Skip to main content

Kur Edeni është ferr


Kur Edeni është ferr 

“Antichrist” i regjisorit danez Lars von Trier është filmi më kontrovers i vitit 2009. Në festivalin e Cannes ai ka fituar një shpërblim dhe një antishpërblim. Ndërsa, muajin e kaluar është shpërblyer si filmi më i mirë i vendeve nordike 

Ag APOLLONI 

Ai dhe Ajo bëjnë seks, ndërkohë fëmija bie nga dritarja. Skena e parë e filmit “Antichrist” (“Antikrishti”) i thyen kufijtë mes artistikes dhe pornografikes, kurse rënia e fëmijës potencohet me xhirime nga perspektiva të ndryshme. Ekstaza e çiftit dhe përplasja e fëmijës së tyre për tokë ndodh njëkohësisht. Krejt kjo skenë paralele është monokromatike, me heshtje të personazheve dhe e shoqëruar nga aria “Lascia ch’io pianga” e “Rinaldos” së G. F. Händelit. Ky është prologu i filmit që ka referenca të drejtpërdrejta në “Zanafillën” biblike ku, sipas kërkimeve aktuale, frutat e pemës së ndaluar janë alegori për organet gjenitale, kurse “rënia” ka kuptimin e aktit seksual, rënies në dashuri. Në Bibël Adami dhe Eva bashkë me mollën e “hanë” edhe lumturinë e tyre, pasi që Zoti i dëbon nga Edeni (parajsa tokësore). Prologu i “Antichrist” e zhvesh mollën nga kuptimi alegorik, kurse humbjen e lumturisë e jep nëpërmjet rënies së fëmijës nga dritarja, pasi që fëmija është fryt i “rënies” dhe në të bazohet lumturia e prindërve. Kësisoj, ky film është një interpretim eksplicit dhe përmbysës i “Zanafillës”. 
Pas prologut, filmi ka edhe katër kapituj dhe një epilog. Katër kapitujt paraqesin kërkimin frojdist të rënies origjinare, duke bërë kështu defamiljarizimin e ngjarjes: nga individi kalohet të lloji. Jehonën biblike e shënjojnë edhe emërtimet e dy vetave të filmit thjesht sipas gjinisë: Ai dhe Ajo. 

Në kapitullin e parë të quajtur “Grief” (Zia) paraqitet funerali i fëmijës, nëna e të cilit alivanoset pas pak dhe e kalon një muaj në spital, pa vetëdije dhe me humbje të konceptit të kohës. Burri i saj vendos t’ia bëjë terapinë në shtëpi, ku derisa ajo ia tregon fobitë e saj, ai kërkon origjinën e tyre. Zbulohet që ajo i frikësohet Edenit, një fshat ky në të cilin Ajo së bashku me fëmijën kishte kaluar verën, duke shkruar tezën për gjenocidin e kishës ndaj femrave. Në kapitullin e dytë, “Pain” (Dhimbja), Ai dhe Ajo janë në fshatin Eden, ku herë pas herë dëgjohen disa “rënie” mbi çati dhe gradualisht raportet mes tyre acarohen. Në kapitullin e tretë, “Despair” (Dëshpërimi), Ai ngjitet në tavan ku gjen materiale nga studimi i gruas së tij: piktura që paraqesin torturimin e femrave dhe disa artikuj dhe shënime mizogjine. Ajo, duke u vetëfajësuar për vdekjen e fëmijës, përqafon besimin se femrat janë shtriga. Ai ia tregon asaj raportin e autopsisë së fëmijës, ku këmbët e tij duken të deformuara dhe, pas kësaj, Ai gjen fotografitë e djalit në të cilat këpucët e tij janë gjithmonë të mbathura mbrapsht. Ajo menjëherë e sulmon burrin e saj, duke e akuzuar se ai po planifikonte ta linte. Ajo e godet atë me një cung në testikuj dhe pastaj ia gozhdon këmbën e majtë. Kjo, në fakt, është pjesa më e tmerrshme e filmit. Kurse, në kapitullin e katërt, “TheThree Beggars” (Tre të shkretët), Ajo pasi e dëmton burrin, e kastron edhe vetveten me gërshërë. Këtu, nëpërmjet “flashbackut”, implikohet ngjarja e Prologut dhe zbulohet që Ajo e ka parë fëmijën teksa po hipte në dritare, por epshi që po përjetonte në ato çaste nuk e ka lënë të ndërmarrë asgjë për parandalimin e fatkeqësisë. Ai dhe Ajo përleshen. Burri e mbyt gruan dhe e djeg në oborr. Zjarr në Eden. Ai largohet duke çaluar. Çalimi është shenjë e djallit, prandaj ai merr pamjen e një Antikrishti, i cili, siç e shohim në Epilog, ndalet në mes të një mali, ndërsa drejt tij vijnë gra nga të gjitha anët, ashtu siç shkonin dikur njerëzit drejt Krishtit. 

Filmi “Antichrist”, i cili ka vetëm dy aktorë (William Dafoe dhe Charlotte Gainsbourg) dhe disa figurantë, i përket zhanrit horror dhe është xhiruar në video digjitale, me kamerën “Red One”. Tetëdhjetë kuadra janë të punuar në kompjuter (imazhe të gjeneruara), ndërsa fetusi i drerit të vdekur është punuar duke pasur model një fotografi të gjetur në “Google Image Search”. Po ashtu edhe skena eksplicite e aktit seksual është implikim nga një film pornografik, ndërsa skena kur dhelpra (e cila gjithashtu është e animuar në kompjuter) thotë “chaos reigns”, përmban zërin e regjisorit të sinkronizuar me teknikën 3D. 
Ky film në Cannes është nderuar me shpërblimin “Aktorja më e mirë” dhe është ofenduar me “shpërblimin” e njohur si “Antishpërblim” (“Anti-award”). Kritika e ka cilësuar me epitete të tilla, si: “kryevepër groteske”, “antidogmatik”, “tejet personal”, “tablo të zbukuruara për mrekulli”, “vepër e dështuar e një mjeshtri të regjisë” dhe “filmi më mizogjinist nga i vetëquajturi regjisori më i madh i botës”. 

Muajin e kaluar ky film është shpërblyer si filmi më i mirë nordik, ndërsa menjëherë pas premierës, regjisori i videolojrave, Morten Iversen, ka krijuar një video-lojë që quhet “Eden”, e cila fillon aty ku mbaron filmi. 

shkrime nga Ag Apolloni,shkrim nga Ag Apolloni,Ag Apolloni shkrim,shkrime shqip nga Ag Apolloni,shkrim nga Ag Apolloni,
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more