Skip to main content

Arti transpersonal i Eric Claptonit


Ag APOLLONI 

ARTI TRANSPERSONAL I ERIC CLAPTONIT


Kënga “Tears in Heaven” (“Lot në Parajsë”) e Eric Clapton-it është tekst i shkruar nga dy persona: Will Jenings dhe Eric Clapton. Si argument për ndërtimin e tekstit ka shërbyer një fatkeqësi familjare e këngëtarit, përkatësisht vdekja e të birit të tij Conor-it, humbja e të cilit ka lindur dhembjen, të cilën Clapton-i deshi ta përjetësojë në këngë në koautorësi me tekstshkruesin Jenings (autor i disa hiteve të Celine Dion, B.B. King, Roy Orbison etj.), i cili, duke e konsideruar dhembjen e Clapton-it personale, hezitoi ta shkruante tekstin. Por, pas insistimit të Clapton-it (që mund të merret si kërkesë për art transpersonal) dhe pas simulacionit të Jenings-it mbi vdekjen e Conor-it si humbje të veten personale, u krijua teksti transpersonal “Tears in heaven”. Ja si e komenton Jenings kontekstin e këngës: “Eric dhe unë ishim angazhuar të shkruanim një këngë për filmin ‘Rush’. E shkruam këngën ‘Help me up’ për fundin e filmit…pastaj Eric gjeti edhe një tjetër vend në film për një këngë dhe më tha: ‘Dua të shkruaj një këngë për djalin tim’. Eric kishte shkruar vargun e parë, që për mua ishte e gjithë kënga, por ai kërkonte nga unë t’i shkruaja vargjet e mbetura (…) Mendova t’i thosha që ajo ishte tepër personale dhe mund ta shkruante ai të tërën. Ai më tha se e admironte punën time (…) dhe përfudimisht (…) duhej të bëja si kërkonte ai, pavarësisht nga ndjeshmëria e subjektit. Kjo është një këngë tejet personale, kështu që unë e konsideroj unike në përvojën time si tekstshkrues. (…)Unë isha futur në subjektin sensitiv dhe nuk dija të arsyetoja për të. Unë jam pasionant në të gjitha këngët që i shkruaj, por kjo ishte thjesht një depërtim në një tjetër hapësirë, në një tjetër kategori."
Është me interes të ndalemi në pesë pikat kyçe të këtij prononcimi: 1. kënga u shkrua për ta shoqëruar filmin; 2. kënga duhej t’i përshatej filmit; 3. tekstin e kishte filluar Claptoni, por duhej ta mbaronte Jeningsi; 4. kënga ishte personale për autorin e parë; 5. autori i dytë e përvetëson dhembjen e të parit.
Nga këto pesë pika kuptojmë se bëhet fjalë për krijimin e një teksti konformist: Claptoni duhej t’i përshtatej filmit, ndërsa Jenings-i duhej t’i përshtatej Claptonit. Fillimin e tekstit e kishte bërë Claptoni duke u nisur nga përvoja personale. Vazhduesi i tekstit duhej t’i përshtatej ngjarjes që tronditi Claptonin dhe ngjarjes së filmit. Derisa teksti personal niset nga përvoja e shkruesit të tij, “Tears in heaven” duhej të nisej nga përvoja e porositësit të tekstit. Ky tekst do të ishte rezultat i një koautorësie mes dy artistëve që ia njihnin njëri-tjetrit ndjenjat dhe stilet. Nuk mund të thuhet me saktësi nëse Jenings shkroi për vdekjen e Conor-it apo të dikujt tjetër, por dihet saktë që teksti i tij është tekst për dhembjen që shkakton vdekja e më të dashurit. Kjo mjafton që teksti të konsiderohet i përshtatshëm si për filmin, ashtu edhe për Claptonin dhe Jeningsin. Prandaj, vdekja e Conor-it duhet parë vetëm si provokim i kujtesës emocionale të Jenings-it.
Pra, teksti është i ndërtuar mbi një kontekst familjar apo gjendje emocionale personale të artikuluar si transpersonale (tejpersonale, që mund të jetë personale për secilin). Frymëzimi dhe artikulimi, pra, janë translirikë. Teksti niset nga veta e parë (Unë) dhe i drejtohet vetes së dytë (Ti). Raporti intim mes dy vetave, apo dy vetëve, ka si rrjedhojë një ton intimiteti në ligjërimin ritmik të diskursit translirik-përkushtues mbi humbjen ose vdekjen. Aty shprehet intensiteti emocional i artikuluesit të dhembjes transpersonale dhe bëhet transmetimi i emocioneve të tij te recepienti. Dhe kështu shfaqen statuset e tekstit në plane të ndryshme, ku si kod tematik është vdekja, si kategori letrare elegjia (brenda është pikëllimi, prandaj). Kurse gjuha, duke qenë e brendshme (internale), personale, është ligjërim, në këtë rast, është ligjërim intim tipik elegjiak. Dramaciteti i këtij teksti, që është një orkestrim ndjenjash, lind nga disponimi (gjendja shpirtërore) i autorit dhe nga raporti emocion-figurë, që është një raport i ndërsjellë, dhe ka si rrjedhojë një tempo të ngadaltë të ligjërimit. Kurse, në planin versifikativ, si strukturë e jashtme, teksti karakterizohet nga organizimi strofik. Gjithsej ka gjashtë strofa katërshe (katrena). Strofa e parë artikulohet si pyetje/ shpresë (If-sikur, nëse), strofa e dytë si vendim/ qëllim (must-duhet) që duhet ta ketë Subjekti, strofa e tretë si pyetje-ftesë/shpresë (Would you hold my hand, If…), strofa e katërt si bindje (I know I don’t belong…), strofa e pestë si meditim/lutje (Time can bring you down etc…begging please) dhe strofa e gjashtë si përfundim ideomocional (I know there’ll be no more / tears in heaven).
Gjendja emocionale e autorit artikulohet me zërin e pikëllimit, me forcën e meditimit dhe me strukturimin e pozicionimit të autorit përballë gjasës së një ritakimi.
Manipulimi i autorit me argumentin, përkatësisht me dhembjen, zhdukë karakteristikat e Objektit konkret (Conor) dhe karakteristikat e Subjektit real (Clapton & Jenings). Domethënë, Subjekti (ligjëruesi) “zhvishet” nga nacioni, religjioni, mosha dhe gjinia. E njëjta gjë ndodh edhe me Objektin. Dhe, kështu bëhet univerzalizimi i dhembjes personale në favor të të cilit është relacioni Unë- Ti (I-You), i cili eviton nevojën dhe mundësinë e përdorimit të përemrave që do të identifikonin gjininë e ligjëruesit apo të personit-objekt dhe rezulton në hapjen e mundësisë të identifikimit të recepientit me ligjëruesin e këtij diskursi translirik.
Më qartë, “ Tears in Heaven” shpreh dhembjen e dikujt për dikë, kudo dhe kurdo. Dhe kjo është karakteristikë e tekstit translirik.
Dhembja shpirtërore e artikuluesit (subjektit), si tharm i kësaj translirike, ka origjinën te mungesa e pranisë të të papranishmit të dashur për Subjektin. Dimensioni i dhembjes është dimension ontologjik i tragjikës, e cila, në fakt, lind dhembjen e të gjallit ndaj të vdekurit dhe përcakton natyrën e tekstit si teksti i dhembjes.
Nëse ndalemi te nuancat e dhembjes shpirtërore, atëherë si nuancë dominante kemi pikëllimin, i cili, meqë është kategori e dhembjes, ngërthen brenda vetes humbjen e diçkaje të vlefshme për të pikëlluarin. I pikëlluari në këtë rast është Subjekti, që artikulon pikëllimin në vargje mbi gjasën e një ritakimi në kohë dhe hapësirë tjetër. Por, edhe në një gjendje psikofizike krejt tjetër.

Would you know my name 
If I saw you in heaven? 
Would it be the same 
If I saë you in heaven? 

Qysh në vargun e parë shfaqet njohja, dija (Knowledge) e pasuar nga vargu i dytë me pikëpyetje. Vargu i tretë vetëm sa e plotëson dhe e qartëson nevojën e parashtrimit të një pyetjeje të tillë. Pse? Sepse, me hyrjen e shpirtit në trup shlyhet kujtesa e shpirtit, mendonte Platoni, kurse me daljen e shpirtit nga trupi shlyhet kujtesa e shpirtit, dyshon Claptoni.
Vargu i tretë dhe i katërt paralajmërojnë transformimin e dukjes dhe emocioneve të Subjektit dhe Objektit, përkatësisht shtrojnë çështjen e probabilitetit të një takimi eventual.
Në strofën e parë, pos relacionit Unë-Ti (I-You), jepet edhe hapësira e Objektit, kurse vendi i ligjëruesit ka karakter implicit apo të nënkuptueshëm.
Përsëritja e vargut të dytë pas vargut të tretë lë të nënkuptohet se teksti përqëndrohet mbi themelet e gjasës (If- nëse, sikur), domethënë mbi një dëshirë personale të Subjektit. Heaven (Parajsa, Qielli) është vendi ku do të bëhej takimi i dëshiruar. Pra, gjakohet një takim pa dhembje, një takim në qiell, atje ku mbretëron harmonia dhe dashuria. (Në të kundërtën, një ritakim në tokë do të ishte i dhembshëm dhe teksti do të artikulohej si lutje për rimishërim të shpirtit).
Kështu vargu i parë me të tretin, që variojnë ndërmjet vete, vënë në pikëpyetje të mbeturit e njëjtë të raportit intim mes Subjektit dhe Objektit. Dhe, vargu i dytë me të katërtin potencojnë motivin kryesor, përkatësisht lajtmotivin, që është gjasa e një ritakimi.
Pos për përballimin e një takimi të mundshëm, duhet forcë për të përballuar edhe fatin dhe faktin e ndarjes:

I most be strong 
And carry on, 
‘Cause I know I don’t belong 
Here in heaven. 

Një trup (materie) nuk mund t’i përkasë botës së imaterialitetit, kjo është e qartë! Madje as takimi imagjinar nuk mund t’i mbajë bashkë për një kohë sadopak të gjatë dy “persona”, njërin material e tjetrin spiritual.
Këtë vetëdije mbi këtë pamundësi bashkimi e shprehin dy vargjet e fundit të strofës së dytë, e cila bën një thyerje në planin e organizimit versifikativ. Në fakt, kjo strofë bashkë me strofën e katërt dhe të gjashtën, shfaqin analogjinë skematike të organizimit strofik: të trija janë katrena (si edhe tri strofat tjera me organizim tjetër strofik), por tri vargjet e para të tyre janë me rima të puthura, kurse vargun e katërt dy strofat e para të këtij lloji e kanë të njëjtë dhe të parimë, ndërsa vargu i fundit i strofës së fundit shfaq fenomenin e iterativitetit.
Katrena e tretë është strofë iterative me të parën dhe e ripotencon lajtmotivin nëpërmjet dramaticitetit të tekstit.

Would you hold my hand 
If I saw you in heaven? 
Would you help my stand 
If I saw you in heaven? 

Udhëtimi imagjinar i Subjektit vazhdon. Pyetjet e tij nuk pushojnë. Vargjet ecin të ngjyera në pikëllim. Pikëllimi është si një vaj ku fjalët, si zinxhirët, lyhen dhe ecin pas njëra tjetrës. Objekti ka vdekur! Përgjigjje nuk ka! Interkomunikimi verbal (dhe jo vetëm verbal) i dy personave të sferave të ndryshme, materiale dhe spirituale, është i pamundshëm. Dhe lotët e Subjektit rrjedhin në hapësirën e Objektit. Se a ka gjë më të tmerrshme se pamundësia e komunikimit me më të dashurin?

I’ll find my way 
Through night and day 
‘Cause I know I just can’t stay 
Here in heaven. 

Të ndenjurit në parajsë s’është zgjidhje, sepse është i pamundshëm një qëndrim i tillë. Duhet kërkuar një alternativë. Edhe në pellgun e pikëllimit, Subjekti shpreson në një zgjidhje, në një lehtësim shpirtëror, në një rrugë të re për të gjetur barin shërues (apo lehtësues) për përballimin e ndjenjës së pikëllimit në shpirtin e tij.
Katrena e pestë është e ndërtuar mbi figurën e anaforës, e cila bart tërë emocionalitetin dhe fatalitetin e Subjektit përballë kohës. Përsëritje ritmike, që e bën këtë strofë kumbuese dhe tejet sensitive, krijon sidomos bashkëtingëllorja buzore (tingulli) B në çdo të tretën fjalë të secilit varg ( bring, bend, break, begging). Ndërsa, përsëritja e formuluar si lutje “begging please” është kulmi emocional. Më përtej nuk shkohet!

Time can bring you down, 
Time can bend your knees, 
Time can break your heart, 
Have you begging please, begging please. 

Pas këtij zeniti emocional, ritmi normalizohet, ekuilibrohet gjendja e shpirtit të pikëlluar, bëhet analog me ritmin e strofës së dytë dhe të katërt me të cilat, siç u tha, edhe strukturën e jashtme e ka analoge. Me anë të konsonancës ndërtohen tri rima të puthura dhe në fund shfaqet iterativiteti me anë të ndërrimit të fjalës “Here” në “ Tears”.

Beyond the door, 
There’s peace I’m sure, 
And I know there’ll be no more 
Tears in heaven. 

Hyrja e Subjektit në hapësirën e Referentit është një përjashtim. Përjashtim janë edhe lotët e derdhur në parajsë nga një njeri i gjallë, i cili, sapo të ikën nga vendi i shpirtërave, kurrë më nuk do të ketë lotë në parajsë, e cila në gjuhën angleze identifikohet me qiellin: Heaven = Parajsë + Qiell.
Megjithëse këtu është fundi i këtij teksti, Claptoni, gjatë interpretimit të tij me kitarë, i rimerr strofat e para dhe i vendos në fund duke e fuqizuar kështu ndjeshmërinë dhe emocionin që s’di të ftohet, dhe duke potencuar gjasën e një ritakimi si motiv fatik apo lajtmotiv, si dhe duke rishprehur ndërgjegjësimin e tij mbi pamundësinë e komunikimit të dy personave të dy sferave të ndryshme, materiale dhe spirituale/ideale. Pra teksti ngrihet mbi teorinë e probabilitetit, e cila i prin praktikës letrare, por jo edhe asaj jetësore. “Sikuri” mundëson krijimin e tekstit, jo takimin e subjektit me objektin.

“Tears in Heaven”, nëpërmjet së cilës auditoriumi participon në dhembjen e Subjektit, është tekst që reflekton pikëllim. Pikëllim të thellë, por transparent si qielli. Këtu emocioni dominon mbi arsyen, e cila, nga ana e vetë, kristalizon emocionin. Kjo është një këngë, të cilën si autori, ashtu edhe publiku mund ta konsiderojnë personale. Sepse ajo është transpersonale. E transpersonalja kërkon identifikimin emocional të autorit me publikun.

eric clapton arti i tij,shkrime per erik klapton
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more