Skip to main content

Kur kursi i jetës bëhet diskurs i veprës


Kur kursi i jetës bëhet diskurs i veprës 

(Jean-Marie Gustave Le Clezio, "Afrikani")

Nobeli i vitit 2008 i takoi shkrimtarit frëng, J. M. G. Le Clézio, pasi kishte shkruar mbi dyzet vepra letrare dhe dokumentare për fëmijë dhe të rritur dhe pasi ishte nderuar me gjashtë çmime prestigjioze në vendin e tij, ku njihet si shkrimtari më i madh i gjallë. Në këtë rast duhet të pajtohemi që numri shtatë është numër i fatit, pasi që shpërblimi i shtatë ishte pikërisht Nobeli, çmimi më i madh në karrierën e tij letrare.
Edhe pse gjatë vitit 2008 kishte kandidatë për Nobel që ishin të përkthyer në mbi 30 gjuhë, fitues u shpallë shkrimtari i përkthyer vetëm në tri gjuhë (anglisht, gjermanisht dhe suedisht) me motivacionin: “autor i shtigjeve të reja, aventurave poetike dhe ngazëllimeve sensuale, eksplorues i ndjenjave njerëzore para dhe pas sundimit të qytetërimit”.

Fama dhe vlera 

Në botën postmoderne, që karakterizohet nga shoqëria e konsumit, fama dhe vlera janë dy gjëra që rrallë puthen. Fama është marketing i mirë falë të cilit një objekt promovohet si vlerë. Ndërsa, vlera, sado e mirë që të jetë, po s’pati marketing s’është vlerë. Pra, vlera patjetër duhet të shoqërohet me famë. Në njëfarë mënyre, sipas këtij koncepti, fama ta shton vlerën. Kështu ka qenë gjithmonë. Ende ka studiues që vlerën e Shekpsirit ia detyrojnë Goethe-s, i cili është i pari që e shpalli dramaturgun anglez vlerë supreme të letërsisë botërore. Ndërsa, në ditët e sotme, Jean-Marie Gustave Le Clézio (1940) është gjithashtu një vlerë që ka pritur marketingun (famën) për t’u pranuar si vlerë. Deri sa nuk e kishte Nobelin, për të është folur vetëm në qarqe akademike. Sot për të flitet në mbarë botën, ku disa mendojnë se Nobeli e ka nderuar një shkrimtar anonim, kurse disa mendojnë se Le Clézio e ka nderuar Nobelin.
Një gjë është e qartë: më në fund, Le Clézio ia ka bashkuar famën vlerës.

Autobiografia dhe Afrika 

Vepra “Afrikani” (2004) e J. M. G. Le Clézios është tekst autobiografik për fëmijërinë e kaluar në Afrikë. Është cilësuar si ese autobiografik dhe jo novelë, pasi që rrëfimi është sa fantastik, aq edhe dokumentar. Vepra fillon me një tekst refleksiv, ku, brenda dy paragrafëve, flet për relacionin gjenetik mes prindërve dhe fëmijëve dhe për kërkimin e fytyrës së vet në të kaluarën fëminore nëpër terrene afrikane. Pas këtij teksti me “funksion paratekstual” (G. Genette), radhiten shtatë kapitujt: “Trupi”, “Termite, milingona e të tjera”, “Afrikani”, “Nga Georgtown në Victoria”, “Banso”, “Ogoja e tërbuar” dhe “Harresa”, në të cilët autori duke rrëfyer për vetveten rrëfen edhe për raportet mes Evropës dhe Afrikës, përkatësisht raportet e Anglisë e Francës me kolonitë e tyre afrikane.

I lindur më 13 prill 1940, në Nice të Francës, si fëmija i dytë nga prindër francezë, Le Clézio pas moshës gjashtëdhjetë vjeçare i kthehet prapë kursit të jetës, me të vetmin qëllim për ta bërë diskurs të veprës dhe për ta jetuar fëmijërinë dy herë. Si shkrimtar që ka shkruar edhe për fëmijë, në këtë tekst autobiografik nuk preokupohet me moshën e lexuesit, por me moshën e protagonistit, që është vet ai i parë në optikën e kujtesës në moshën fëminore duke e braktisur Parisin për t’u vendosur në Afrikë dhe për t’u bërë afrikan, njeri i liruar nga maska morale e evropianit pushtues. Në vitin 1948, në moshën tetëvjeçare, ai me prindët dhe vëllain e tij vendosen në Nigeri, ku përherë të parë takon njerëz të uritur dhe të urryer nga të bardhët. Si fëmijë ai ndien se të rriturit e kishin mashtruar kur ia kishin paraqitur afrikanët si njerëz të egër, të pakulturë dhe inferiorë ndaj evropianëve. Porsa e prek realitetin afrikan, ai e kupton mashtrimin e “shkollës së ndërgjegjës raciale”, e cila ia kishte imponuar vizionin mashtrues mbi afrikanët si njerëz të egër, dhe lakmon lojën, sinqeritetin dhe kulturën afrikane.

Si fëmijë, Le Clézio gjendet ballë për ballë me dy skaje të sjelljeve. Në njërën anë, babai i tij, “i vetmi mjek në një rreze prej gjashtëdhjetë kilometrash”, kërkonte rregull dhe disiplinë rigjide nga fëmijët e tij. Në anën tjetër, porsa babai nisej për në punë, fëmijët e tij josheshin nga lojrat e fëmijëve afrikanë dhe nga sjelljet e tyre të lira. Pra, mes disiplinës së rreptë dhe lojës së lirë, fëmijët zgjedhin të dytën. Ata duan të jenë afrikanë, shpirtra të lirë dhe të mirë. Nuk duan ta ndjejnë veten si fëmijë të kolonëve, nuk duan ta shohin atë natyrë si diçka ekzotike, por thjesht të ndjehen si vendasit. Dhe është pikërisht Afrika ajo që e strehon familjen e Le Clézios gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që ua ndryshon karakteret babait dhe fëmijëve: babait profesioni i kthehet në sëmundje dhe pendohet për detyrën që ka ushtruar, pasi që ashtu ka kontaktuar drejtpërdrejt me dhembjen fizike të njerëzve si pasojë e mungesës së kushteve normale për ta ushtruar profesionin në atë vend ku si të ardhurit (anglezët e francezët), ashtu edhe vendasit (Idi Amin Dada) do të ushtrojnë një diktaturë të tmerrshme, prandaj, po të kishte mundësinë t’ia niste prej fillimi, do të parapëlqente të bëhej veteriner, sepse kafshët do ta pranonin vuajtjen më lehtë. Ndërsa fëmija-narrator transformohet thellësisht duke u solidarizuar me vërsnikët e tij dhe kështu, sikurse edhe babai i tij, edhe në Evropë do të mbetet afrikan.
Ideja qëndrore e këtij rrëfimi autobiografik jepet në formë përgjigje ndaj pyetjes që ia bëjnë gratë parisiene nënës së autorit (narratorit) kur kuptojnë që ajo me familjen e saj do të shkojë në Afrikë: “Kur nëna ime vendosi të martohej me tim atë e të shkonte në Kamerun, mikeshat e saj pariziene i thanë: Çfarë, te të egrit? Dhe ajo, pas tërë asaj çka i kishte treguar im atë, nuk ka mundur të përgjigjet ndryshe, veçse: Nuk janë më të egër sesa njerëzit në Paris!”.

Është pikërisht kjo përgjigje që i mbyt idetë raciste, i ironizon kolonizatorët francezë e anglezë dhe proklamon një humanizëm të lartë. Meqenëse Nobeli nuk jepet vetëm për kodin (formën), por edhe për mesazhin (përmbajtjen) e veprës, Le Clézio, me profilin e tij letrar, por edhe moral, është laureat i merituar, kurse çmimi vetëm sa e ka pohuar se në këtë botë ka ende vesh për zërin e tij. Le Clézio nuk është një “vox clamantis in deserto”.

Autori mes kursit dhe diskursit 

“Afrikani” shtrihet mes rrëfimit letrar dhe dokumentar. Mnemoteknika është teknikë e këtij rrëfimi e, natyrisht, analepsa është e vetmja figurë që ndërton strategjinë e këtij teksti. Përndryshe, rrëfimi është univok, i bie trup idesë. Pasi rrëfimi është autobiografik, autori shfaqet si subjekt dhe objekt, njëkohësisht. “Afrikani” nuk është libër për fëmijë (si destinim), por është libër për fëmijën (si pozicionim).
E veçantë në këtë rrëfim mund të konsiderohet loja me kohën. Narratori homodiegjetik rrëfen në formë reminishencash duke krijuar mozaikun e fëmijërisë së tij dhe këtë e bën herë-herë duke e rrëfyer të kaluarën në kohën e tashme: “Më kujtohet shumë mirë hyrja në Obudu: rruga del nga hija e pyllit dhe hyn drejt e në fshat, në pikë të diellit. Im atë ndal makinën dhe del me nënën time për të folur me zyrtarët. Jam vetëm në mes të turmës, s’kam frikë”.

Përderisa në stil narratori e bashkon letraren me dokumentaren, në temë nuk i është dashur të fantazojë, por vetëm të kujtojë çaste nga ai vend ku realiteti vetvetiu është fantastik, realitet që të shkakton drithërima, prandaj mjafton vetëm të përshkruajë “stuhi të tilla, që as i kam parë dhe as ëndërruar kurrë më pas, qiell i zi i laruar me vetëtima, era që përthyente drurët e mëdhenj rreth shtëpisë, që shkulte palmat e çatisë, që vorbullonte në sallën e ngrënies duke kaluar nën dyer dhe që frynte llambat e vajgurit. Ndonjë mbrëmje, një erë e kuqe e ardhur nga veriu, i bënte muret të shndrisnin. Një forcë elektrike që duhej ta pranoja, ta zbusja, dhe për të cilën nëna ime kishte sajuar një lojë, të numëroja sekondat që na ndanin nga goditja e rrufesë, ta dëgjoja tek vinte kilometër pas kilometri, pastaj tek largohej maleve. Një pasdite, ndërsa im atë operonte në spital, një rrufe hyri nga dera dhe u shtri përtokë pa kurrfarë zhurme, duke shkrirë këmbët metalike të tavolinës së operacionit dhe duke djegur gomën e sandaleve të babait, pastaj vetëtima u mblodh dhe iku andej nga kishte hyrë, si një topth i zjarrtë, për t’u ngjitur përsëri në qiell. Realiteti ishte në legjenda”.
Autori në këtë rrëfim jo vetëm që zbulon teknika të reja, por edhe terrene të reja. Ndërsa diskursi, kryesisht i fokusuar në idetë humaniste, ka katër nivele: letrar, historik, politik dhe shkencor. Si artikulim, diskursi është monologjik, ngaqë eviton dialogun mes personazheve ose e transformon në parafrazë, kurse si dije që ngre krye në rrëfim, është dialogjik, pasi që dialogon me shumë tekste të autorëve që kanë për temë Afrikën (Joyce Cary, William Boyd, Rider Haggard), duke i pasur referencë më shumë për t’i refuzuar sesa për t’u pajtuar, por gjithsesi për ta shfaqur fenomenin e transtekstualitetit ose për të treguar që megjithëse viset ekuatoriale të Afrikës i duken vise të virgjëra, gjuha kurrë s’mund të jetë e tillë. Sepse vetë “truri i njeriut është një palimpsest”, thoshte Charles Baudelaire.

“Afrikani” është libër e “libri është një botë”, deklaronte Roland Barthes. Bota të cilën na e paraqet Le Clézio është bota e vërtetë, bota përtej “botës së ekranit”. Ajo para se të jetë një realitet i shenjëzuar, është një realitet i jetuar. Së këndejmi, edhe rrëfimi referencial është më i besueshëm. Autori, që është edhe narrator dhe personazh në rrëfimin e tij, është krejtësisht i identifikueshëm me stilin. Stili është vetë njeriu, thoshte Buffoni. Në këtë rast do të mund të thuhej që edhe vepra është vetë jeta. Sepse, jeta e jetuar bëhet vepër e shkruar. Kursi i jetës shndërrohet në diskurs të veprës. Le Clézio kur e ka shkruar këtë tekst autobiografik ka qenë i vetëdijshëm për pamundësinë e tij për t’ia ndërruar jetës kursin, prandaj ka operuar aq shumë dhe aq bukur me diskursin.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more