapitulli përmbyllës i  "Parabolës postmoderne". Shkrimi apollonian në këtë fazë në libër ka hipur në nivele shumë të larta. Vetëbesimi i studiusit për lëndën është në zenit. Në këtë pjesë të librit konkluzionet e Apollonit janë të sofistikuara dhe të drejta. Bijtë e askujt (apo shqiptarët)- siç e thotë vetë titulli i librit të Qosjes- janë të askujt dhe ky është apo do të duhej të ishte fundi i romanit qosjan si formë dhe nocion letrar, por Apolloni vendos ta kualifikojë këtë roman si avantgard. Kualifikimi është ose ironik ose paradoksal  dhe bëhet lesh e li me qëllim. Le të mbetet zgjidhje dhe dëshirë për secilin të vijë në përfundimin e vet: paradokset shpesherë janë ironike dhe ironitë paradoksale.

"Parabola postmoderne" ka një dobësi të vockël. Apolloni merret me dobësitë e shkrimit të Qosjes shumë pak apo jo sa duhet, ndoshta ngase si studiues ai u përmbahet kanoneve teknike dhe formale më shumë se duhet. Qosja është intelektual polidimensional dhe kontribues në shumë fusha të jetës shqiptare dhe ballkanike, porse edhe ai ka lëshime në krijimtarinë e tij, si p.sh fjala vjen fjalia e tij nganjëherë është tepër e sforcuar dhe përsëritëse. Nëse Apolloni do të kishte kaluar më shumë kohë duke i futur nën mikroskopin shkencor këto gjëra libri do të shkëlqente edhe më shumë. Sido që të jetë, duhet thënë me zë dhe mburrje,  libri "Parabola postmoderne" i Ag Apollonit është një margaritar, që i ngjitet varganit të rrallë të vlerave të kritikës letrare shqiptare. Ky libër është një përmendore madhështore për krijimtarinë e Rexhep Qosjes në veçanti dhe atë shqiptare në përgjithësi. Për ata që i dojnë dhe njohin letrat e reja shqiptare Ag Apolloni do të duhej të lexohej dhe gjithsesi të jetë emër i njohur. 

parabola postmoderne,parabolla postmoderne rexhep qosja,ag apolloni
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more