Skip to main content

Një këmishë e ngushtë për Shekspirin


Një këmishë e ngushtë për Shekspirin

“Këmisha e gjakut”, një thurje me motive nga dramat e Shekspirit dhe nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, e inskenuar në Muzeun Etnologjik të Kosovës, është një “këmishë” që i bie ngusht Shekspirit. Edhe pse e punuar gjatë dhe e paraprirë me lajme që krijojnë efekte dhe opinione të ndryshme publike, shfaqja nuk ka arritur t’i evitojë defektet dramaturgjike

Ag APOLLONI 

            Një vjet prova nga një grup aktorësh të gjeneratave të ndryshme të udhëhequr nga një regjisor me talent dhe ambicie të mëdha, ka sjellë një shfaqje me pretendime serioze, por me rezultate modeste. “Këmisha e gjakut” e Bekim Lumit është një tekst dramatik i kombinuar me motive e dialogë nga veprat e Shekspirit dhe me citate nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Siç thuhet në katalog (flyer) të shfaqjes, ky shartim vjen nga dëshira e regjisorit për ta plasuar versionin e shqiptarizuar të tri “përrallave” gjeniale shekspiriane. Pra, idetë universale të Shekspirit filtrohen nëpër kodin zakonor shqiptar për t’u shndërruar kështu në ide nacionale, në fakt, në ide regjionale, pasi që dihet se Kanuni i Lekë Dukagjinit është zbatuar vetëm në një pjesë të veriut të Shqipërisë etnike. Kështu, idetë universale tkurren në ide regjionale. E, më efektive do të ishte të ndodhte e kundërta, të universalizoheshin idetë regjionale.
             Tjetër problem në këtë shfaqje është autorësia e fjalëve. Regjisori, i cili ka kryer edhe funksionin e kompilatorit, “Këmishën e gjakut” e shfaq si tekst që lidh Shekspirin me Lekë Dukagjinin, e jo si tekst që lidh Shekspirin me Shtjefën Gjeçovin, i cili, siç dihet tashmë, është autor i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”. Nëse pretendohet t’i hiqet autorësia Gjeçovit (siç është vepruar gjatë gjithë shekullit XX) vetëm pse ai i ka mbledhur dhe sistemuar, e nuk i ka krijuar, ligjet e pashkruara, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Shekspirin, i cili, siç e kanë konstatuar mijëra herë shekspirologët, temat i ka të huazuara, madje temat e tij kanë qenë të shkruara, porse falë stilit unik të Shekspirit ato vepra shprehin autenticitetin e tij. Kështu që, te “Këmisha e gjakut” kemi përballjen e Shekspirit me Gjeçovin, sepse teksti i Lekë Dukagjinit nuk ekziston askund. Pra, në planin stilistik, kemi përballjen e këtyre autorëve, kurse në planin tematik, natyrisht, kemi përballje të mendësisë shqiptare me mendësinë daneze, skoceze, apo angleze.
Fjalitë e shfaqjes “Këmisha e gjakut” janë citate nga veprat “Makbethi”, “Rikardi III”, “Hamleti” dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Autor i kolazhit të shfaqjes është vetë regjisori Bekim Lumi, i cili edhe përkthimet toskërisht të Shekspirit i kthen në gegërishte, e cila imponohet dhe funksionalizohet bukur me gjithë potencialin e vet ekspresiv. Gegërishtja si gjuhë e gjallë, eufonike është një “këmishë” që i përshtatet shumë mirë temës, tekstit dhe ambientit. Në këtë plan, regjisori (i cili edhe katalogët, apo “flajerat”, i ka shkruar gegërisht) ka sfiduar me sukses paragjykimet e atyre që thonë se në teatër duhet të flitet vetëm gjuha standarde.

Megjithatë, gegërishtja, edhe pse sjellë peshën dramatike të monologëve e dialogëve shekspirianë, nuk arrin ta zhdukë hendekun që qëndron mes gjuhës konotative të Shekspirit dhe të gjuhës denotative të Gjeçovit. Kur flasim për këtë hendek, në të cilin u fundos shfaqja, nuk kemi të bëjmë më as me gegërishte, as me toskërishte, as me gjuhë standarde, as me gjuhë nacionale, por me gjuhë të domeneve të ndryshme: me gjuhë të letërsisë (Shekspiri) dhe me gjuhë të jurisprudencës (Gjeçovi). Në njërën anë kemi gjuhën emotive e figurative që udhëhiqet nga qëllime estetike, kurse në anën tjetër kemi gjuhën normative e informative që udhëhiqet nga qëllime pragmatike. Meqenëse kemi të bëjmë me shqiptarizimin e Shekspirit, gjuha figurative është në shërbim të gjuhës informative, e jo e kundërta. Gjuha e “Kanunit” imponon moralizime dhe, pashmangshëm, e mbyt shfaqjen në didaktizëm patriotik e, rrjedhimisht, patetik. Këtu, siç do të thoshte Zhylien Bonda, fakti ngadhnjen mbi figurat dhe historia e ideve e zhvendos letërsinë. Qëllimi për plasimin e ideve e vret stilin letrar, ndërsa vënia përballë e dy gjuhëve (denotative dhe konotative) në një shfaqjë, tregon pasurinë ideore (Shekspiri) dhe varfërinë emocionale (Gjeçovi). Edhe pse, sipas Linda Haçionit, arti postmodern është paksa didaktik, sepse është enciklopedik, kolazhi kompozicional dhe ritual “Këmisha e gjakut” nuk ka erudicion, apo kodim të dyfishtë me të cilin do ta justifikonte gjithë atë didaktizëm.
Kjo shfaqje gjithsesi është një “prodhim” autentik, sepse regjisori ka radhitur idetë e të tjerëve dhe ka inkuadruar idetë e veta në tekstin e shartuar. Tekstet e të tjerëve kompozohen nga regjisori dhe udhëhiqen nga qëllimi i tij. Shqiptarizimi ka prekur ambientin, por jo emrat (Makbeth, Rikard, Hamlet, Dunkan etj.), gjë që ka shkaktuar konfuzitet. Personazhet veprojnë si shqiptarë (me Kanun të Lekës), por kanë emra të huaj; janë mbretër e princa, por jetojnë nëpër kulla a shtëpi shqiptare; e njohin “mikpritjen”, por e vrasin mikun. Këto diskrepanca janë indikatorë të qartë se “rojalizmi” i huaj dhe “katundarizmi” ynë nuk ngjajnë edhe aq sa për t’u ndjerë komod gjatë krahasimit.

Pavarësisht efekteve origjinale që mund të ketë shartimi i Shekspirit, defektet kanë ngulfatur shfaqjen. Së pari, gjuha e domeneve të ndryshme, veçmas dominimi i qëllimit pragmatik, e refuzon komunikimin estetik; së dyti, moralizimet e vazhdueshme i japin shfaqjes karakter didaktik dhe patetik; së treti, mungesa e parimit analog, domethënë e aktualizimit të ideve të vjetra, në vend se t’i japë shfaqjes karakter aktiv e ta bëjë fushëbetejë, i jep karakter pasiv dhe e bën muze; së katërti, ambienti shqiptar i kullave nuk u përshtatet “përrallave me mbret”, enterieri i ngushtë nuk ta krijon iluzionin e pallateve të gjëra; së pesti, shqiptarizimi i ngjarjeve, por jo edhe i emrave, krijon mish-mash dramaturgjik; së gjashti, shfaqja e fantazmës me kryq përpara fytyrës bie ndesh me konceptin e krishterë, sipas të cilit, fantazma shporret me kryq dhe, së shtati, aktrimi është kufizuar vetëm në trupa, jo edhe në fytyra të aktorëve, duke i dhënë shfaqjes më shumë karakter fizik sesa shpirtëror.

Shfaqja me titull simbolik “Këmisha e gjakut”, pavarësisht këtyre që u thanë më sipër, ka edhe anët e mira të saj, siç janë: aktrimi i kompletuar (me trup, me gjuhë dhe me mimikë) i Melihate Qenës dhe Afrim Muçajt, por edhe aktrimi trupor i Astrit Gecit, Ermal H. Rexhës, Kastriot Grajçevcit, dhe Kujtim Pelit, ndërsa Adriana Matoshi mbetet nën hije; muzika e harmonizuar me situatat, vokalet live, ndriçimi i zbehtë me qëllim të dominimit të territ që sjell tmerrin, kostumet etnografike (Samka Ferri) dhe kohezioni dramaturgjik i krijuar nga regjisori Bekim Lumi, i cili edhe në këtë shfaqje u dallua mbi të gjitha për disiplinimin e trupës së aktorëve.

Summa summarum, “Këmisha e gjakut” është një “këmishë” shqiptare të cilën regjisori Lumi është munduar t’ia veshë Shekspirit, të cilit, siç e pamë, i binte shumë e ngushtë.

shekspiri,shkrime per shekspirin,sheakspiri,Ag Apolloni,shkrime nga Ag Apolloni
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more