Skip to main content

Një roman rock’n’roll


Një roman rock’n’roll 

Vepra “Mimesis” e Andrej Nikolaidis, edhe pse e shkruar në gjininë e romanit, imiton formën e albumeve muzikore, duke u ndarë në dy pjesë (A dhe B) me nga pesë “këngë” për absurdin ballkanik. Secili kapitull emërtohet me tituj nga hitet e muzikës rock, përmbajtja e romanit është e mbushur me elemente të rockut (seks, drogë, muzikë) dhe gjithandej në roman artikulohet një rock-revoltë ndaj realitetit ballkanik



Andrej Nikolaidis (1974, Sarajevë) është shkrimtar dhe gazetar me vendbanim në Ulqin. Si shkrimtar ka shkruar librat me tregime “Shqyrtime mbi indiferencën” dhe “Katedralja në Sijetll” dhe romanet: “Pse Mira Furlan”, “Ata”, “Mimesis” dhe “Biri”; ndërsa si gazetar ka shkruar kolumne për disa gazeta dhe revista dhe njihet për polemikën e ashpër me regjisorin Emir Kusturica të cilin e ka quajtur “një nga yjet më të mëdhenj mediatik të kohës së Milosheviqit”.
Si në gazetari, ashtu edhe në letërsi, Andrej Nikolaidis është autor që e thotë të vërtetën pa pardon. Jetën e përditshme e ka temë, prandaj vepra e tij është imituese (mimesis) në parim dhe kritikuese (krisis) në qëndrim.

Remix 

Termi “mimesis” është esenca e filozofisë së Platonit dhe Aristotelit. Me mimesis Platoni kuptonte botën tonë që është imitim i botës ideale, ndërsa Arsitoteli, si më praktik që ishte, me mimesis kuptonte vetëm artin, pra artin si kopje të jetës. Nikolaidis e shkruan “Mimesisin” e tij sipas parimit të Aristotelit: duke e imituar jetën. Kësisoj, ai krijon një letërsi në shkallën e parë.
Në anën tjetër, Platoni e ndante letërsinë (poiesis) në rrëfim (diegesis) dhe imitim (mimesis), duke preferuar ndarjen e letërsisë në tri mënyra: mënyrë e pastër narrative (ditirambi), mënyrë e pastër mimetike (drama) dhe mënyrë mikste (epi). Ditirambin e konsideronte mënyrë të pastër narrative, sepse në të fliste vetëm autori; dramën e konsideronte mënyrë të pastër mimetike, sepse në të flisnin vetëm personazhet, ndërsa epin e konsideronte mënyrë mikste, sepse në të flisnin autori dhe personazhet.
Romani, si një formë ku zëri i autorit (ose narratorit) alternohet me zërin e personazheve, i përket mënyrës së përzier epike, pra është pasardhës i epit. Ky alternim zërash tashmë nuk bëhet në vargje, por në prozë.
Megjithatë, karakteri mikst në roman, përveç alternimit të zërave, nënkupton edhe përzierje gjinish e formash, madje edhe mediumesh. Kjo vlen sidomos për romanin postmodern, çfarë është edhe romani “Mimesis”, të cilin titulli e afron më shumë me mënyrën mimetike, edhe pse i përket asaj diegjetike. Po ashtu një ndikim i madh në këtë roman vjen nga muzika, aq sa mund të thuhet se ajo i përcakton konturat (formën) dhe brendinë (përmbajtjen) e tij.
“Mimesis”, pra, nuk është thjesht një mënyrë mikste, por një vepër mikste, në kuptimin më të plotë të fjalës. Në fakt, vetë jeta në Ballkan është mikste, kështu që vepra bazohet mbi këtë jetë, pra është reprodukim i këtij miksti. Jeta – miks, vepra – remiks (përzierje e përsëritur).

Album 

Romani “Mimesis” (përkthyer edhe në shqip nga Hajro Ulqinaku) sikur albumet ose disqet kompakte (CD), ndahet në dy pjesë, ku secila syresh ka nga pesë “këngë” (kapituj). Pjesa e parë ka këta kapituj: A1: I see a darkness (Bonnie Prince Billy), A2: In the aeroplane over the sea (Neutral Milk Hotel), A3: Girl (The Beatles), A4: Love will tear us apart (Joy Division) dhe A5: Heroes (David Bowie); pjesa e dytë ka këta kapituj: B1: Losing my religion (R.E.M.), B2: Blood (Tindersticks), B3: Wayfaring stranger (Johny Cash), B4: Yes! I am a long way from home (Mogvai) dhe B5: Still ill (The Smiths).
Në të gjithë albumin e Nikolaidisit është një “narrator homodiegjetik”, i quajtur Konstantin Teofilis, i cili është i dentifikueshëm me vetë autorin. Ky narrator, familja e të cilit është nga Voskopoja, por me prejardhje greke, është i lindur më 7 maj 1974 dhe e ka ditëlindjen e përbashkët me Marshal Titon. Edhe pse ka shpirt grek, biri i basistit të grupit “Albatros”, nuk ndërmerr udhëtime si Uliksi, por vendos të rrijë i qetë aty ku është: “Nëse besoni në histori familjare dhe në mësimet që i jep mitologjia gjenealogjike, gjithçka në mua thotë: udhëto! E megjithatë, unë qetë rri ratë në banesën e gjyshes në Gërbavicë”. Këtu mitit të Uliksit, autori ai kundërvë mitin e dembelizmit të banorit të Malit të Zi, i cili që në fillim thotë se ka marrë një letër nga e dashura Tea, e cila, pasi ka marrë ikën nga prindi që e kishte dhunuar, i lutet (për herë të fundit) Konstantinit që të takohen në Amsterdam më 7 maj në ora 17 e 30, por ai, në vend se të niset, preferon të tregojë histori, sepse ka kohë: është 7 maj, ora 10 e 30 minuta. Pasi e tregon krejt historinë, ora tregon: 16:20. Ai nuk mund të vendosë të shkojë apo të rrijë. Mes veprimit dhe mendimit, ai i jep përparësi mendimit: “Gjithçka me rëndësi ndodh në mendime”.
Në anën tjetër, edhe pse e ka ditëlindjen e përbashkët me Titon, narratori nuk ushqehet me ndonjë “metarecit”, çfarë ishte komunizmi, por thjesht gjithçka e sheh lëmsh, duke e pranuar kështu devizën e postmodernizmit: “anything goes!”, ndërsa në veçanti “Republika Serpska” e sheh si më “postmodernen” në Ballkan: “Republika Serpska është një vend derridian – parajsë e dekonstruksionit. Të rrënosh, të shkatërrosh, të ndash, të shpërndash…”, këto janë qëllimet e saj. Madje, fundin e brezit revolucionar, narratori e jep duke bërë një krahasim mes fqinjit dhe vetes. Fqinji pesëdhjetë vjeçar, në pikë të dimrit, çohet heret në mëngjes dhe bën ushtrime në oborr, duke cituar mendimin të cilin ai mendon se e ka thënë Njegoshi: “Në trupin e shëndoshë – mendja e shëndoshë”. Ndërsa narratori thotë: “Një mëngjes kam dalë të shëtis nëpër stuhi, sepse nga alkooli i keq më dhimbte koka. Atëherë e kam kuptuar se bota ime do të shkatërrohet. Në të nuk ka pasur pensionistë të cilët ushtrojnë në acar dhe votojnë për kriminelët e luftës. Ndërsa realiteti ka qenë i përbërë me hajvanë trashamanë të tillë dhe të budallallëqeve të tyre. Në botën time nuk ka pasur njerëz të cilët kanë besuar se të gjitha urtësitë që i kanë dëgjuar në jetë – i ka shkruar Njegoshi”. Kallëzimi për dy botë të ndara vë në njërën anë nacionalistët, në anën tjetër narkomanët e narkomanizmi dhe nacionalizmi e përjashtojnë njëri-tjetrin: “Kur ne e kemi dëgjuar “Sonic Youth” dhe “The Cure”, ata e kanë dëgjuar Miroslav Iliqin”, thotë jo pa ironi narratori që bën pjesë në taborrin e narkomanëve.

Qeveritë janë si brekët 

Narratori në këtë “album” nuk është një narkoman dosido, por një njeri i zgjuar, i cili mes Platonit dhe Aristoteli ka zgjedhur të parin, sepse “ai e ka ditur se bota vlen më pak se ideja”. Kështu që, narratori vendos të jetojë duke iu përmbajtur motos së rockerëve: “seks, drogë, muzikë”. Dhe, duke qenë tip “destruktiv”, ai ndihet me fat, sepse i ka të trija ato që i kishte motoja. Si narkomanë dhe alkoolist, ai është tejet atraktiv për femra: “Nëse jeni rast social, alkoolist dhe dhunues, ju në Mal të Zi jeni magnet për gra”, sepse dashuria aty është mazohiste: “Gruaja malazeze turpërohet nëse është e lumtur në jetën bashkëshortore”, madje “martesat në Mal të Zi shpesh prishen, sepse meshkujt bashkëshortorë grave nuk u sigurojnë mjaft vuajtje”. Ndërsa seksi dhe muzika ndonjëherë e plotësojnë njëra-tjetrën, jo pa një dozë ironie: “Kur e kam humbur virgjinitetin, në gramafonin tim është sjellë kënga e The Beatles. Kur pas ejakulimit të shpejtë jam rrëzuar nga shtrati dhe i kam ledhatuar flokët e vajzës time të parë, kam dëgjuar vetëm frymëmarrjen e saj të shpejtuar dhe Lenonin i cili këndonte: Girl…”.
Rrëfimi bëhet kritikues veçmas ndaj femrave katundare, të cilat shkojnë në fakultet për të shpëtuar nga mjelja e lopëve dhe për të realizuar moton e jetës së tyre (“të gjitha në jetë duhet provuar”) dhe e fundit që e provojnë është vdekja në ndonjë birucë si pasojë e drogës. Këto femra që detyrohen t’ua ruajnë fytyrën baballarëve në fshat, ku jetohet vetëm me thashetheme, porsa të shkojnë në universitet lëshohen “si ujkonja, të gatshme për ndërsim, ngarendin drejt qyteteve të mëdha, që atje t’i kënaqin fantazitë e veta seksuale (…) Ky është qëllimi i ekzistimit të universitetit në Mal të Zi” në një kohë kur ereksioni konceptohet si qendër e universit.
Duke folur për seksin si një konkretizim të dashurisë, narratori bën objekt të rrëfimit të gjitha format e imoralitetit që e arrijnë kulmin me incestin mes Teas dhe vëllait të saj Goranit pë t’u pasuar mandej nga incesti mes Teas dhe babait të saj: “Të gjitha që ia kë bërë Gorani kanë qenë, sa herë më ka rrëfyer, më me pak dhimbje nga mendimi në babanë i cili ia ka mbushur rropullitë me farën nga e cila ajo është krijuar”.
Mali i Zi, por edhe i gjithë Ballkani, si një “dekostruksion derridian” imponon natyrën depresive te banorët e vet. Aty është e pamundur të jetohet esëll, prandaj personazhet ngushëllimin e gjejnë duke e praktikuar moton e rockerëve. Në të gjithmonë i forti e ka hëngër të dobëtin, duke ia mohuar edhe identitetin: “shumica e popullsisë shqiptare ka qenë e detyruar të sllovenizojë llagapët, duke vënë prapashtesat: iq, oviq, Kështu që, Resulbegu do të bëhet Resulbegoviq, Abazi – Abazoviq…”.
Nikolaidis është kritik ndaj fenomeneve, pastaj pashmangshëm edhe ndaj nacionaliteteve të cilat i japin një karakter multientik Malit të Zi. Vendasi detyrohet ta urrejë vendin e vet, Ulqinin, për shkak të turistave të cilët shkojnë për ta kryer nevojën në plazh; për shkak të kriminelëve që marrin drogë dhe vrasin, duke mbajtur kryqin në qafë; për shkak të muslimanëve që festojnë Kurban Bajramin, me ç’rast në kalldrëmet para shtëpive i qesin lëkurët e deshve të prerë dhe i lënë me ditë të tëra e, si pasojë e kësaj, luzmat e mizave dhe qelbësira e bëjnë jetën të padurueshme; për shkak të politikanëve që nuk dinë të udhëheqin popullin dhe për shkak të popullit që nuk di t’i ndërrojë politikanët. Madje këtu ai bën një kritikë krejt eskplicite ndaj politikës: “Sikur te popujt që e ndërrojnë rrallë qeverinë, edhe malazezët janë qyqarë. Qëndrimi ndaj pushtetit është çështje e guximit qytetar dhe e higjienës personale. Kryetarët e shteteve janë sikur brekët: është mirë të ndërrohen sa më shpesh”.
“Mimesis” është një imitim i jetës ballkanike, i këtij realiteti derridian. Këtë imitim Andrej Nikolaidis e bën duke ndjekur modelin e rock’n’rollit: forma – album, përmbajtja – jetë e shthurur.
“Mimesis” është një roman përfaqësues postmodernist përtej letërsisë nacionale. Ai është i tillë jo vetëm pse ironizon vazhdimisht metarrëfimin, por edhe pse rrëfen për kolapsin e civilizimit; ai është një rrëfim pa pardon dhe i përzier mu si realiteti të cilin e ka objekt.

shkrim nga Ag Apolloni,Ag Apolloni shkrime
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more